Kontrolli i përgjimit të komunikimeve elektronike në Kosovë: Neglizhimi i Privatësisë

20/01/2015

Gjatë shqyrtimit në parim të projektligjit 05/L-05 mbi përgjimin e komunikimeve elektronike, Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Kosovës i kthen Qeverisë këtë projektligj.

Instituti GAP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) kanë analizuar në vazhdimësi draftet e këtij ligji që nga drafti i parë shqyrtuar në Kuvend gjatë pjesës së parë të vitit 2013. Drafti i parë ishte miratuar në Qeveri më 03 dhjetor 2012 për tu diskutuar në Kuvend në pjesën e parë të vitit 2013, drafti i dytë ishte miratuar në Qeveri më 29 prill 2014, dhe i njëjti është miratuar edhe në Qeverinë e re më 19 dhjetor 2014. Instituti GAP dhe GLPS kanë dërguar vërejtjet për këtë projektligj, kanë marrë pjesë në grupin punues ku është kundërshtuar përmbajtja e projektligjit, dhe së fundi kanë shërbyer deputetët e Komisionit për Integrime Evropiane me komentet për draftin e fundit të projektligjit.

Përveç komenteve, Instituti GAP ka hartuar edhe një analizë që ka të bëjë më kontrollin e përgjimit të telekomunikimeve në Kosovë – neglizhimi i privatësisë.  Ky punim analizon çështjen e privatësisë nga katër aspekte: kontrolli gjyqësor i përgjimit të telekomunikimeve, kontrolli i brendshëm, mbikëqyrja parlamentare dhe kontrolli i mundshëm nga Institucioni i Avokatit të Popullit. Në mënyrë të përmbledhur, projektligji është në kundërshtim me të drejtën e privatësisë garantuar me Nenin 36 të Kushtetutës së Kosovës. Të gjeturat në këto katër aspekte përmendur me lartë janë: ekziston një kontroll shumë i decentralizuar dhe i dobët gjyqësor ndaj përgjimit të komunikimeve elektronike, kontroll i pamjaftueshëm i brendshëm, mbikëqyrje parlamentare e pamjaftueshme, dhe nuk ka ndonjë kontroll të mundshëm të procesit të përgjimeve nga Institucioni i Avokatit të Popullit.

Kontrolli gjyqësor është shumë i shpërndarë dhe i dobët për faktin se sipas Kodit të Procedurës Penale nuk është vetëm zyra e prokurorit të shtetit dhe gjykata supreme që autorizojnë përgjimin, por çdo prokuror dhe gjykatë të shpërndara në shtatë regjione dhe degë tjera në Kosovë. Kontrolli i brendshëm nuk është mirë i specifikuar, derisa mbikëqyrja parlamentare më shumë përfshinë mbikëqyrjen e përgjithshme të sektorit të sigurisë se sa mbikëqyrjen sa i përket përgjimit nga ana e Policisë së Kosovës dhe AKI-së. Sa i përket kontrollit të mundshëm nga Institucioni i Avokatit të Popullit, ky institucion nuk ka ndonjë marrëdhënie në këtë aspekt më Policinë apo AKI-në.

Projektligji për përgjimin e komunikimeve elektronike është i bazuar edhe në Direktivën 2006/24 të BE e cila më datë 8 prill 2014 është shfuqizuar nga Gjykata e Drejtësisë e BE-së. Më saktësisht, neni 5 i kësaj Direktive është përkthyer në nenin 12 të projektligjit për përgjimin e komunikimeve elektronike. Pastaj, ky projektligj nuk saktëson të gjitha institucionet e autorizuara për përgjim, pozitat në këto institucione që kanë të drejtë të kërkojnë përgjim, nuk përfillë procedurat e procesit të përgjimit, rolin e gjykatave, kohën e përgjimit, dhe shumë çështje tjera. Një prej pikave tjera të analizuara është edhe neni 4.6 që jep të drejtën AKI-së të ketë edhe njësinë ndërlidhëse, e cila vendoset edhe në operatorin e rrjetit. Sipas Rezolutës së BE-së mbi përgjimin ligjor të telekomunikimeve, njësitë ndërlidhëse vendosen në operatorin e rrjetit derisa institucioni që kryen përgjimin posedon vetëm qendrën monitoruese, si pika destinuese e transmetimit të përgjimit. 

Analizën e plotë mund ta lexoni këtu