GAP dhe GLPS diskutuan për praktikat e buxhetimit dhe transparencën buxhetore në Komunën e Ferizajt

01/04/2014

Institutit GAP mbajti debat lidhur me të gjeturat e raportit të GAP dhe Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) për praktikat e buxhetimit, diskutimet publike, llogaridhënien buxhetore dhe transparencën në Komunën e Ferizajt.

Berat Thaqi (GAP) prezantoi analizën e GAP dhe GLPS për praktikat e buxhetimit në Komunën e Ferizajt. Si problem me rëndësi sa i përket menaxhimit te Komunës së Ferizajt ka qenë mungesa e Planit Strategjik Zhvillimor, plan ky i cili do te shërbente si baze për buxhetin e Komunës. Ndërsa, sa i përket transparencës, gjatë periudhën 2010 -2012, edhe pse  nuk janë publikuar te gjitha raportet ne ueb faqe të komunës, Komuna e Ferizajt ne krahasim me komunat tjera ka publikuar një numër me te madhe te raporteve tre mujore financiare.  Në fund, u dhanë rekomandime lidhur me rritjen e përfshirjes së qytetarëve dhe grupeve të interesit në hartimin e buxhetit të komunës.


Muharrem Sfarqa, kryetar i  Komunës së Ferizajt, ndër të tjera theksoi se Komuna e Ferizajt si problem kyç  ka borxhin e trashëguar nga qeverisja e kaluar, në vlerë prej 3 milionë e 951 mijë e 074 euro. Ai kërkoi që Komunat të cilat kanë trashëguar borxhe dhe në të cilat ka qeverisje të re duhet të ndihmohen nga niveli qendror në momentin e rishikimit të buxhetit. Po ashtu problem tjetër i ngritur ishte edhe shkurtimi i linjës buxhetore për mallra dhe shërbime për 15 përqind, vendim ky i marrë nga ana e Qeverisë së Kosovës, si pasojë e kësaj komuna e Ferizajt ka bërë shkurtime në vlerë 249 mijë e 946 euro në programin e arsimit dhe shëndetësisë. Ndërsa, sa i përket mos pjesëmarrjes së qytetarëve në diskutimet për buxhet, gjatë mandatit të kaluar, ai theksoi se kjo ka ardhur si pasojë e mos informimit të drejtë të qytetarëve dhe mospërfilljes së kërkesave të tyre si dhe shpërndarjes së investimeve kapitale bazuar në orientime politike. Ai premtoi se gjatë mandatit të tij  do të  rris transparencën gjatë procesit të buxhetimit dhe do të gjejë mënyra për mos dështimin e tubimeve publike me qytetarë.


Në debat kontribuuan edhe asamblistë të Kuvendit Komunal të Ferizajt dhe përfaqësues të shoqërisë civile  të cilët shprehen shqetësimet mbi procedurat e prokurimit, planifikimin e investimeve  si dhe mbi mospjesëmarrjen e qytetarëve në dëgjime buxhetore.


Berat Thaqi (GAP) informoi të pranishmit me platformën e GAP “Si i Shpenzon Shteti Paret Tona?” në të cilën janë paraqitur shpenzimet buxhetore për secilën komunë, që nga viti 2010. Platforma e GAP për shpenzimet buxhetore tani më është ndërlidhur edhe me uebfaqet e  23 komunave. Edhe Komuna e Ferizajt ka qenë një ndër komunat e cila e ka përkrahur këtë nismë duke e ndërlidhur platformën e GAP për shpenzimet buxhetore me uebfaqen zyrtare të Komunës së Ferizajt. 


Analizën e plotë mund ta lexoni këtu