Qeveria i kërkon dividendën PTK-së dhe i thotë jo operatorit të tretë të telefonisë mobile

13/05/2010

Brenda dy viteve, përmes dy vendimeve të ndryshme, Qeveria i kërkon PTK-së dividendën në vlerë prej 280 milion euro.


Me hyrjen në fuqi të Ligjit për Ndërmarrjet Publike, Qeveria e Republikës së Kosovës u bë ushtrues i ligjshëm i të drejtave të aksionarit në Ndërmarrjen Publike 'PTK” sh.a. dhe që atëherë gëzon të drejtën që të kërkojë nga kjo ndërmarrje deklarimin dhe pagesën e dividendës për aksionarin. Një vendim i tillë është marrë vitin e kaluar, më 14 korrik 2009, kur Qeveria e Kosovës kërkoi nga PTK të paguajë dividendën në shumë prej 200 milion euro. Një pagesë e tillë i është kërkuar PTK-së edhe në mbledhjen e 124-të të Qeverisë, të mbajtur më 13 maj 2010, në shumën prej 80 milion euro. Pos kësaj shume, kjo ndërmarrje publike urdhërohet të ngrijë në mënyrë gjithëpërfshirëse nivelin e pagave dhe të punësimit të punonjësve të rinj dhe të mos vazhdojë ose përtërijë kontratat ekzistuese të punës përtej datës 31 dhjetor 2010. Krahas këtij vendimi, PTK-së i kërkohet që të mos zbatojë asnjë projekt kapital ose shpenzim të ri, i cili nuk është paraparë në planin e biznesit të aprovuar nga aksionari - Qeveria. Për zbatimin e këtij vendimi, përgjegjës do të jetë Ministri i Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave në rolin e Kryesuesit të Komisionit Ndër-Ministror për Ndërmarrjet Publike.

 

Në po këtë mbledhje, Qeveria e Kosovës i ka rekomanduar Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit (ART) që të mos jap licencë për operatorin e tretë të telefonisë mobile në Kosovë për pesë vitet e ardhshme. Një rekomandim i tillë është dhënë pas konstatimit të Qeverisë se futja e një operatori të tretë në tregun kosovar do ta ulte ndjeshëm dhe në mas të madhe vlerën e PTK-së dhe do të ndikonte ndjeshëm në procesin e  pjesëmarrjes së sektorit privat në PTK. ART është njoftuar vetëm përmes medieve rreth këtij rekomandimi, kurse edhe pas dhjetë ditëve ajo nuk ka pranuar zyrtarisht nga Qeveria këtë rekomandim. Megjithatë, vendimi për futjen e operatorit të tretë përfundimisht është nën kompetencat e ART-së, kompetencë të cilën ia siguron Ligji për Telekomunikacionin që e konsideron ART-në si trup të pavarur që i raporton Kuvendit. Sipas zyrtarëve të saj, ART mbetet me qëndrimin se konkurrenca rezulton në përmirësimin e shërbimeve për konsumatorin.