Instituti GAP diskuton për punën e inspektorateve në Kosovë

04/03/2014

Inspektoratet në Kosovë përballen me pengesa të shumta praktike, paqartësi ligjore, rrezikshmëri në punë dhe paqartësi kompetencash në mes institucioneve dhe nivelit qendror deh atij lokal

Instituti GAP sot organizoi një debat me përfaqësuesit e mbi 20 inspektorateve në Kosovë për të diskutuar zbatueshmërinë e ligjeve, rolin e inspektorateve dhe organizimin e tyre.

Visar Rushiti – analist politikash në Institutin GAP, prezantoi analizën mbi të gjeturat e një hulumtimi disa mujorë për problemet me të cilat përballen inspektoratet. z.Rushiti specifikoi konfliktet që dalin nga paqartësitë e kompetencave në mes të inspektorateve qendrore dhe inspektorateve në nivel lokal. Si problem i identifikuar në analizën e GAP ishte edhe mos efikasiteti i gjykatave, ku shumë lëndë të inspektorateve parashkruhen në pamundësi për tu zgjidhur nga gjykatat. Vetëm Komuna e Mitrovicës pret zgjidhjen e 3000 lëndëve të cilat nëpër vite i ka dërguar në gjykata. Po ashtu në bazë të prezantimit të z.Rushiti, baza ligjore është shumë e paqartë në shumë raste dhe gjatë analizës është trajtuar edhe modeli nëse puna e inspektorateve duhet të centralizohet në një agjencion shtetëror, ose të mbahet e tillë ashtu siç është tani. Në analizën e GAP identifikohen edhe kushtet jo të mira të punës së inspektorateve, pagesat e ulëta, numri i vogël i inspektorëve të angazhuar, etj.

Zenun Pajaziti – Kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, i informoi të pranishmit me Planin e Punës së Komisionit për 2014, ku parashihet edhe mbikëqyrja e punës së inspektorateve, në bashkëpunim me hulumtuesit e Institutit GAP.

Në debat kontribuan edhe përfaqësuesit e inspektorateve të nivelit qendror dhe atij lokal. Basri Ibrahimi – Kryeinspektor i Inspektoratit të Punës në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, përmendi problemin e numrit të ulët të inspektorëve të cilët nuk arrijnë të mbulojnë të gjitha bizneset dhe kërkoi nga institucionet vendimmarrëse që të rrisin numrin e inspektorëve.

Çerkin Dugolli nga Ministria e Infrastrukturës, Hysni Komani nga Inspektorati i Energjisë, Basri Ibrahimi nga Inspektorati i Punës dhe përfaqësues të inspektorateve tjera kritikuan përmbajtjen e Projektligjit për Inspektime, i cili është aprovuar në Qeveri më 27 dhjetor 2014. Sipas tyre, Projektligji për Inspektime vetëm e vështirëson punën e inspektorëve, ngase parasheh që inspektimet të bëhen me paralajmërim dhe me leje të gjykatës.

Xhelal Sveçla – Drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Prishtinës paraqiti problemin e paqartësisë ligjore, kompetencat e pakta të komunave, numrin e vogël të inspektorëve në Prishtinë si dhe kushtet jo të mira të punës me të cilat përballen inspektorët në Prishtinë. Z.Sveçla përmendi edhe rastet ku një arkitekt i diplomuar paguhet me koeficient 6 të pagës apo 280 euro në muaj.

Rekomandimet e debatit të sotshëm mbi punën e insepktorateve do ti dërgohen Kuvendit të Kosovës gjatë shqyrtimit të Projektligjit për Inspektimet.


Raportin e plotë mund ta lexoni në shqip këtu, në anglisht këtu, dhe në serbisht këtu.