Analizë e shkurtër mbi mospërputhjen e arsimit dhe profesionit në Kosovë

21/04/2020

Në  Kosovë ekziston një hendek në mes të nevojave të tregut të punës dhe të kuadrove që dalin nga institucionet arsimore. Si pasojë, numri i individëve që përballen me mos përputhshmëri mes arsimimit dhe profesionit është tepër i madh.Disa nga faktorët që mund të kenë ndikim në mospërputhje janë gjinia, mosha, statusimartesor, vendbanimi, etnia, fusha dhe niveli i arsimit, si dhe vetë industria e profesionit.

Në këtë raport, Instituti GAP tregon se 54% e të anketuarve përballen me mospërputhje midis fushës arsimore dhe profesionit, ku prej tyre 61% janë burra dhe 39% gra. Tri fushat universitare prej të cilave të diplomuarit kanë më së shumti mospërputhje janë programe të përgjithshme (88%), shkencat ekzakte (76%) dhe bujqësi dhe veterinari (78%). Kurse, fushat me më së paku mospërputhje janë edukimi (13%) dhe shëndetësi e mirëqenie (17%).

Në anën tjetër industritë ku punëtorët kanë më së shumti mospërputhje janë industria e bujqësisë, pylltarisë dhe peshkimit (62%), e ndërtimtarisë (83%), e tregtisë me shumicë dhe pakicë dhe riparime automjetesh dhe motoçikletash (77%), dhe shërbimeve tjera (69%), ndërsa me më së paku mospërputhje është arsimi (9%).

Për më tepër, ky studim synon t’i përgjigjet pyetjes se çka shkakton mospërputhjen e lartëpërmendur. Nga kjo del se gjinia është një ndër përcaktuesit kryesor, ku nëse individi është grua, ajo do të ketë mesatarisht më pak mospërputhje se sa një burrë. Megjithatë, kjo nuk vlenë për gratë që kanë ndjekur fusha arsimore si drejtësi dhe inxhinieri, ose punojnë në industri si  bujqësi, prodhim, dhe tregti, ku mospërputhja është më e madhe.

Dallimet gjinore në fushat arsimore dhe industri të përzgjedhura mund të jenë edhe si rezultat i stereotipeve që vërehen edhe në vende të tjera, ku burrat për dallim prej grave punësohen në industritë më produktive të ekonomisë, dhe se burrat dhe gratë ndjekin fusha arsimore historikisht të dominuara nga ta – burrat në inxhinieri, e gratë në edukim dhe shëndetësi.

Raportin e plotë mund ta gjeni duke klikuar këtu.