GAP dhe BIRN publikuan 5 raportet për problemet komunale në regjionin e Ferizajt

30/09/2013

Instituti GAP dhe BIRN kanë vazhduar me publikimin e raporteve hulumtuese mbi problemet më të mëdha infrastrukturore dhe të qeverisjes me të cilat përballen komunat e Kosovës në prag të zgjedhjeve lokale të 2013.

Sot, në Ferizaj janë publikuar edhe pesë raporte për problemet kryesore dhe trendët afatmesme buxhetore të komunave: Ferizaj, Shtime, Shtërpcë, Kaçanik dhe Hani i Elezit.

Bekim Salihu, menaxher për qeverisje lokale në GAP, ka prezantuar të gjeturat kryesore të raporteve, duke u përqendruar në problemet të cilat GAP ka identifikuar gjatë hulumtimeve në terren. Në bazë të hulumtimeve, shqetësimet kryesore të banorëve të Komunës së Ferizajt janë: reduktimet e shpeshta të ujit, mungesa e kanalizimit në disa vendbanime, prerja e pyjeve, mungesa e trotuareve dhe nënkalimeve në disa zona dhe mos kujdesi i duhur institucional nga ana e komunës për objektet e trashëgimisë kulturore. 

 Z. Salihu gjithashtu ka prezantuar disa nga problemet për komunat tjera të regjionit të Ferizajt. Disa prej problemeve kryesore në këto komuna janë: ndotja e lumenjve, mungesa e mjekëve në QKMF, mungesa e çerdheve, mungesa e hapësirave për parking, mungesa e ndriçimit publik, ndotja  e ambientit nga gurëthyesit, mungesa e infrastrukturës, mungesa e sinjalizimit horizontal dhe vertikal, mungesa e përkrahjes institucionale ndaj klubeve sportive, mungesa e hapësirave rekreative sportive, ndërtimet e egra, degradimi i zonës turistike Brezovica, menaxhimi i dobët me mbeturina dhe mos mirëmbajtja e ndërtesave publike.

Berat Thaqi, hulumtues në GAP, ka prezantuar trendët buxhetore për këto pesë komuna, të nxjerra nga Raportet Financiare dhe Kornizat Afatmesme Buxhetore 2014-2016. Përfshirja e KAB në raportet e GAP ka për qëllim informimin e qytetarëve për kapacitete buxhetore të komunës dhe ndërlidhjen e buxhetit me aftësitë e komunës për të zgjidhur problemet me të cilat përballen qytetarët.

Gazmend Rexhepi, hulumtues i BIRN për regjionin e Ferizajt, ka shpalosur planet e BIRN për debatet parazgjedhore me kandidatët për kryetar komunash, të cilët do të përballen me pyetje konkrete se si do ti zgjidhin problemet e identifikuara nga BIRN dhe GAP. Po ashtu, z. Rexhepi ka ftuar qytetarët që të gjitha shqetësimet e tyre t’i adresojnë përmes platformës www.kallxo.com dhe këto shqetësime do t’i parashtrohen edhe kandidatëve për kryetar komunash gjatë debateve paraelektorale.

Këto raporte do t’i dorëzohen të gjithë kandidatëve për kryetar komunash, me qëllim që kandidatët të përfshijnë në programin e tyre zgjedhor edhe alternativat për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Në ditët ne vijim, GAP dhe BIRN do vazhdojnë publikimin e raporteve komunale edhe për komunat e regjionit të Pejës dhe Prishtinës.


Raportet e plota mund t"i lexoni këtu:

Komuna e Ferizajt

Komuna e Hanit te Elezit

Komuna e Kaçanikut

Komuna e Shtimes

Komuna e Shterpces