GAP dhe GLPS diskutuan për praktikat e buxhetimit dhe transparencën buxhetore në Komunën e Gjakovës

26/03/2014

Sot, nën organizim të Institutit GAP, në Gjakovë u mbajt debat lidhur me të gjeturat e raportit të GAP dhe Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) për praktikat e buxhetimit, diskutimet publike, llogaridhënien buxhetore dhe transparencën.

Berat Thaqi (GAP) prezantoi analizën e GAP dhe GLPS për praktikat e buxhetimit në Komunën e Gjakovës. Në bazë të kësaj analizë Komuna e Gjakovës nuk paraqiste ndonjë rast të veçantë sa i përket orientimit të shpenzimeve. Si problem me rëndësi sa i përket menaxhimit financiar ishte paraqitur mungesa e numrit të mjaftueshëm të auditorëve të brendshëm si dhe cilësia e raporteve të tyre. Gjithashtu, u pasqyrua mungesa e publikimit të raporteve lidhur me shpenzimet e Komunës së Gjakovës në periudhën 2010-2012. Në fund, u dhanë rekomandime lidhur me rritjen e përfshirjes së qytetarëve dhe grupeve të interesit në hartimin e buxhetit të komunës.

Mimoza Kusari – Lila, kryetare e Komunës së Gjakovës, ndër të tjera theksoi se Komuna e Gjakovës momentalisht po përballët me borxhe të mëdha të trashëguara nga udhëheqja e kaluar, të cilat arrijnë shumën në vlerë prej 5 milionë e 582 mijë euro. Ajo si shqetësim tjetër ngriti edhe mungesën e profesionalizimit të qeverisjes së kaluar sa i përket planifikimit të buxhetit i cili është bërë në vija të trasha.  Gjithashtu prezantoi edhe disa të gjetura të tjera të trashëguara si:  mungesën e transparencës në realizimin e projekteve kapitale, mungesën e investimeve në kanalizim dhe ujë të pijshëm si në fshatra dhe në qytet, shkelje ligjore në shfrytëzimin e pronës publike etj.

Teki Shala, Drejtor i Drejtorisë së Buxhetit dhe Financave në Komunën e Gjakovës, paraqiti të arriturat e Komunës së Gjakovës në tremujorin  e parë sa i përket të hyrave vetanake, të cilat kanë pasur rritje krahasuar me periudhën e njëjtë të viteve të kaluara. E tërë kjo është arritur duke pasur komunikim të drejtpërdrejt me qytetarët, duke i informuar mirë mbi dëmet që ju shkaktohen qytetarëve nga mospagesa e tatimit në pronë.  Ai gjithashtu njoftoi se në të ardhmen, si praktik e re në komunën e Gjakovës, do të futet mundësia e dhënies së shpërblimeve për ato lagje/ fshatra  që janë pagues të rregullt të tatimit në pronë , duke iu ofruar investime kapitale apo investime të tjera varësisht nga prioritet që qytetarët paraqesin.

Në debat kontribuuan edhe asamblistë të Kuvendit Komunal të Gjakovës të cilët shprehen shqetësimet mbi buxhetin e ulët të komunës në krahasim me kërkesat që kjo komunë ka.

Berat Thaqi (GAP) informoi të pranishmit me platformën e GAP “Si i Shpenzon Shteti Paret Tona?” në të cilën janë paraqitur shpenzimet buxhetore për secilën komunë, që nga viti 2010. Platforma e GAP për shpenzimet buxhetore tani më është ndërlidhur edhe me uebfaqet e  23 komunave. Komuna e Gjakovës ka qenë një ndër komunat e para të cilat kanë ndërlidhur platformën e GAP për shpenzimet buxhetore me uebfaqen zyrtare të Komunës së Gjakovës.

Debatet për praktikat e buxhetimit dhe transparencës buxhetore do të mbahen ditëve në vijim edhe në Komunën e Pejës dhe  Ferizajt.

Analizën e plotë mund ta lexoni këtu