Instituti GAP organizoi tryezën e diskutimit ku u prezantua raporti “Ndërlidhja e buxhetit të Kosovës me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (2021-2025)”, i përgatitur nga Instituti GAP me mbështetjen e Zyrës së Koordinatorit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara.
Blendi Hasaj, Drejtor Ekzekutiv në Institutin GAP, theksoi se raporti paraqet analizën e parë gjithëpërfshirëse mbi shkallën e përputhshmërisë së shpenzimeve publike të Kosovës me 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) për periudhën 2021–2025.
Stephen O’Malley, Koordinatori i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, theksoi se buxheti është pasqyrimi më i qartë i prioriteteve të një qeverie dhe i përkushtimit të saj ndaj objektivave të zhvillimit. Ai rikujtoi se Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj institucional ndaj Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) përmes Rezolutës së Kuvendit të vitit 2018. Sipas O’Malley-t, raporti ofron një bazë më të qartë për të kuptuar prioritetet buxhetore dhe për të vlerësuar nëse investimet publike po kontribuojnë në përmbushjen e zotimeve të Kosovës për zhvillim të qëndrueshëm.
Rrona Zhuri, Koordintarore e Hulumtimeve në Institutin GAP, prezantoi gjetjet kryesore të raportit ku ndër të tjera theksoi se, rreth 87% e shpenzimeve buxhetore të Kosovës gjatë periudhës 2021–2025, apo 13.4 miliardë euro, kanë kontribuar në realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Megjithatë, ajo theksoi se një pjesë e madhe e shpenzimeve ishin të përqendruara në vetëm pesë objektiva: uljen e varfërisë, forcimin e institucioneve, arsimin, infrastrukturën dhe shëndetësinë. Ndër rekomandimet kryesore të raportit, ajo veçoi nevojën për shpërndarje më të balancuar të mjeteve publike, për integrimin më të mirë të OZHQ-ve në planifikimin dhe hartimin e buxhetit, rritjen e financimit për objektivat e nënfinancuara, si dhe përmirësimin e targetimit të transfereve sociale.
Driton Hyseni, Zëvendësministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, theksoi rëndësinë e përfshirjes në raport edhe të donacioneve dhe fondeve nga partnerët ndërkombëtarë, pasi ato përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në realizimin e OZHQ-ve. Ai përmendi si shembuj financimin prej 25 milonë eurosh nga Banka Botërore për sektorin e ujërave dhe 25 milionë euro nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës për përmirësimin e kushteve të banimit social.
Armenda Shala, Zyrtare e Lartë në Zyrën për Planifikim Strategjik në Qeverinë e Kosovës, foli për rishikimin e fundit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2030 dhe harmonizimin e saj me Planin e Punës së Qeverisë. Ajo theksoi se strategjia përmban 143 indikatorë për matjen e progresit zhvillimor, prej të cilëve rreth 80% janë në përputhje me OZHQ-të.
Vlora Nushi – Tuzi, Shefe e Zyrës në UN Women, theksoi se te gjetjet na inkurajojnë të shikojmë përtej OZHQ 5 dhe ta trajtojmë barazinë gjinore të integruar në tërë buxhetin për të adresuar pabarazitë strukturore. Si shembull, ndër pengesat e grave për t’u kyçur në tregun e punës mbetet kujdesi i papaguar dhe qasja në transport, shërbime të kujdesit, ndikimi i ndryshimeve klimatike, etj. Buxhetimi i përgjegjshëm gjinor është një mjet i rëndësishëm sepse ndihmon institucionet që të planifikojnë dhe alokojnë fondet në menyrë të barabartë, por edhe të monitorojnë në menyrë adekuate shpenzimet e fondeve publike.
Në tryezën e diskutimit kontribuan edhe përfaqësues të institucioneve qendrore, organizatave te huaja dhe lokale si dhe akterë të tjerë.
Raportin mund ta gjeni këtu.