Instituti GAP, në bashkëpunim me GLPS, organizoi tryezën me temë “Praktikat e Buxhetimit në Komunën e Prishtinës dhe Transparenca Buxhetore”

18/03/2014

Instituti GAP, në bashkëpunim me Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), organizoi sot tryezën e rrumbullakët me temë “Praktikat e Buxhetimit në Komunën e Prishtinës dhe Transparenca Buxhetore”.

Tryeza e rrumbullakët është vazhdimësi e projektit të Institutit GAP i cili për synim ka rritjen e performancës financiare të komunave duke rritur transparencën dhe përfshirjen e qytetarëve në procesin e buxhetimit. Gjithashtu, në këtë tryezë u prezantua analiza "Praktikat e Buxhetimit në Komunën e Prishtinës". Kjo analizë trajton aspekte të ndryshme të buxhetit të komunës si: trendet e të hyrave dhe shpenzimeve, dëgjimet publike sa i përket buxhetit, transparenca etj.

Analiza u prezantua nga Fisnik Korenica (GLPS),  ku pervec tjerash theksoi se në mungesë të Ligjit për Kryeqytetin e Prishtinës, Prishtina është e penalizuar sa i përket fondeve. Gjithashtu, ai prezantoi edhe gjetjet sa i përket transparencës në shpenzimin  e parasë publike gjatë periudhës 2010 – 2013 në  Komunën e Prishitnës.

Ndërsa kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti, paraqiti problemet të cilat komuna  e Prishtinës ka sa i përket zvogëlimit të buxhetit të Prishtinës, pas statistikave të reja të numrit të popullësisë, si dhe u pajtua se mungesa e Ligjit për Prishtinën e dëmton kryeqytetin. Të njejtit mendim ishin edhe asmbleistë komunal  nga pozita dhe opozita si dhë përfaqësues të shoqërisë civile dhe medias.

Sekretari i përgjithshëm i MAPL-së, z. Besnik Osamni, theksoi se  një ndër problemet më të mëdha sa i përket  hartimit të politikave në nivel lokal është cilësia e statistikave e cila është faktor i  rëndësishëm në procesin e buxhetimit.

Dhe së fundi, Berat Thaqi - hulumtues nga Instituti GAP, prezantoi platformën e cila synim ka rritjen e transparencës në shpenzimet publike si në nivel lokal dhe në atë qendror. Instituti GAP, në bashkëpunim me të gjitha komunat e Kosovës është duke e vendosur këtë platformë në ueb faqe të komunave, me qëllim që qytetarët të kenë qasje më të lehtë në shpenzimet e komunës. 

Analizën e plotë mund ta lexoni këtu