GAP prezantoi analizën për Ristrukturimin e Qeverisë

01/07/2014

Prishtinë, 1 korrik 2014 - Në një konferencë për media, sot Instituti për Studime të Avancuara GAP, ka prezantuar analizën me titull Ristrukturimi i Qeverisë - propozim për zvogëlim të posteve ministrore, për një Qeveri më pak të kushtueshme dhe më efikase. Prezantimin e kësaj analize e bëri Visar Rushiti - analist i politikave në Institutin GAP, kurse rekomandimet e analizës i prezantoi Agron Demi - drejtor ekzekutiv i Institutit GAP.

Në këtë analizë Instituti GAP ka prezantuar trendin e rritjes së ministrive në Qeverinë e Kosovës, shpenzimet financiare që janë shoqëruar me krijimin e posteve qeveritare si dhe mos efikasitetin e ministrive për shkak të paqartësive të kompetencave. Andaj, për të rritur efikasitetin e ministrive dhe për të kursyer buxhetin e shtetit, GAP ka rekomanduar integrimin e disa ministrive dhe shuarjen e disa të tjerave.

Prezantuesit e analizës shpjeguan koston e lartë financiare që bartë një qeveri kaq e madhe si kjo e Kosovës, e cila përveç Kryeministrit ka edhe pesë zëvendëskryeministra, 19 ministri, 39 zëvendësministra, dhe një staf të madh prej këshilltarësh politik e administrativ, asistentë, vozitës e truprojash. Përveç pagës, shpenzimet e tyre përfshijnë edhe mëditje, shpenzime për transport, dreka zyrtare, telefon e karburante.

Në këtë analizë Instituti GAP ka paraqitur trandin e rritjes së ministrive dhe zëvendësministrave që nga viti 2001 dhe ka argumentuar se si një qeveri me gjithsejtë 19 ministri dhe një ministër pa portofol, ka ndikuar negativisht edhe në performancën dhe efikasitetin e ministrive, që ka ardhur edhe si rezultat i mungesës së Ligjit për Qeverinë. 

Instituti GAP ka rekomanduar ristrukturimin e qeverisë në bazë të katër prioriteteve kryesore që duhet t"i ketë Kosova, e që janë: sundim i ligjit dhe administratë publike profesionale; ekonomia dhe punësimi; arsimi dhe shëndetësia; dhe, integrimet euroatlantike.

Andaj, në bazë të këtyre prioriteteve GAP ka prezantuar një model të ri të qeverisë që përfshinë këto rekomandime:


  • Të ulët numri i ministrive nga 19 në 13 ministri;

  • Të shkurtohet numri i zëvendëskryeministrave nga pesë në vetëm një zëvendëskryeministër;

  • Ministritë të kenë nga një zëvendësministër, përveç atyre që kanë disa resorë ku do të lejoheshin dy zëvendësministra;

  • Të integrohen Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Financave, dhe Ministria e Infrastrukturës në Ministrinë për Zhvillimin Ekonomik;


  • Të integrohet Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në Ministrinë e Administratës Publike;

  • Të shpërndahet Ministria e Diasporës në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë;

  • Të shuhet Ministria për Komunitete dhe Kthim.

Në këtë analizë Instituti GAP ka paraqitur në formë të detajuar strukturën organizative të këtyre ministrive dhe ka arsyetuar mënyrën se si këto ministri do të integroheshin në mes vete pa dëmtuar funksionimin e tyre dhe duke e shtuar efikasitetin. Përveç efikasitetit, këto shkurtime do të prodhonin edhe kursime buxhetore. Kështu, Instituti GAP vlerëson se më shuarjen e gjashtë ministrive, brenda një mandati katër vjeçar do të kurseheshin rreth 3.6 milion euro, dhe se shuarja e vetëm një posti të zëvendëskryeministrit do të kursente rreth 600 mijë euro.

 

Analizën e plotë mund ta lexoni duke klikuar këtu