Nuk ka para për sundim të ligjit: si ndikon procesi buxhetor në pavarsinë e gjyqësorit?

28/06/2019

Sot, Instituti GAP publikoi raportin “ Nuk ka para për sundim të ligjit: si ndikon procesi buxhetor në pavarsinë e gjyqësorit?”. Duke analizuar procesin e buxhetimit për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, studimi synon të nxjerr në pah nëse qeveria mund të ndërhyjë në autonominë e tyre përmes mjeteve buxhetore.

Ky raport argumenton se procesi aktual i buxhetimit mund të vë në rrezik pavarësinë dhe efektivitetin e institucioneve gjyqësore dhe prokuroriale. Disa nga problemet e identifikuara në procesin e ndarjeve buxhetore përfshijnë mungesën e kohës dhe resurseve profesionale të Kuvendit të Kosovës për të shqyrtuar në hollësi kërkesat buxhetore, si dhe mungesën e të dhënave me kohë dhe të kritereve për ndarjet buxhetore. Mungesa e dëgjimeve të rregullta buxhetore me Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial si dhe mungesa e të dhënave të krahasueshme me vendet e tjera janë disa nga arsyet që mund të çojnë në kapacitete të kufizuara buxhetore të KGJK-së dhe KPK-së për të përmbushur efektivisht misionet e tyre. Në këtë raport nuk është gjetur ndonjë dëshmi se partitë politike në pushtet qëllimisht kanë dashur të ndërhynin në pavarësinë e sistemit gjyqësor, por as Ministria e Financave, e as Kuvendi i Kosovës nuk kanë mundur të ofrojnë arsyetime se përse i kanë refuzuar kërkesat buxhetore të KGJK-së dhe KPK-së.Procesi i buxhetimit për këto dy institucione është analizuar edhe kundrejt rekomandimeve të Këshillit të Evropës.

Raporti ofronnjë numër rekomandimeshse si të përmirësohet procesi buxhetor për gjyqësorin. Siç rekomandohet nga Këshilli i Evropës, përfshirja e KGJKsë dhe KPKsë gjatë ndarjeve buxhetore duhet të jetë e detyrueshme dhe të sigurohet me ligj. Kuvendi i Kosovës duhet të përdorë pika referuese dhe të sigurojë argumente transparente për publikun kur mbështet ose refuzon kërkesat buxhetore të KGJK-së dhe KPK-së. Ligji për ndarjet buxhetore duhet të dorëzohet në Kuvendin e Kosovës të paktën tre muaj përpara fillimit të vitit fiskal, në mënyrë që komisioneve tu jepet më shumë kohë për vlerësimin e kërkesave buxhetore.

Ky studim është përgatitur si pjesë e Programit të Bursave ENGAGE II së bashku me Centre for European Policy Studies (CEPS) në Bruksel.

Raportin  e plotë mund ta gjeni duke klikuar këtu.