Si e shpenzuan ministrat buxhetin e ndarë për dreka zyrtare 2013?

21/07/2014

Në bazë të udhëzimit administrativ nr.01/2008 mbi shpenzimet e reprezentacionit për zyrtarët e institucioneve të Qeverisë së Kosovës, janë përcaktuar kufizimet për shpenzimet mujore për zyrtarët qeveritarë, nga Kryeministri e deri tek drejtorët e departamenteve.

Në bazë të këtij udhëzimi, Kryeministri dhe zëvendëskryeministrat nuk kanë kufizime në reprezentacion. Kurse ministri ka të drejtë të shpenzoj deri në 500 euro në muaj, zëvendësministrat deri në 200 euro, këshilltarët politik deri 100 euro, shefat e kabineteve deri në 100 euro, e kështu me radhë.

Duke u bazuar në këtë udhëzim administrativ dhe duke marr parasysh se institucionet qeveritare nuk publikojnë asnjëherë të dhëna të detajuara për shpenzimet buxhetore, duke mos publikuar asnjëherë të dhëna për shpenzimet e reprezentacionit, Instituti GAP gjatë tre muajve të kaluar ka dërguar disa kërkesa në të gjitha institucionet qeveritare (ministri dhe Zyrën e Kryeministrit) për të pasur qasje në të dhënat e detajuara për shpenzimet e reprezentacionit.

Katër ministri nuk kanë pranuar që të përgjigjen në kërkesën për qasje në të dhënat e detajuara të shpenzimeve të reprezentacionit: Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Integrimeve Evropiane dhe Ministria e Drejtësisë. As Zyra e Kryeministrit nuk ka pranuar të bëjë publike shpenzimet e reprezentacionit të Kryeministrit dhe anëtarëve tjerë të kabinetit.

Të dhënat e grumbulluara nga 15 ministritë të cilat kanë pranuar t’i përgjigjen kërkesës për qasje në të dhëna publike, po i paraqesim në vijim përmes platformës “Si i shpenzon shteti paret tona?”. Disa ministri kanë pranuar të dërgojnë të dhëna vetëm për shpenzimet në baza mujore, por jo edhe për personat zyrtarë të cilët janë përgjegjës për ato shpenzime.

Siç mund të shihet nga të dhënat në këtë platformë, përkundër asaj se ministrat kanë një kufizim mujorë prej 500 euro, disa ministra e kanë tejkaluar shumëfish këtë kufizim. Në kërkesën tonë drejtuar institucioneve e kemi specifikuar qartë se kërkojmë qasje në të dhënat e shpenzimeve të reprezentacionit për ministrin dhe anëtarët e kabinetit të tij, dhe jo të dhënat për shpenzimet e ministrisë si tërësi. Andaj, të dhënat e paraqitura në këtë platformë nuk janë shpenzimet e ministrisë, por vetëm shpenzimet e ministrave dhe kabinetit të tyre.

Nga të dhënat për shpenzimet për reprezentacion, nga ato ministri të cilat kanë pranuar të publikojnë të dhënat, del se ministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) z.Ramë Buja ka shpenzuar më së shumti në krahasim me ministrat tjerë. Ai gjatë 2013 ka shpenzuar 14.075,10 euro. Pas tij radhiten ministri i Ministrisë së Administratës Publike (MAP) z.Mahir Jagcilar me 13.679,25 euro dhe ministri i MAPL z.Slobodan Petrovic me 13.465,40 euro të shpenzuara në dreka zyrtare.

Instituti GAP kërkon edhe nga katër ministritë tjera dhe Zyrës së Kryeministrit që të publikojnë të dhënat për shpenzimet e parave të taksapaguesve.


Klikoni KËTU për tu lidhur me platformën për shpenzimet buxhetore.