Si e shpenzuan ministritë buxhetin për telefonat zyrtarë më 2013?

04/08/2014

Udhëzimi administrativ nr.04/2008 për përdorimin e telefonave (fiks dhe mobil) përcakton rregullat dhe kufizimet monetare të përdorimit të telefonave zyrtarë për të gjitha postet e larta politike.

Ky udhëzim administrative nuk i kufizon shpenzimet e telefonisë mobile për Kryeministrin, ndërsa zëvendëskryeministrave dhe ministrave u jep të drejtë të shpenzojnë deri në 250 euro në muaj për telefona mobil. Zëvendësministrat kanë të drejtë të shpenzojnë deri në 150 euro në muaj për telefoni mobile, ndërsa këshilltarëve politik u jepet e drejta që të shpenzojnë deri në 70 euro për mbushje të telefonit mobil në muaj.

Çdo zyrtar që tejkalon limitin e shpenzimeve mujore dhe shpenzimi i tejkaluar nuk është i bazuar në ndonjë aprovim të veçantë, atëherë shpenzimi mbi limitin e lejuar duhet të mbulohet nga vetë zyrtari.

Shpenzimet e telefonisë mobile dhe fikse, sipas personave përgjegjës për këto shpenzime, nuk publikohen asnjëherë. Instituti GAP disa muaj me radhë ka dërguar kërkesa për qasje në të dhënat e shpenzimeve të telefonisë mobile dhe ka arritur të marr përgjigje pozitive vetëm nga 14 ministri. Në kërkesën tonë nuk janë përgjigjur Zyra e Kryeministrit, Ministria e Integrimeve Evropiane, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Drejtësisë.

Me të dhënat e marra nga këto 14 ministri kemi publikuar shpenzimet e telefonisë mobile për vitin 2013 në platformën “Si i shpenzon shteti parat tona? ”.

Gjatë 2013, kabinetet e 14 ministrive në total kanë shpenzuar 128.313 euro për telefoni mobile (telefona roming dhe mbushje).

Primatin për shpenzimet më të larta të kësaj kategorie e mban kabineti i Ministrisë së Punëve të Brendshme me 15.920 euro, pasuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë me 12.610 euro, kurse Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë renditet e treta me 12.469 euro shpenzime vjetore.

Në radhën e ministrave prinë ministri i MFSK z.Agim Ceku me 6.005 euro shpenzime. Pas ti vijnë ish-ministrja e MTI znj.Mimoza Kusari-Lila me 3.890 euro, ministri i MMPH z.Dardan Gashi me 3.675 euro etj. Të tre këta ministri kanë tejkaluar limitin e shpenzimeve prej 3.000 euro në vit.

Nga radhët e zëvendësministrave, më së shumti ka shpenzuar zëvendësministri i MAP z.Nexhmedin Kastrati (MAP) me 2.708 euro të shpenzuara. I dyti radhitet zëvendësministri i MTI  z.Cuneyd Ustaibo, me 2.154 euro, kurse e treta është zëvendësministrja e MKK znj.Husnija Beskovic (MKK) me 1.893 euro.

Të dhënat e plota të shpenzimeve për telefoni mobile për kabinetet e 14 ministrive mund ti shikoni duke klikuar KËTU