GAP dhe BIRN publikuan 4 raporte për problemet komunale në regjionin e Pejës

01/10/2013

Instituti GAP dhe BIRN kanë vazhduar me publikimin e raporteve hulumtuese mbi problemet më të mëdha infrastrukturore dhe të qeverisjes me të cilat përballen komunat e Kosovës në prag të zgjedhjeve lokale të 2013.

Sot, në Pejë janë publikuar edhe katër raporte për problemet kryesore dhe trendët afatmesme buxhetore të komunave: Pejë, Istog, Klinë, dhe Deçan.

Bekim Salihu, menaxher për qeverisje lokale në GAP, ka prezantuar të gjeturat kryesore të raporteve, duke u përqendruar në problemet të cilat GAP ka identifikuar gjatë hulumtimeve në terren. Në bazë të hulumtimeve, shqetësimet kryesore të banorëve të Komunës së Pejës janë: mungesa e objekteve shkollore, mungesa e rrjetit të kanalizimit në disa fshatra, prerja e pyjeve, mungesa e ujit të pijes, eksploatimi ilegal i zhavorrit nga lumenjtë, mungesa e Qendrave Mjekësore në fshatrat e Rugovës, hedhja e mbeturinave në lumin Çokalica, rruga e dëmtuar dhe e ngushtë ne relacionin Pejë – Tërstenik, derdhja e kanalizimeve në Lumbardh dhe mungesa e ndriçimit publik në disa zona.

Z. Salihu gjithashtu ka prezantuar disa nga problemet për komunat tjera të regjionit të Pejës. Disa prej problemeve kryesore në këto komuna janë: mungesa e ujit të pijes, ndotja e ambientit nga gurthyesit, mungesa e çerdheve, mungesa e nënkalimeve dhe urave, mungesa e sinjalizimit horizontal dhe vertikal të rrugëve, prerja e pyjeve, moszhvillimi i turizmit si dhe mbeturinat dhe deponitë ilegale.

Berat Thaqi, hulumtues në GAP, ka prezantuar trendët buxhetore për këto pesë komuna, të nxjerra nga Raportet Financiare dhe Kornizat Afatmesme Buxhetore 2014-2016. Përfshirja e KAB në raportet e GAP ka për qëllim informimin e qytetarëve për kapacitete buxhetore të komunës dhe ndërlidhjen e buxhetit me aftësitë e komunës për të zgjidhur problemet me të cilat përballen qytetarët.

Florent Spahia, hulumtues i BIRN për regjionin e Pejës, ka shpalosur planet e BIRN për debatet parazgjedhore me kandidatët për kryetar komunash, të cilët do të përballen me pyetje konkrete se si do ti zgjidhin problemet e identifikuara nga BIRN dhe GAP. Po ashtu, z. Spahia ka ftuar qytetarët që të gjitha shqetësimet e tyre t’i adresojnë përmes platformës www.kallxo.com dhe këto shqetësime do t’i parashtrohen edhe kandidatëve për kryetar komunash gjatë debateve paraelektorale.

Këto raporte do t’i dorëzohen të gjithë kandidatëve për kryetar komunash, me qëllim që kandidatët të përfshijnë në programin e tyre zgjedhor edhe alternativat për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Në ditët ne vijim, GAP dhe BIRN do vazhdojnë publikimin e raporteve komunale edhe për komunat e regjionit të Prishtinës.


Raportet e plota mund t"i lexoni këtu:

Komuna e Pejës

Komuna e Deçanit

Komuna e Istogut

Komuna e Klinës