Rregulli 61

27/01/2011

Instituti për Studime të Avancuara GAP, sot më 27 janar 2011, mbajti konferencën me titull “Ligjet e Pakos së Ahtisaarit – dy vite pas miratimit të tyre.”

Per te shikuar analizen e plote, klikoni ketu; 

Shkarko dokumentin:

Në këtë diskutim ishin prezent përfaqësues të shoqërisë civile, deputet të legjislaturës së III të Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësues së Zyrës Ndërkombëtare Civile.  

Qëllimi i konferencës ishte që të diskutohej për procedurat e miratimit të Ligjeve që rrjedhin nga Pakoja  Ahtisaarit si dhe përmbajtjen e tyre. 

Me këtë rast, Instituti GAP prezentoi analizën Rregulli 61 - Ligjet e Ahtisaarit - pasojat dhe mësimet e nxjerra nga miratimi i ligjeve në procedurë të përshpejtuar. Kjo analizë vë theksin në praktikën e shpeshtuar të shmangies nga Rregullorja e Punës së Kuvendit të Kosovës, duke u thirrur në rregullin 61 të Rregullores së vjetër të Kuvendit (2008) dhe tani në rregullin 84 të Rregullores së re (2010). Nga 205 ligjet e miratuara në Legjislaturën e III të Kuvendit të Kosovës, 52 ligje apo ¼ e tyre janë miratuar në procedurë të përshpejtuar, pa debat dhe pa përfshirje të shoqërisë civile dhe ekspertëve të pavarur. Ajo që është edhe më shqetësuese, edhe procesi i miratimit dhe ndryshimit të këtyre ligjeve po bëhet në të njëjtën procedurë.

Andaj, Instituti GAP bën thirrje që Kuvendi i Kosovës mos t’i shmanget Rregullores së tij të Punës, Ligjet e Pakos së Ahtisaarit që do të miratohen këtë vit dhe ligjet që kanë nevojë për ndryshime , të miratohen dhe të ndryshohen në procedura normale ligjvënëse dhe Zyra Civile Ndërkombëtare (ZCN) të lejoj proces të hapur.

Përfaqësuesi i Zyrës Ligjore të ZCN, z.Sameer Saran, informoi të pranishmit në konferencë se pas miratimit të grupit të parë të ligjeve, në mes periudhës 17 shkurt – 16 dhjetor 2008, ZCN nuk ka ndikuar asnjëherë që ligjet e Pakos Ahtisaari të mos të jenë të hapura për publik. Ai gjithashtu mbajti qëndrim se ZCN nuk ka asgjë kundër ndryshimit dhe plotësimit të këtyre ligjeve dhe kërkon që ato të ndryshohen dhe plotësohen në procedurë normale.

Përfaqësuesit e legjislaturës së III të Kuvendit të Kosovës, z.Ibrahim Makolli dhe z.Hydajet Hyseni, shpjeguan procesin e miratimit të këtyre ligjeve në Kuvend dhe pakënaqësitë e tyre lidhur me këtë mënyrë të miratimit të ligjeve. Mirëpo, për shkak të nevojës së kohës, ato ligje do të duhej të miratoheshin në atë mënyrë. Qëndrimi i përfaqësuesve të Kuvendit ishte që legjislatura e IV, e cila pritet të konstituohet së shpejti, nuk do të duhej që të shmang procesin e rregullt ligjvënës, si dhe duhet të hap debat për Ligjet e Pakos së Ahtisaarit.