Sot, Instituti GAP organizoi tryezën e diskutimit ku u prezantua raporti “Anketa e Buxhetit të Hapur për Kosovën 2025 (Open Budget Survey – OBS 2025)” i realizuar me përkrahje nga Partneriteti Ndërkombëtar për Buxhet (International Budget Partnership).
Nora Latifi – Jashari nga Instituti GAP, tregoi se Anketa e Buxhetit të Hapur është një vlerësim i pavarur i cili bazohet në një pyetësor gjithëpërfshirës prej më shumë se 200 pyetjeve. Anketa vlerëson tri komponentë kryesor të procesit buxhetor: transparencën buxhetore, pjesëmarrjen publike dhe mbikëqyrjen e buxhetit nga institucionet përkatëse.
Rrona Zhuri, Koordinatore e Hulumtimeve në Institutin GAP, prezantoi gjetjet e anketës ku sipas rezultateve, Kosova ka shënuar 57 pikë (nga 100) në transparencë buxhetore, 32 pikë në pjesëmarrje të qytetarëve dhe 61 pikë në mbikëqyrje të buxhetit. Nga tetë dokumentet e vlerësuara, gjashtë janë publikuar me kohë, një me vonesë, dhe një nuk është publikuar fare. Gjetjet tregojnë se Kosova renditet e treta në rajon për transparencë dhe e para për pjesëmarrje publike, por përfshirja e qytetarëve mbetet e kufizuar. Raporti evidenton vonesa në publikimin e disa dokumenteve buxhetore dhe mbikëqyrje të kufizuar nga Kuvendi. Raporti rekomandon publikimin me kohë të dokumenteve buxhetore, forcimin e mbikëqyrjes parlamentare dhe krijimin e mekanizmave për përfshirjen e qytetarëve në të gjitha proceset buxhetore.
Salvador Elmazi, Drejtor i buxhetit në Ministrinë e Financave, e vlerësoi pozitivisht përmirësimin e rezultateve krahasuar me OBS 2023, duke theksuar se është e rendësishme që ka një trend pozitiv të performancës, pavarësisht ndryshimeve metodologjike. Ai theksoi se në mënyrë që të adresohen mangësitë dhe të përmirësohet vlerësimi për Kosovën në këtë anketë, duhet hartuar një plan i përbashkët veprimi me hapa konkretë. Ai përmendi edhe rëndësinë e përfshirjes së ministrave të linjës në diskutimet e komisionit parlamentar për buxhet.
Vlora Spanca, Auditore e Përgjithshme në Zyrën Kombëtare të Auditimit, i vlerësoi pozitivisht rezultatet e larta të OBS 2025 për Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe Raportin e Auditimit. Ajo theksoi rëndësinë e përfshirjes së qytetarëve dhe shoqërisë civile në procesin e hartimit të planit të auditimit, dhe sugjeroi që kjo mund të formalizohet si mekanizëm në të ardhmen, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ajo veçoi edhe rëndësinë e sinjalizimit si mekanizëm përmes të cilit qytetarët dhe palët e tjera mund të ngrisin çështje që kërkojnë vëmendjen e auditorëve.
Durim Halilaj, Drejtor i financave në Komunën e Gjakovës, vuri në pah nevojën për bashkëpunim më të mirë ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, si dhe për rritjen e mbështetjes institucionale për bashkësitë lokale. Veçanërisht, ai kërkoi një angazhim më të madh për buxhetimin me pjesëmarrje, duke shprehur shqetësimin për rënien e pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset buxhetore. Sipas tij, duhet të krijohen mekanizma që mundësojnë identifikimin më të mirë të nevojave të komunitetit dhe përfshirjen e qytetarëve në përcaktimin e prioriteteve të shpenzimeve publike, Në tryezën e diskutimit kontribuan edhe përfaqësues të institucioneve lokale dhe akterë të tjerë.
Raportin mund ta gjeni këtu.
Ky projekt financohet nga Komisioni Evropian.