Letërnjoftimi i Komunës së Mamushës - 2013

23/05/2013

Instituti GAP publikon raportin e 30 me radhë për qeverisjen komunale pas zgjedhjeve lokale të 2009.

“Letërnjoftimin e Komunës së Mamushës 2013” mund ta lexoni duke klikuar këtu:

Komuna e Mamushës gjendet në jugperëndim të Kosovës dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 32 km2. Kjo komunë është krijuar nga zonat kadastrale të Prizrenit, fillimisht si pilot njësi komunale (2005-2007) për t’u shndërruar në komunë me kompetenca të plota në qeverisje lokale që nga janari i vitit 2010.  Pjesa dërrmuese e popullsisë i takon komunitetit turk të Kosovës. Përpos të hollave që ndan rregullisht Qeveria e Kosovës, edhe donacionet nga shteti i  Turqisë kanë ndikuar në arritjen e disa objektivave nga udhëheqja e Komunës së Mamushës. Disa rrugë dhe institucione në këtë komunë bartin emërtime nga personalitetet historike të Turqisë.

Megjithëse Mamusha po e përmbyll  vitin e katërt të ekzistimit si komunë me kompetenca të plota, ndërtimi i administratës komunale dhe i bazës juridike ende nuk është finalizuar.  Komuna akoma nuk ka nisur me procesin e dhënies së lejeve të ndërtimit, me finalizimin e planeve rregulluese si dhe nuk është hasur ndonjë rast i partneritetit publiko-privat në zhvillimin e sektorëve të ndryshëm.

Niveli i përgjithshëm i të hyrave komunale të Mamushës gjatë një viti sillet rreth 42.000 euro, shumë kjo tejet simbolike për të mundësuar investime të mëdha nga ana e komunës. Mbi 95% e buxhetit të Mamushës është nga grantet e Qeverisë së Kosovës. Shuma e mjeteve që Mamusha ka gjatë një viti për investime kapitale sillet rreth 240.000 euro.

Zyrtarët e lartë të Komunës së Mamushës (kryetari, nënkryetari, drejtorët e drejtorive) kanë refuzuar të deklarojnë pasurinë në Agjencinë Kosovare kundër Korrupsionit në vitin 2012. Ndërkaq, Auditori i Përgjithshëm thotë se raportimi i shpenzimeve nuk është saktësuar siç duhet.

Nga 15 asambleistë sa numëron Kuvendi Komunal, vetëm dy prej tyre janë femra. Edhe përqindja e punësimit të femrave në administratën komunale, në arsim dhe shëndetësi është i vogël. Nga gjithsej 126 persona të punësuar në këta sektorë, vetëm 28 janë femra.

Komuna e Mamushës akoma nuk ka themeluar Zyre për Marrëdhënie me Publikun dhe nuk ka emëruar ndonjë zyrtar përgjegjës për komunikim me media. Përveç kësaj, ueb faqja zyrtare e kësaj komune është tejet e varfër me informacione. Ajo nuk përmban asnjë raport financiar, raport të punës, njoftimet e prokurimit publik dhe dokumente të tjera të rëndësishme.  

Regjioni i Mamushës është i njohur për organizimin e festivalit tradicional të domates. Gjatë vitit të kaluar, komuna ka shpenzuar afro 6.000 euro për bileta të aeroplanit për mysafirët e këtij festivali të ardhur nga jashtë në Kosovë. Ndërsa, për ushqim dhe pije për këtë festival për çdo vit nga buxheti i komunës shpenzohen mbi 9.000 euro.