?>

Ministria e Punës zbaton rekomandimin e Institutit GAP për subvencionimin e pagave

14/11/2016

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës ka filluar projektin për t"i subvencionuar pagat e rreth 500 shfrytëzuesve të asistencës sociale. Sipas këtij plani, Ministria do të ndajë një buxhet përmes së cilit do të paguhet gjysma e pagës së një punëtori (rreth 130 euro), kurse pjesa tjetër (130-170 euro) do të paguhet nga firma e cila e punëson atë. Projekti do të zgjat nga janari 2017 deri në janar 2018, që nënkupton se përfituesit e këtij projekti do të jenë në marrëdhënie pune të rregullt për të paktën një vit.

Subvencionimi i pagave është një ndër rekomandimet e Institutit GAP, i cili në analizën me titull "Vlerësimi i Strategjisë së Punësimit: nevoja për një strategji konkrete", të publikuar në dhjetor 2013, pat rekomanduar një politikë të tillë. Në këtë analizë është sugjeruar që me qëllim të rritjes së vendeve të reja të punës "Qeveria e Kosovës, sikurse ajo e Shqipërisë dhe e Maqedonisë, duhet të vendosë marrëdhënie kontraktuale me punëdhënës për ta rritur numrin e punëtorëve. Kjo bëhet duke ndarë një grant në kuadër të pakos stimuluese që ka për qëllim rritjen e numrit të punëtorëve tek firmat shumë të vogla, të vogla dhe të mesme."

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i familjeve që merrnin ndihmë sociale në shtator 2016 ishte 26,345, ndërkaq gjithsej numri i punëkërkuesve të regjistruar në mars 2016 ishte 127,378. Projekti i qeverisë për subvencionim të pagave përveç se mund të ndikojë në uljen e numrit të shfrytëzuesve të asistencës sociale, do të ndikonte edhe në uljen e përqindjes së shkallës së popullsisë në moshë pune e që është joaktive, e cila në vitin 2015 arrinte shifrën në 62.4%.   

Analizën e plotë mund ta lexoni Këtu.