Letërnjoftimi i Komunës së Junikut 2013

22/05/2013

Instituti GAP publikon raportin e 28 me radhë për qeverisjen komunale pas zgjedhjeve lokale të 2009.

“Letërnjoftimin e Komunës së Junikut 2013” mund ta lexoni duke klikuar këtu:

Komuna e Junikut e themeluar fillimisht si pilot njësi komunale është transferuar në komunë me kompetenca të plota nga janari i vitit 2010. E shtrirë në rrafshin e Dukagjinit, me një popullsi mbi 6 mijë banorë, Juniku vlerësohet të ketë potenciale të mira për zhvillimin e turizmit, ekonomisë rurale dhe sidomos për promovimin e trashëgimisë kulturore.

Nga zgjedhjet lokale të vitit 2009 për kryetar të komunës, junikasit kanë zgjedhur Agron Kuçin, i cili ka përfaqësuar partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).   

Niveli i investimeve kapitale në Komunën e Junikut është thellësisht i varur nga ndihma financiare e Qeverisë së Kosovës dhe donatorëve ndërkombëtar. Shkalla e të hyrave vjetore në këtë komunë nuk kalon 80.000 euro, shumë kjo e pamjaftueshme për të realizuar projekte dhe investime të mëdha.

Juniku nuk ka arritur aq mirë të ndërlidh investimet kapitale me nevojat më urgjente komunale. Kështu për shembull, kjo komunë gjatë tri viteve të fundit nuk ka arritur të ndërtojë një çerdhe publike, përderisa ka investuar rreth 50.000 euro në forcimin e rrjetit elektrik dhe zhvendosjen e tij,  punë kjo që do të duhej të mbulohej nga ana e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Udhëheqësit e Junikut, ndonëse kanë treguar vullnet për t’i adresuar dhe zgjidhur problemet infrastrukturore, vullnet i njëjtë nuk është hasur edhe për të promovuar një qeverisje transparente dhe llogaridhënëse. Kjo komunë  hyn në mesin e komunave me nivelin më të ulet të transparencës. Ky institucion përveç që nuk ka zyre dhe zyrtar përgjegjës për informim, informatat që postohen në ueb faqen zyrtare janë të pakta, të rralla dhe sipërfaqësore. Zyrtarët e kësaj komune kanë shpërfillur dhe nuk janë përgjigjur në kërkesa për qasje në dokumentet publike, ndonëse kjo sanksionohet dhe rregullohet me Ligjin për Qasje në Dokumentet Publike, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Gjatë viteve 2010-2011, kjo komunë ka shpenzuar 17.722 euro për dreka dhe darka, mbi 22.000 euro për derivate për vetura, afro 15.000 euro janë shpenzuar për telefoni mobile dhe fikse dhe afro 12.000 euro në udhëtime e mëditje jashtë vendit.

Komuna e Junikut ka përjashtuar pesë mësimdhënës nga puna nga gjimnazi “Kuvendi i Junikut” me arsyetimin se ata nuk janë të komunës së Junikut. Pas kësaj, këta mësimdhënës janë ankuar në MASHT si dhe në gjykatën komunale në Pejë dhe të dy këto instanca kanë nxjerrë vendim për kthimin e tyre në vendet e punës, por vendimi ende nuk është respektuar nga ana e Komunës së Junikut.

Në këtë raport pasqyrohen zhvillimet rreth politikave publike në Komunën e Junikut për periudhën janar 2010 – dhjetor 2012. Instituti GAP ka analizuar shpenzimet buxhetore të kësaj komune, duke përfshirë të hyrat dhe shpenzimet komunale, ka analizuar trendin e investimeve kapitale si dhe është dhënë vlerësim i përgjithshëm në lidhje me funksionimin e administratës komunale si dhe shkallën  e transparencës së organeve komunale ndaj qytetarëve dhe opinionit të gjerë.