Instituti GAP publikoi analizën “Themelimi i Komunave të reja në Kosovë – implikimet buxhetore dhe vetë-qëndrueshmëria financiare”

24/07/2013

Instituti GAP publikoi analizën “Themelimi i Komunave të reja në Kosovë – implikimet buxhetore dhe vetë-qëndrueshmëria financiare”.

Analizën e plotë mund ta lexoni duke klikuar këtu:
Shkarko dokumentin:

Sot, në një prezantim për media, Instituti GAP publikoi analizën “Themelimi i Komunave të reja në Kosovë – implikimet buxhetore dhe vetë-qëndrueshmëria financiare”. Analiza u prezantua nga Visar Rushiti – analist i politikave dhe Agron Demi – drejtor ekzekutiv i Institutit GAP.

Analiza e GAP për komunat e reja në Kosovë analizon bazën ligjore për krijimin e komunave të reja, kërkesat e lokaliteteve për tu shndërruar në komuna të reja dhe implikimet buxhetore dhe administrative që mund të kenë krijimi i komunave të reja për grantin e komunave në përgjithësi, gjendjen në shërbimin civil dhe sfidat në funksionalizimin e komunave të reja.

Në bazë të dhënave zyrtare të siguruara dhe analizuara nga Instituti GAP, del se 11 bashkësi fshatrash kanë aplikuar për të marrë statusin e komunës. Këto lokalitete janë: Rogov, Gjonaj, Reçan, Hogosht, Janjevë, Llapjas (Kërpimeh), Krusha e Madhe, Zhegra, Orllan dhe Pozherani. Nëntë nga këto lokalitete janë me shumicë shqiptare, një me shumicë boshnjake (Reçani) dhe një me shumicë të popullsisë kroate (Janjeva).

Në bazë të analizës së Instituti GAP, baza ligjore në fuqi për krijimin e komunave të reja nuk është e mjaftueshme. Mungojnë instruksionet e qarta për kriteret minimale për themelimin e komunave dhe procedurat. Kërkesat e 11 lokaliteteve të ndryshme, të cilat janë shqyrtuar nga Instituti GAP, nuk përmbajnë informata të bollshme për popullsinë, numrin e shtëpive, numrin e bizneseve, territorin, etj.

Në mungesë të këtyre të dhënave dhe duke parë se institucionet qendrore nuk janë duke analizuar fare kërkesat e komunave, Instituti GAP ka grumbulluar informata shtesë për këto bashkësi fshatrash, duke intervistuar parashtruesit e kërkesave dhe duke e plotësuar pasqyrën e komunave potenciale me të dhëna për numrin e popullsisë, numrin e shtëpive të banimit, numrin e bizneseve, sipërfaqen, etj. Nëse bazohemi në kërkesat e gjertanishme të lokaliteteve, del se numri i banorëve në komunat e reja potenciale sillet prej 3.426 (Janjeva) në 24.639 (Komorani).

Ekzistojnë tri arsye bazë për t’u shndërruar në komuna të cilat i kanë parashtruar bashkësitë e fshatrave në aplikacionet e tyre në MAPL:

            1. Historiku apo të qenit komunë në vitet e mëhershme;

            2. Largësia nga qendra administrative dhe vështirësitë në kryerjen e shërbimeve komunale; dhe

            3. Mungesa e investimeve kapitale në territorin e tyre.

Në bazë të analizës së Institutit GAP, del se krijimi i komunave të reja do të ndikojë në uljen e buxhetit të përgjithshëm të të gjitha komunave të Kosovës, por më së shumti të atyre komunave nga territori i së cilave pritet krijimi i komunës së re. Krijimi i komunave të reja do të rrisë dukshëm numrin e të punësuarve në shërbimin civil, duke ndikuar në rritjen e shpenzimeve për paga, në dëm të shpenzimeve kapitale dhe subvencioneve. Çdo komunë e re duhet të ketë minimum 55 pozita të reja të shërbimit civil. Në shumicën e lokaliteteve ekziston numër i vogël i shtëpive dhe bizneseve, çfarë do të ndikojë në të hyra të ulëta vetanake të komunës. Si rrjedhojë, komunat e reja do të vareshin nga grantet e qeverisë. Po ashtu, asnjë komunë e re nuk mund të funksionalizohet për një periudhë të shkurtër kohore, ngase mungon infrastruktura bazë administrative, arsimore, shëndetësore dhe resurset njerëzore.

Instituti GAP i rekomandon Qeverisë së Kosovës që të mos vazhdojë me formimin e komunave të reja. Në rastin e tri komunave të reja të krijuara me vendim të Qeverisë (Komuna e Gjonajve, Rogovës dhe Zhegrës), nuk duhet të mbahen zgjedhjet lokale më 2013. Kuvendi i Kosovës, nuk duhet të legjitimojë vendimet e Qeverisë për krijimin e komunave të reja, nëse kërkesat e Qeverisë nuk përmbajnë edhe studimin e fizibilitetit për komunat e reja. MAPL duhet të fillojë përgatitjet në ndryshimin dhe plotësimin e bazës ligjore për kriteret dhe procedurat e krijimit të komunave. Asnjë komunë e re nuk duhet të fillojë së funksionuari me kompetenca të plota, pa e kaluar një periudhe të caktuar të funksionimit si pilot-njësi komunale. Komunat ekzistuese, duhet të krijojnë një sistem më të drejtë të investimeve në territorin e tyre, me qëllim të mos diskriminimit të rajoneve të caktuara brenda komunës. Po ashtu, komunat ekzistuese në bashkëpunim me nivelin qendror duhet të krijojnë kushte për dekoncentrimin e shërbimeve administrative, apo ofrimin e shërbimeve për dokumentacionin administrativ edhe në vendbanime jashtë qendrës urbane. Këto masa janë të nevojshme me qëllim të ofrimit të shërbimeve të drejta për qytetarë dhe akomodimin e kërkesave të tyre në kuadër të komunave aktuale, pa pasur nevojë krijimin e komunave të reja.