GAP dhe BIRN kanë publikuar sot raportet për Komunën e Gjakovës dhe Junikut

25/09/2013

Instituti GAP dhe BIRN kanë vazhduar me publikimin e raporteve hulumtuese mbi problemet më të mëdha infrastrukturore dhe të qeverisjes me të cilat përballen komunat e Kosovës në prag të zgjedhjeve lokale të 2013.

Sot, në Gjakovë janë publikuar edhe dy  raporte për problemet kryesore dhe trendët afatmesme buxhetore të komunave: Gjakovës  dhe Junikut.

Dren Pozhegu, hulumtues në GAP, ka prezentuar të gjeturat kryesore të raporteve, duke u përqëndruar në problemet të cilat GAP ka identifikuar gjatë hulumtimeve në terren. Në bazë të hulumtimeve, shqetësimet kryesore të banorëve të Komunës së Gjakovës janë: mungesa e ujit të pishëm në zonën e “Rekës së Keqe”,” çarshia e vjetër” në qytetin e Gjakovës, mbeturinat në lumin “Krena”, ndriçimi publik, mungesa e fushave rekreative dhe shitësit ambulan.

Ndërsa nga të gjeturat  në terren  në Komunën së Junikut janë identifikuar këto probleme: menagjimi i dobët i mbeturinave, kundërmimi i kanalizimit në qytet, prerja e pyjeve, mungesa e sallave të mbyllura të edukatës fizike, mungesa e çerdhes publike, mungesa e objektit në stacion të autobusit, mungesa e stafit mjekësor.

Berat Thaqi, hulumtues në GAP, ka prezentuar trendët buxhetore për këto dy komuna, të nxjerra nga Kornizat Afatmesme Buxhetore 2014-2016. Përfshirja e KAB në raportet e GAP ka për qëllim informimin e qytetarëve për kapacitete buxhetore të komunës dhe ndërlidhjen e buxhetit me aftësitë e komunës për të zgjidhur problemet me të cilat përballen qytetarët.

Genc Nimoni, monitorues i BIRN për regjionin e Mitrovicës, ka shpalosur planet e BIRN për debatet parazgjedhore me kandidatët për kryetar komunash, të cilët do të përballen me pyetje konkrete se si do ti zgjidhin problemet e identifikuara nga BIRN dhe GAP. Po ashtu, z.Nimoni ka ftuar qytetarët që të gjitha shqetësimet e tyre ti adresojnë përmes platformës www.kallxo.com dhe këto shqetësime do t’i parashtrohen edhe kandidatëve për kryetar komunash gjatë debateve paraelektorale.

Këto raporte do ti dorëzohen të gjithë kandidatëve për kryetar komunash, me qëllim që kandidatët të përfshijnë në programin e tyre zgjedhor edhe alternativat për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Në ditët ne vijim, GAP dhe BIRN do vazhdojnë publikimin e raporteve komunale edhe për komunat e regjionit të  Prizrenit, Ferizajt, Pejës dhe Prishtinës.


Raportet e plota mund t"i lexoni këtu:

Komuna e Gjakovës

Komuna e Junikut