Plani i Veprimit për negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit

02/04/2013 Shkruan Visar Rushiti

Plani i Veprimit për negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit në mes të Kosovës dhe BE-së përmban shumë objektiva dhe kosto që tejkalojnë parashikimet e realizueshmërisë së tyre

Publikuar në gazetën "Zeri", 1 prill 2013.
Në fund të dhjetorit 2012, Qeveria e Kosovës miratoi Planin e Veprimit për negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA) në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Plani është voluminoz dhe përmban pjesën narrative dhe pjesën tabelare ku listohen një numër i madh i objektivave dhe aktiviteteve për arritjen e atyre objektivave. Këto pritet t’i realizojnë të gjitha institucionet e përfshira në arritjen e objektivave të cilat së fundi janë adresuar nga Raporti i Studimit të Fizibilitetit për Kosovën. Hartimi i Planit të Veprimit për negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit është hap pozitiv, por numri i madh i aktiviteteve për t’u përmbushur gjatë vitit 2013 dhe kosto e tyre e bëjnë këtë Plan vështirë të realizueshëm. Të gjithë ato mangësi e sfida që me vite janë përcaktuar të adresohen nga institucionet qeverisëse në Kosovë, me përjashtim të ndonjë objektivi, janë përcaktuar të realizohen kryesisht brenda vitit 2013. 

Se Plani është mjaft ambicioz dhe afat shkurtër, po japim disa shembuj të vendeve të regjionit mbi kohën që kanë shpenzuar ato nga momenti i nisjes së negociatave për MSA-në e deri të nënshkrimi i saj.  Ky proces ka zgjatur nga tri vite për Shqipërinë, Bosnje Hercegovinën dhe Serbinë. Shqipëria kishte filluar negociatat për MSA-në në janar 2003 dhe e nënshkroi atë në qershor 2006. Hyrja në fuqi e MSA-s i morri Shqipërisë edhe tri vite tjera kohë kur MSA, pas ratifikimit nga shtetet anëtare të BE-së, hyri në fuqi në fillim të prillit 2009. Bosnje e Hercegovina filloj negociatat për MSA-në në nëntor 2005 dhe e nënshkroi atë në qershor 2008. Nëse marrim një analogji me rastin e Kosovës, studimi i fizibilitetit për Bosnje dhe Hercegovinën ishte publikuar në nëntor 2003, dhe vendi filloj negociatat për nënshkrimin e MSA-së, vetëm pas dy viteve, me 2005. Serbia filloj negociatatat për MSA-në në tetor 2005 dhe e nënshkroj marrëveshjen me 2008. 

Ndryshe nga sa thuhet në Plan të Veprimit se Kosova do të fillojë negociatat për MSA-në ngase Këshilli i Bashkimit Evropian në konkluzionet e tij të dhjetorit 2012 ka konfirmuar këtë, konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian përcaktojnë që nëse Kosova arrin progres konkret në fushat si sundimi i ligjit, administrata publike, mbrojtja e minoriteteve dhe çështjet e tregtisë, atëherë Këshilli i BE-së mund të konkludoj që Kosova është e gatshme të nisë negocimin e MSA-së. Për më tepër, në këto konkluzione precizohet se Këshilli do të vendosë gjatë pranverës së vitit 2013 bazuar në një raport që do të përpilohet nga Komisioni Evropian dhe Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton, dhe pastaj do të miratojë direktivat për negocimin e MSA-së me Kosovën. 

Bazuar në rrethanat e qeverisjes në Kosovë, realizimi i tyre brenda një viti është shumë i vështirë, për të mos thënë i pamundur. Për të qenë më praktik, po përmend vetëm disa prej objektivave të listuara në fillim të planit: 1) të përfundohet reforma zgjedhore, 2) të forcohet kapaciteti administrativ dhe legjislativ i Kuvendit, 3) të përmirësohet koordinimi dhe planifikimi i përbashkët mes Kuvendit dhe Qeverisë, 4) Kuvendi të forcojë funksionin mbikëqyrës ndaj ekzekutivit dhe të sigurohet llogaridhënie, 5) shqyrtim i shpenzimeve të buxhetit gjatë vitit fiskal. Megjithëse nuk kanë kosto financiare, këto katër objektiva madhore është e pamundshme të përmbushen në tremujorin e fundit të vitit 2013 ashtu siç është përcaktuar me Plan të Veprimit. Këto sfida ekzistojnë me vite në Kosovë dhe zgjidhja e tyre po ashtu kërkon vite. Nëse e shohim pjesën tek Administrata publike, përkatësisht implementimin e politikave për reformën e administratës publike, ky objektiv sipas Planit të Veprimit do të përmbushet në tremujorin e fundit të vitit 2013 me një buxhet të përcaktuar mbi 10 milion euro. E kundërta e kësaj del nëse shihet Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2013-2015. Për zbatimin e strategjisë për reformën e administratës publike dhe planit të veprimit të kësaj strategjie, dhe nxjerrjen e akteve nënligjore që dalin nga reforma, Korniza Afatmesme e Shpenzime ka paraparë jo më shumë se 1.5 milion euro. Kjo bie edhe në kundërshtim me Vendimin 10/110 të dhjetorit 2012 kur  Qeveria e Kosovës miratoi Planin e Veprimit për negocimin e MSA-së. Pika 2 e këtij vendimi përcakton që buxheti për zbatimin e këtij plani duhet të jetë në pajtim me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve. 

Nëse e shohim koston e përgjithshme të këtij Plani, shihet se përmbushja e tij do të jetë edhe më e vështirë. Në Plan janë cekur se mbi 500 milion euro ndahen nga Buxheti i Kosovës, mbi 76 milion nga donatorët, dhe mbi 80 milion janë identifikuar si zbrazëtirë, duke lënë të kuptohet se këto para ende nuk janë siguruar. Edhe sikur të pajtoheshim se Qeveria ka ndarë mjetet dhe të gjitha organizatat buxhetore të përfshira në realizmin e objektivave kanë kërkuar dhe iu është ndarë ai buxhet, sigurimi i mbi 76 milion euro nga donatorët është i paqartë. Kush janë ata donatorë? Përveç kësaj, si do të sigurohen edhe mbi 80 milion euro të cilat figurojnë si zbrazëtirë në Planin e Veprimit? Lista e gjatë e aktiviteteve konform objektivave shumë të mëdha dhe kosto e tyre janë dy arsyet kryesore që Plani i Veprimit të jetë i pa arritshëm gjatë vitit 2013. 

Procesi i negocimit të MSA-së në mes të Kosovës dhe BE-së është një proces shumë me rëndësi sa i përket rrugëtimit të Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Nënshkrimi i MSA-së paraqet përfundimin e Procesit të Stabilizim Asocimit i lansuar për vendet e Evropës Juglindore në Maj 1999. Të gjitha vendet e regjionit e kanë nënshkruar MSA-së dhe si rrjedhojë kanë marrëdhënie kontraktuale më BE-në. Kroacia dhe Maqedonia janë vendet e para të Ballkanit Perëndimor që e nënshkruan MSA-në në vitin 2001, pasuar nga Shqipëria më 2003, Mali i Zi më 2007 dhe Serbia më 2008. Për dallim nga këto vende ku marrëveshja të cilën e nënshkruajnë me BE-në quhet zyrtarisht Marrëveshje e Stabilizim Asocimit (MSA), marrëveshja që nënshkruan vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore zyrtarisht quhej Marrëveshje Asocimi apo Marrëveshje Evropiane. Madje, të gjitha këto vende e përmbyllën këtë proces brenda një periudhe shumë të shkurtër, përkatësisht 1991-1997. Anëtarësimi i dhjetë vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore më 2004 duke e rritur numrin e anëtarëve të BE-së në 25, shënon zgjerimin e pestë dhe më të gjerë deri më tani të Bashkimit Evropian. Me anëtarësimin e Bulgarisë dhe Rumanisë më 2007, Bashkimi Evropian numëron 27 anëtarë duke shënuar edhe zgjerimin e gjashtë dhe të fundit deri më tani. Zgjerimi i shtatë i BE-së pritet të ndodhë me 1 korrik 2013 kur pritet anëtarësimi i Kroacisë në BE. Duke qenë me status të vendit kandidat apo kandidat potencial për integrim në BE, mbetet të shihet se kur vendet si Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Serbia, dhe Kosova do të integrohen në Bashkimin Evropian. 

“Autori është Analist politikash në Institutin për Studime të Avancuara GAP. Qëndrimet e shprehura në këtë shkrim janë të autorit dhe jo domosdo reflektojnë edhe qëndrimet e institutit ku ai është i angazhuar.”
Loading Facebook comments ...

OpinioneArkiva

Jo më “Qeveri kineze”

07.07.2014 Shkruan Agron Demi

Dhjetë këshilla të Ukshin Hotit për shqiptarët

10.02.2014 Shkruan Bekim Salihu