GAP dhe GLPS prezantuan analizën "Neglizhimi i privatësisë: kontrolli i përgjimit të telekomunikimeve në Kosovë”

28/01/2015

Prishtinë, 28 janar 2015 – Instituti GAP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike organizuan tryezën me përfaqësues nga institucionet relevante me temën “Neglizhimi i privatësisë: kontrolli i përgjimit të telekomunikimeve në Kosovë”.

Pjesa e parë e konferencës i është kushtuar projektligjit për përgjimin e komunikimeve elektronike i cili nga Kuvendi i është kthyer Qeverisë për korrigjim, derisa në pjesën e dytë u prezantuar publikimi në fjalë.

Dren Doli (GLPS) moderoj tryezën dhe shpjegoj gjendjen aktuale të projektligjit për përgjimin e komunikimeve elektronike i cili do të hartohet nga fillimi në Ministrinë e Integrimit Evropian (MIE). Z. Doli njoftoj pjesëmarrësit në tryezë që Ministria e Integrimit Evropian ka kërkuar nga GAP dhe GLPS të jenë të përfshirë në grupin punues që do hartojë projektligjin për përgjimin e komunikimeve elektronike.

Visar Rushiti (GAP) prezantoj analizën mbi kontrollin në përgjithësi të përgjimit të telekomunikimeve në Kosovë, duke përfshirë edhe një historik të shkurtër të procesit të hartimit të draftit të parë dhe të dytë nga Qeveria të Projektligjit për përgjimin e komunikimeve elektronike. Aspektet të cilat janë shtjelluar në analizë dhe prezantuar në tryezë ishin: kontrolli shumë i decentralizuar gjyqësor, kontrolli i pamjaftueshëm i brendshëm, mbikëqyrja e pamjaftueshme parlamentare, dhe mundësia e kontrollit të përgjimit nga Institucioni i Avokatit të Popullit.

Novitet Nezaj (Ministria e Integrimit Evropian) sqaroj po ashtu procedurat që do të ndjekë tani Ministria në hartimin e projektligjit për përgjimin e komunikimeve elektronike. Me interes ishte fokusi i z. Nezaj lidhur me praktikat e vendeve tjera si ai i Francës, Gjermanisë, Italisë me ligjet për përgjimin e komunikimeve elektronike, dhe aspekti i mungesës së legjislacionit në nivel të BE-së lidhur me këtë çështje.

Ekrem Hoxha (Agjencioni Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare) shpjegoj disa pika me interes sa i përket tërë procesit të përgjimit të telekomunikimeve, rregulluar më Kodin e Procedurës Penale. Po ashtu, znj. Rrezarta Ajeti nga ky institucion përmendi disa elemente me rëndësi kryesisht fokusar në rregullimin e përgjimit nga Kodi I Procedurës Penale, dhe çështjen e Rregullores që pritet të miratohet në nivel të BE-së lidhur me ruajtjen e të dhënave. Kjo rregullore pritet të unifikojë procedurat në mes të vendeve anëtare sa i përket ruajtjes së të dhënave, meqë nuk është Direktivë, do të jetë e obligueshme për të gjitha shtetet anëtare të BE, dhe nuk do të ketë nevojë të transpozohet në legjislacion kombëtar.

Në diskutim kanë kontribuar edhe pjesëmarrës të tjerë të cilët kanë dhënë komente dhe argumente ligjore dhe praktike në procesin e kontrollit të përgjimit të komunikimeve elektronike.

Analizën e politikave që është prezantuar në tryezë mund ta gjeni KËTU.