Njëmbëdhjetë vendimet e nevojshme të Qeverisë së re

16/12/2014

Me qëllim të kontrollit të shpenzimit të parasë publike nga anëtarët e kabinetit e ri qeveritar, GAP dhe GLPS kërkojnë nga Qeveria Mustafa të ndërmarrë njëmbëdhjetë vendime të menjëhershme

Instituti GAP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) shprehin  shqetësim e thellë me madhësinë e kabinetit qeveritarë. Qeveria e re, me tre zëvendëskryeministra, 21 ministra, mbi 50 zëvendësministra, 170 këshilltarë politik, dhjetëra nëpunës të kabineteve dhe shoferë, është e paarsyeshme dhe jashtëzakonisht e pa domosdoshme për qeverisjen e  mirë të Kosovës.

Në korrik të këtij viti GAP kishte propozuar që Qeveria e re të ketë vetëm 13 ministri. Për më tepër, GAP dhe GLPS, disa ditë para konstituimit të Kuvendit, prezantuan propozimin për planin e ri qeverisës, me ç’rast edhe një herë bënë thirrje që Qeveria e re të ketë numër më të vogël të ministrive dhe posteve tjera përcjellëse.

Një kabinet qeverie me numër më të vogël postesh ministrore ishte propozuar edhe gjatë fushatës zgjedhore nga partia e cila tash udhëheq me Qeverinë. Kjo Qeveri do të mbetet padyshim në mendjen e të gjithëve si qeveria më e madhe në historinë e Kosovës (të paktën gjer më tani).

Një numër kaq i madh i posteve ministrore, është jo i domosdoshëm dhe për më tepër, përbën barrë të madhe për buxhetin e Kosovës.

GAP dhe GLPS, duke vërejtur mungesën e dukshme të vullnetit nga ana e kryeministrit Isa Mustafa që të vendos një qeveri më të vogël me numër postesh ministrore, kërkojmë nga Qeveria e re që të paktën të ndërmarr masa për të vënë në kontroll dhe të bëj transparencën e nevojshme të shpenzimit të parasë publike dhe përdorimit të pasurisë publike nga ana e ministrave, zëvendësministrave, këshilltarëve politik dhe anëtarëve  tjerë të kabineteve ministrore.

Për të siguruar transparencë dhe kontroll mbi mënyrën e shpenzimit të parasë publike, kërkojmë nga Kryeministri Mustafa ndërmarrjen e këtyre hapave konkret, të cilat do të na lejojnë monitorimin e veprimtarisë së ministrave që ai udhëheq.

1.   Kryeministri të bëj publik vendimet për emërimin e të gjithë zëvendësministrave.

2.  Publikimin e vendimeve qeveritare për nivelin e pagës së  Kryeministrit, zëvendëskryeministrave, ministrave,     zëvendësministrave, këshilltarëve politik.

3.   Aprovimin e Projektligjit për Pagat e Zyrtarëve të Lartë Publik;

4.  Mbajtja dhe publikimi i Regjistrit Publik për Përdorimin e Automjeteve Zyrtare, ashtu siç kërkohet me Udhëzimin Administrativ 03/2008 për përdorimin e automjeteve zyrtare. Regjistri duhet të azhurnohet për çdo muaj dhe të dhënat publike duhet të përmbajnë: emrin e zyrtarit publik i cili ka përdorur automjetin zyrtarë, kilometrat e kaluara, sasinë e karburantit të shpenzuar, llojin e automjetit që përdor, targat e automjetit zyrtarë. Po ashtu, e tërë databaza për automjetet zyrtare, ashtu siç parashihet në nenin 14 të udhëzimit administrativ 03/2008, duhet të jetë publike.

5.    Ministria e Administratës Publike duhet të përfundojë projektin e filluar shumë vite më parë për të pajisur automjetet zyrtare me GPS. Të dhënat e grumbulluara përmes GPS duhet të jenë të qasshme për publikun, përmes Regjistrit të Përdorimit të Automjeteve Zyrtare.

6.  Më së largu deri më datën 15 të secilit muaj vijues, të publikohen të dhënat e detajuara për secilin ministër, zëvendësministër, këshilltar politik, zëvendëskryeministrat dhe Kryeministrin lidhur me shpenzimet e krijuara për telefoni mobile. Mbajtja e një regjistri të tillë është obligim që del nga neni 11 i Udhëzimit Administrativ 04/2008 për përdorimin e telefonave (fiks dhe mobil) në Qeverinë e Kosovës. Përveç, shpenzimet për telefoni mobile dhe atë fikse, Qeveria duhet të mbajë dhe publikojë edhe regjistrin e llojit të aparateve të telefonave mobil dhe çmimin e blerjes së tyre, ashtu siç parashihet me udhëzimin administrativ 04/2008.

7.   Më së largu deri me datën 15 të secilit muaj vijues, të publikohet regjistri i shpenzimeve për muajin paraprak për dreka zyrtare, për të gjithë personat politik që gëzojnë këtë të drejtë në bazë të nenin 5 të Udhëzimit Administrativ 01/2008 për Caktimin e Shpenzimeve të Reprezentacionit për Zyrtarët e Institucioneve të Qeverisë.

8.    Më së largu me datën 15 të secilit muaj vijues, Qeveria të bëjë publike regjistrin e shfrytëzimit të kartelave të kreditit nga ana e anëtarëve të kabinetit qeveritar. E njëjta duhet të jetë objekt i auditimit nga ana e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.

9.  Qeveria e Kosovës të dërgoj për aprovim Ligjin për Qeverinë, i cili kufizon numrin e posteve ministrore në 13, zëvendësministrat në 13-15, këshilltar politik në më së shumti 4 pozita për secilën ministri dhe një zëvendëskryeministër.

10.  Qeveria e Kosovës të bëjë publik Udhëzimin Administrativ për Tarifat për Mëditje të Udhëtimeve Jashtë Vendit. Për më tepër, Agjencia Kundër Korrupsion, në formularët e deklarimit të pasurisë, përveç pagës të kërkojë edhe deklarimin e mëditjeve për vitin paraprak.

11.  Qeveria e Kosovës duhet të mbajë një regjistër dhe ta bëjë atë publik për vizitat zyrtare të anëtarëve të qeverisë jashtë vendit. Ky regjistër duhet të përmbajë informata për qëllimin e vizitës, institucionet që do vizitohen dhe anëtarët në përbërje të delegacionit të Kosovës.

 

GLPS dhe GAP

Prishtinë, 16 dhjetor 2014