Si e shpenzuan ministritë buxhetin për karburant për vetura zyrtare më 2013?

30/07/2014

Një ndër vendimet e para të Qeverisë së Kosovës në janar të 2008 ishte edhe vënia rregull në përdorimin e automjeteve zyrtare dhe shpenzimet për karburante. Madje, për këtë qëllim u nxor edhe udhëzimi administrativ nr.03/2008 për përdorimin e automjeteve të Qeverisë së Kosovës.

Sipas këtij udhëzimi, vetëm Kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat, zëvendësministrat, sekretari i Përhershëm i ZKM dhe Shefi i Kabinetit të Kryeministrit, kanë të drejtë të përdorin automjetet zyrtare 24 orë. Të gjithë zyrtarëve tjerë u ndalohet përdorimi i automjetet jashtë orarit të punës.

Për të mbikëqyrur zbatueshmërinë e këtij udhëzimi, u krijua edhe Njësia për Monitorimin e Përdorimit të Automjeteve në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike. Sipas udhëzimit, kjo Njësi ka për qëllim që të mbaj një regjistër mbi përdorimin e automjeteve zyrtare nga të gjitha institucionet publike.

Mirëpo, kjo Njësi asnjëherë nuk ka pranuar të bëj publik regjistrin e përdorimit të automjeteve. Përkundër kërkesave të dërguara në adresë të MAP, nuk kanë pranuar të japin informata për numrin e automjeteve zyrtare dhe përdorimin e tyre. Madje, sipas bisedave me zyrtarë e kësaj ministrie, institucionet tjera nuk pranojnë që të dërgojnë të dhëna për monitorim tek kjo Njësi.

Instituti GAP, përgjatë disa muajve, ka dërguar kërkesa për qasje në të dhënat e shpenzimeve të automjeteve të anëtarëve të kabineteve ministrore. Përgjigjet e tyre i kemi publikuar në kuadër të platformës “Si i shpenzon shteti paret tona?”.

Nga kërkesat e dërguara tek Zyra e Kryeministrit dhe kabinetet e 19 ministrive, përgjigje nuk kanë ofruar Zyra e Kryeministrit, Ministria e Integrimeve Evropiane, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Drejtësisë.

Nga të dhënat e 14 ministrive tjera që janë përgjigjur, del se brenda vitit 2013 kabinetet e 14 ministrive kanë shpenzuar 290.033 euro. Kabineti i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ka shpenzuar më së shumti, apo 38.832 euro. Pas MPMS radhitet Ministria e Shëndetësisë me 28.839 euro, Ministria e Forcës së Sigurisë me 28.255 euro, Ministria e Administratës Publike me 27.257 euro, etj.

Ministri i cili ka shpenzuar më së shumti karburant për veturën e tij zyrtare është ministri i MFSK z.Agim Çeku me 14.246 euro të shpenzuara.  Pas tij vijnë ministri i MPMS z.Nenad Rasic me 13.532 euro të shpenzuara, ministri i MAP z.Mahir Yagcilar me 10.397 euro, etj.

Në rangun e zëvendësministrave, është zv.ministri i Ministrisë së Diasporës z.Nuredin Lushtaku ai i cili e mban vendin e parë me shpenzimet për karburante. Gjatë 2013 ai ka shpenzuar 8.510 euro (ministri Ibrahim Makolli ka shpenzuar 3.350 euro). Pas tij radhitet zëvendësministri i Ministrisë së Bujqësisë z.Jashar Çukiqi me 7.116 euro, zëvendësministri i MPMS z.Fatmir Shurdhaj me 6.428 euro, etj.

Tek këshilltarët politik, këshilltari në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim z.Milos Stankovic ka shpenzuar 6.118 euro. Pas tij radhitet këshilltarja në MAPL znj.Dragisa Krstovic me 5.533 euro, këshilltari në MAP z.Ergin Kala me 5.198 euro, etj.

Të dhënat e plota të shpenzimit të karburanteve për kabinetet e 14 ministrive mund ti shikoni duke klikuar KËTU.