Në këtë dokument, GAP dhe GSJP kanë paraqitur 102 hapa konkret të cilat duhet të ndërmerren nga Qeveria e ardhshme. Këta hapa apo objektiva bien në këto fusha prioritare për Kosovën: integrimi në BE, shteti ligjor, reformat politike dhe çështjet ekonomike.
Kjo platformë e organizatave të shoqërisë civile, si propozim për Qeverinë e re, u prezantua nga Dren Doli (GSJP) dhe Agron Demi (GAP).
Agron Demi nga Instituti GAP tregoi për arsyet e ndërmarrjes së një nisme të tillë, duke cekur se kjo është bërë pikërisht me qëllim që mos të lejohet që Qeveria e re të filloj mandatin pa një program qeverisës konkret. Programi i ri qeverisës do të duhej të jetë konkret dhe i matshëm.
Dren Doli nga GSJP përmendi disa nga prioritetet me të cilat do të duhej të merrej Qeveria e re si dhe disa nga hapat konkret që duhet përmbushur, sa i përket sundimit të ligjit, liberalizimit të vizave, zhvillimit ekonomik, etj.
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP) dhe Instituti GAP përpiqen të asistojnë në integrimin e Kosovës në Unionin Evropian. Ky proces kërkon përfshirjen e politikave që në mënyrë përkatëse pasqyrojnë standardet politike dhe ekonomike të BE-së si dhe rekomandimet e cekura në shumicën e raporteve të progresit të Komisionit Evropian për Kosovën. GSJP dhe GAP me anë të këtij dokumenti përpiqen të këshillojnë Qeverinë e Kosovës për prioritetet kyçe të cilat duhet të përfshihen në Planin e ardhshëm Strategjik. Në vend të paralelizmit të objektivave të përcaktuara në Raportin e Progresit, rekomandimet e GSJP dhe GAP përqendrohen vetëm në çështjet kyçe të integrimit të Kosovës në BE. Miratimi i masave të tilla në vetvete paraqet një numër sfidash të cilat kërkojnë që Qeveria e Kosovës të tregojë përkushtim në avancimin e politikave të cilat renditen me standardet e BE-së. Me qëllim të realizimit të këtyre qëllimeve, GSJP dhe GAP ofrojnë një listë prioritetesh kyçe për Qeverinë e Kosovës.
Në korrik 2014, Qeveria e Kosovës përmbylli negociatat për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA), duke shënuar kështu atë që do të njihet si marrëveshja e parë gjithëpërfshirëse me BE. MSA përqendrohet në një numër aspektesh, si përmirësimin e dialogut politik dhe format e reja të bashkëpunimit. Marrë parasysh zgjidhjen e bllokadës politike që ka penguar progresin drejt integrimit evropian, nënshkrimi i marrëveshjes së MSA është vendimtar që Kosova të vazhdojë menjëherë rrugën për integrim.
Plani Strategjik i Qeverisë duhet të prioritizojë çështjet kyçe që kanë të bëjnë me integrimin evropian, demokracinë dhe sundimin e ligjit, si dhe ato të aspektit politik dhe ekonomik. Këto çështje jo vetëm që duhet të inkorporohen përmes masave të nevojshme, por zbatimi i tyre duhet të garantohet përmes përcaktimit të objektivave konkrete. Për më tepër, treguesit e përdorur për matjen e suksesit dhe efektivitetit të këtyre synimeve duhet të jenë pjesë thelbësore e Planit Strategjik të Qeverisë.
Dokumentin e plotë mund ta lexoni duke klikuar këtu.