Instituti GAP prezanton për punën e inspektorateve në dëgjimin publik të organizuar nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri

26/03/2014

Me ftesë të Komisionit, Instituti GAP ka prezantuar në dëgjimin publik mbi punën e inspektorateve në nivel qendror, rolin e tyre në mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve, organizimin dhe funksionimin e tyre.

Ditë më parë Instituti GAP ka publikuar një raport mbi inspektoratet në Kosovë, organizimi dhe funksionimi i tyre, i cili ishte diskutuar në formë të draftit në konferencën e mbajtur më 4 Mars 2014 më përfaqësues të të gjitha inspektorateve në Kosovë.

Prezantimi i sotëm në dëgjimin publik të organizuar nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri kishte në fokus përfundimet e analizës së GAP mbi inspektoratet, rekomandimet për Komisionin, dhe Inspektoratet që bien nën fushat e Komisionit, si: Inspektorati i tregut, Inspektorati i energjisë, Inspektorati i infrastrukturës, Inspektorati i minierave. Të pranishëm në dëgjimin publik ishin edhe përfaqësues nga këto inspektorate të cilët mbështetën përfundimet dhe rekomandimet e Institutit GAP për Komisionin në fjalë.

Në nivel qendror funksionojnë 20 inspektorate dhe janë përgjegjës për zbatimin e rreth 140 ligjeve në Kosovë. Në mungesë të një akti unik juridik për themelimin e tyre, të gjithë inspektoratet kanë bazën e vet ligjore, ku disa janë të themeluara me ligje, disa me udhëzime administrative, dhe disa me vendime. Si rezultat i kësaj, të gjitha inspektoratet kanë forma dhe organizime të ndryshme dhe në përgjithësi nuk ka një hierarki institucionale dhe organizative për inspektoratet, ku disa funksionojnë si Drejtori, Trupa Ekzekutiv, Divizione dhe Zyra.

Në vazhdim, Instituti GAP theksoi edhe dy përfundime me rëndësi, të cilat edhe u mbështetën nga përfaqësuesit e Inspektorateve:  1) Projektligji për Inspektime i dërguar në Kuvend në fillim të vitit 2014 është i panevojshëm dhe nuk do të ketë ndonjë efekt pozitiv në punën e inspektorateve, dhe 2) ekziston një përzierje të kompetencave në mes të disa inspektorateve në nivel qendror dhe lokal, përkatësisht inspektorëve të tregut dhe atyre sanitar.

Prezantimi në këtë dëgjim publik, por edhe e tërë puna e Instituti GAP rreth inspektorateve u vlerësua pozitivisht nga Komisioni në fjalë. Në bazë të të dhënave ofruar nga Instituti GAP, Komisioni do të zhvillojë edhe aktivietete tjera rreth inspektorateve, e në vecanti ndaj atyre inspektorateve që bien në fushat e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri.

Në vazhdim, Instituti ofroi këto rekomandime për Komisionin në fjalë:

·     Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri të kërkoj nga Ministritë që mbikëqyrë, Ministria për Zhvillim Ekonomik, Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë raporte të veçanta për punën e inspektorateve dhe nivelin e zbatimit të ligjeve për të cilat kujdesen inspektoratet e tyre

·         Komisioni të ftojë në takime të ndara udhëheqësit e inspektorateve që mbulon Komisioni për të raportuar për punën dhe vështirësitë e tyre në përmbushjen e detyrave të tyre në funksion të zbatimit të ligjeve në Kosovë;

·         Komisioni të ftojë nivelin politik (Ministrat) për të shtuar presionin që Ministritë të kujdesen më shumë në mbështetjen e inspektorateve në punën për zbatimin e ligjeve;

·         Komisioni në bazë të këtyre të dhënave, duke përfshirë edhe raportin e GAP, të hartojë një raport me të gjeturat, duke përfshirë edhe rekomandime për të ngritur nivelin e zbatimit të ligjeve, dhe ky raport të diskutohet në seancë plenare;

·         Komisioni për Zhvillim Ekonomik të kërkoj nga Komisioni për Legjislacion t’ia kthejë Qeverisë Projektligjin për Inspektime ngase nuk ka ndonjë efekt pozitiv në punën inspektuese të inspektorateve në Kosovë;

·         Komisioni ti rekomandojë Kuvendit që të kërkojë nga Qeveria hartimin e ligjit për Inspektoratet si një bazë unike ligjore për të gjitha inspektoratet në Kosovë, siç ishte përcaktuar edhe me programin legjislativ 2013;

Analizën e plotë “ Inspektoratet në Kosovë: organizimi dhe funksionimi” mund ta lexoni Këtu