Me ligjin e ri parashihet shkurtimi i afatit ligjor për përgjigjen e institucioneve në kërkesat për qasje në dokumente publike
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e saj të 13 majit, ka miratuar Projektligjin për Qasje në Dokumente Publike, i cili pas miratimit në Kuvendin e Kosovës do të zëvendësojë Ligjin për Qasje në Dokumente Zyrtare, i cili është në fuqi nga viti 2003. Ndryshimi i emërtimit nga 'dokumente zyrtare” në 'dokumente publike” nuk ka ndonjë ndikim në përmbajtje, ngase që në hyrje të projektligjit thuhet se 'dokument publik nënkupton dokument zyrtar”. Përmbajtja e projektligjit nuk parashihet që të ndryshoj në masë të madhe nga përmbajtja e ligjit aktual në fuqi. Ndryshimi më i rëndësishëm që parashihet të bëhet është shkurtimi i kohëzgjatjes për përgjigje në kërkesat për qasje në dokumente publike nga 15 ditë pune sa është tani, në 15 ditë, duke llogaritur edhe ditët kur nuk punohet. Kjo nënkupton se përgjigja pritet të jepet për 4-6 ditë më shpejt. Gjithashtu, parashihet të shkurtohet edhe afati kohor për përgjigje të autoriteteve publike ndaj kërkesave konfirmuese, i cili nga 15 ditë punë do të ulet vetëm në 7 ditë.
Pjesa tjetër e projektligjit në masë të madhe përsërit atë që vetëm është në fuqi. Problemi me Ligjin për Qasje në Dokumente Zyrtare, i cili është në fuqi që nga 2003, nuk ka qenë përmbajtja e tij por zbatueshmëria. Andaj, zëvendësimi i ligjit aktual me një ligj të ri, të riemërtuar, nuk është zgjidhja për problemin e qasjes në dokumente zyrtare (publike).