GAP dhe BIRN publikuan 7 raportet për problemet komunale në regjionin e Prishtinës

03/10/2013

Instituti GAP dhe BIRN kanë përfunduar publikimin e raporteve hulumtuese mbi problemet më të mëdha infrastrukturore dhe të qeverisjes me të cilat përballen komunat e Kosovës në prag të zgjedhjeve lokale të 2013.

Sot, në Prishtinë janë publikuar edhe shtatë raportet e fundit për problemet kryesore dhe trendët afatmesme buxhetore të komunave: Prishtinë, Drenas, Fushë Kosovë, Lipjan, Graçanice, Obiliq, dhe Podujevë.

Agron Demi, drejtor ekzekutiv i GAP, ka prezantuar të gjeturat kryesore të raporteve, duke u përqendruar në problemet të cilat GAP ka identifikuar gjatë hulumtimeve në terren. Në bazë të hulumtimeve, shqetësimet kryesore të banorëve të Komunës së Prishtinës janë: problemet me regjistrimin (përkthimin) e pronave private, problemet në transportin urban, mungesa e ujit të pijes, ndërtimet pa leje dhe uzurpimi i hapësirave publike, mungesa e vend-parkingjeve për vetura, mungesa e çerdheve nëpër lagjet e qytetit, mungesa e gjelbërimit dhe parqeve dhe ndotja e ambientit, mungesa e fushave sportive dhe rekreative, mungesa e ndriçimit publik.

Z. Demi gjithashtu ka prezantuar disa nga problemet për komunat tjera të regjionit të Prishtinës. Disa prej problemeve kryesore në këto komuna janë: mungesa e rrjetit të ujësjellësit dhe ujit të pijes në komunën e Podujevës dhe Graçanicës, ndotja e ambientit në komunën e Obiliqit dhe Fushë Kosovës, ndotja e lumit “Sitnica” në komunën e Lipjanit, dhe vërshimet dhe ndotja e lumit “Drenica” në komunën e Drenasit.

Nga Z. Demi gjithashtu u prezantuan trendët buxhetore për këto shtatë komuna, të nxjerra nga Raportet Financiare dhe Kornizat Afatmesme Buxhetore 2014-2016. Përfshirja e KAB në raportet e GAP ka për qëllim informimin e qytetarëve për kapacitete buxhetore të komunës dhe ndërlidhjen e buxhetit me aftësitë e komunës për të zgjidhur problemet me të cilat përballen qytetarët.

Jeta Xharra, drejtoreshë ekzekutive e BIRN, ka shpalosur planet e BIRN për debatet parazgjedhore me kandidatët për kryetar komunash, të cilët do të përballen me pyetje konkrete se si do ti zgjidhin problemet e identifikuara nga BIRN dhe GAP. Po ashtu, Znj. Xharra ka ftuar qytetarët që të gjitha shqetësimet e tyre t’i adresojnë përmes platformës www.kallxo.com dhe këto shqetësime do t’i parashtrohen edhe kandidatëve për kryetar komunash gjatë debateve paraelektorale.

Këto raporte do t’i dorëzohen të gjithë kandidatëve për kryetar komunash, me qëllim që kandidatët të përfshijnë në programin e tyre zgjedhor edhe alternativat për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Gjatë konferencës gjithashtu u prezantuan disa të dhëna gjenerale rreth hulumtimeve për problemet kryesore komunale në Kosovë. Problemet më të shpeshta që janë hasur në komuna janë mungesa e ujit të pijes, problem ky i identifikuar në 27 komuna, menaxhimi i mbeturinave, i identifikuar në 24 komuna, probleme në shtretër të lumenjve, identifikuar në 21 komuna, dhe mungesa e kanalizimeve, identifikuar në 20 komuna. 


Problemet më të shpeshta të komunave


Raportet e plota mund t"i lexoni këtu:

Komuna e Prishtinës

Komuna e Podujevës

Komuna e Drenasit

 

Komuna e Fushë Kosovës

Komuna e Obiliqit

Komuna e Lipjanit

Komuna e Graçanicës