Kosova nga Samiti i Selanikut deri te shpallja e pavarësisë

01/07/2013 Shkruan Visar Rushiti

“Përveç problemeve të qeverisjes në Kosovë, jo uniteti në mes të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, si para ashtu edhe pas pavarësisë, e ka penguar Kosovën në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian”

Publikuar në Gazetën `Zëri`, 1 korrik 2013.

Viti 2013 shënon një dekadë prej kur Bashkimi Evropian kishte konfirmuar perspektivën evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor. Fjala është për Samitin e Selanikut i mbajtur gjatë Presidencës Greke të Bashkimit Evropian më 2003. Edhe pse procesi i stabilizim asocimit për Ballkanin Perëndimor ishte lansuar në Maj 1999, Samiti i Selanikut 2003 merret si takimi kur BE kishte konfirmuar perspektivën evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor. Nëse e krahasojmë me vendet e regjionit pas dhjetë viteve të Samitit të Selanikut, Kosova për shkaqe të ndryshme nuk ka bërë përparim të madh në rrugën e saj të integrimit Evropian. Qëllimi i këtij artikulli është të cek disa nga periudhat se si është trajtuar Kosova nga BE prej Samitit të Selanikut 2003 deri te shpallja e pavarësisë së Kosovës në shkurt 2008.

Në bazë të dokumenteve apo konkluzioneve të Samitit të Selanikut 2003, por edhe Samiteve të Feira-s dhe Zagreb-it në vitin 2000, Kosova nuk është adresuar si e vetme në asnjë fjali. Madje, në samitin e mbajtur në Zagreb në vitin 2000, “Zagrebi-5” ishte nocioni me të cilën BE i referohej vendeve të regjionit të Ballkanit Perëndimor, duke aluduar në: Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Maqedoni, Kroaci, dhe Republika Federale e Jugosllavisë (në këtë të fundit llogariteshin Serbia dhe Mali i Zi, e me gjasë edhe Kosova). Përveç konfirmimit të perspektivës evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor, Samiti i Selanikut kishte zgjeruar procesin e stabilizim-asocimit duke propozuar instrumentin e Partneritetit Evropian në kuadër të tij. Megjithatë, instrumenti i Partneritetit Evropian publikuar një vit më vonë më 2004, i referohej Kosovës sipas Rezolutës 1244 qoftë në kuadër të Serbisë e Malit të Zi, qoftë vetëm në kuadër të Serbisë. Prandaj, si në rastin e parë tek konkluzionet e samiteve 2000-2003, si në rastin e dytë me Partneritetin Evropian më 2004, Kosova nuk ishte trajtuar si e vetme edhe pse e definuar sipas Rezolutës 1244. Madje, bazuar në një vendim të Këshillit të BE-së të një dite pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, BE kishte miratuar parimet, prioritetet dhe kushtet e Partneritetit Evropian me Serbinë duke e përfshirë edhe Kosovën definuar sipas Rezolutës 1244. Nga kjo mund të thuhet se përveç shumë problemeve të brendshme me qeverisjen në Kosovë, adresimi i tillë i Kosovës nga BE e ka penguar vetë BE-në që të ketë një politikë më kohezive ndaj Kosovës dhe e ka penguar Kosovën në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.

Më tej, nëse e shohim qasjen e BE-së ndaj Kosovës dhe pa dallim të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, të paktën deri më 2004, dy konceptet kyçe që e kanë karakterizuar atë janë perspektiva evropiane e regjionit dhe instrumenti i partneritetit evropian. Por, çka adresohej saktë me perspektivë evropiane, dhe çka me partneritet evropian? Perspektivë evropiane nuk ka pasur gjithmonë kuptimin e perspektivës për “integrim” evropian. Nëse e kishte kuptimin e perspektivës për integrim evropian, atëherë pse nuk është shkruar asnjëherë perspektivë për integrim evropian? Për më shumë, sikurse procesi i stabilizim-asocimit që ishte ndërtuar mbi një perspektivë të mjegullt evropiane, ashtu edhe instrumenti i Partneritetit Evropian nuk ishte partneritet në kuptimin e vërtetë të fjalës si partneritet i barabartë, por i njëanshëm, didaktik dhe aspak nuk prejudikonte integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sa për ilustrim, para Samitit të Selanikut 2003, Komisioni Evropian kishte propozuar që instrumenti i Partneritetit Evropian të quhej Partneritet për “Integrim” Evropian, por, kjo nuk kishte ndodhur pasi fjala “Integrim” ishte hequr në fund të samitit.

Ndryshimet në qasje të BE-së ndaj Kosovës por edhe në përgjithësi ndaj Ballkanit Perëndimor kanë filluar pas pranverës së vitit 2004. Ndryshimi më domethënës në këtë kohë ishte kalimi i Procesit të Stabilizim Asocimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim. Kjo kishte një rëndësi të madhe duke pasur parasysh që Kosova dhe i tërë Ballkani Perëndimor kaloj nga një çështje vetëm e politikës së jashtme dhe të stabilizimit, në atë të zgjerimit, dhe nga një çështje e jashtme në të brendshme. Si rezultat i kësaj, nga konkluzionet e Këshillit Evropian të nxjerra gjatë Presidencës së BE-së mbajtur në Bruksel në qershor 2005, ishte nxjerrë një “Deklaratë mbi Kosovën” me të cilën bëhej thirrje për hapjen e procesit për definimin e statusit të Kosovës. Por, pika 10 e kësaj deklarate theksonte se Kosova do të vazhdojë të ketë nevojë për prezencën ushtarake dhe civile. Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri Javier Solana dhe Komisioneri për zgjerim në atë kohë Olli Rehn, ishin të mandatuarit e BE-së për gjetjen e një forme mbi rolin dhe kontributin e BE-së në Kosovë. Në raportin e dytë të përbashkët, ata kishin deklaruar se BE do të mund të marrë përgjegjësitë në fushën e sundimit të ligjit dhe në bazë të këtij rekomandimi, BE mori vendimin për lansimin e një ekipi i cili do të bënte përgatitjet për një mision të kësaj fushe në Kosovë duke përfshirë edhe komponentin e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian. Këtu edhe ka fillimin përgatitja dhe plani i BE-së për Misionin e Sundimit të Ligjit në Kosovë, EULEX dhe Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë, apo siç njihet sot Zyra e BE-së/Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë.

Megjithëse ka pasur hezitime nga ana e BE-së, përkatësisht të Këshillit Evropian dhe Këshillit të Bashkimit Evropian për vetë hapjen e procesit për definimin e statusit të Kosovës, kjo ishte kapërcyer dhe në fillim të 2007, ish Presidenti i Finlandës Martti Ahtisaari finalizoj Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës. Me propozimin e këtij dokumenti, pjesa që quhet më supranacionale e BE-së, Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian, ishin dakord me të gjeturat apo me përmbajtjen e raportit. Parlamenti Evropian kishte afirmuar argumentin e “realiteteve të reja” derisa edhe Komisioni Evropian pajtohej me këtë. Mirëpo, ndryshe nga ky qëndrim, në qershor 2007 Këshilli Evropian kishte deklaruar se e mbështetë Propozimin Gjithëpërfshirës por ishte i mendimit se ky propozim paraqiste vetëm bazën për zgjidhjen e statusit të Kosovës përmes një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Duke qenë në këtë situatë, Presidenti i sapo zgjedhur i Francës Nikolas Sarkozy në një takim në Heiligendamn, Gjermani, propozoj edhe 120 dite negociata në mes të Kosovës dhe Serbisë të cilat do të udhëhiqeshin nga treshja e përbërë prej Frank Wiesner (ShBA), Alexander Botsan-Karchenko (Rusi) dhe Wolfgang Ischinger (BE). Siç dihet, as kjo periudhë e negociatave nuk solli ndonjë rezultat dhe në dhjetor 2007, të tre përfaqësuesit kishin deklaruar në raportin e përbashkët se ka qenë e pamundur që palët të arrijnë një marrëveshje mbi statusin final të Kosovës. Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008 dhe pas një muaji ishte njohur nga 16 shtete të Bashkimit Evropian. Ndërsa, disa ditë më herët, përkatësisht më 4 shkurt 2008, Këshilli i BE-së morri dy vendime për Kosovën, njëri për emërimin e Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë dhe tjetri për lansimin e Misionit të Sundimit të Ligjit në Kosovë, EULEX. Duke mos pasur një qëndrim unik të të gjithë shteteve anëtare të BE-së mbi njohjen e pavarësisë së Kosovës, Këshilli i BE-së e kishte lënë këtë çështje në kompetencë të secilit shtet anëtar që të vendoste mbi relacionet me Kosovën sipas praktikave nacionale të secilit shtet dhe sipas të drejtës ndërkombëtare.

Loading Facebook comments ...

OpinioneArkiva

Jo më “Qeveri kineze”

07.07.2014 Shkruan Agron Demi

Dhjetë këshilla të Ukshin Hotit për shqiptarët

10.02.2014 Shkruan Bekim Salihu