Mospërputhja e arsimit dhe profesionit në Kosovë

23/09/2020

Instituti GAP sot mbajti takim virtual ku u diskutua mbi temën “Mospërputhja e arsimit dhe profesionit në Kosovë”.  Në këtë diskutim morën pjesë përfaqësues të ndryshëm të sektorit publik, privat, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile. 

GAP, në muajin prill, ka publikuar një analizë mbi mospërputhjen e perceptuar të qytetarëve të Kosovës në mes fushës së tyre të arsimit dhe asaj të punës. Kjo analizë shtjellon faktorët kryesor të krijimit të kësaj mospërputhjeje, si dhe analizon strukturën e punësimit dhe shkollimit në Kosovë në bazë të dallimeve gjinore.

Të gjeturat kryesore të kësaj analize tregojnë se gratë në Kosovë të cilat kanë studiuar fusha të caktuara si shkenca ekzakte apo inxhinieri e kanë më të vështirë të gjejnë punë të përshtatshme për profilin e tyre se sa burrat që studiojnë në po të njejtat fusha.

Valbona Fetiu Mjeku, nga MASHT, pohoi se sistemi arsimor prodhon studentë të aftë, mirëpo ekonomia e Kosovës e ka të pamundur t’i përfshijë të gjithë në treg të punës apo në punë të përshtatshme. Znj. Fetiu - Mjeku shpjegoi se si shkollat profesionale ofrojnë një alternativë e cila i përgadit studentet për treg të punës dhe iu jep aftësi praktike që do të mund ta zvogëlonin këtë lloj mospërputhje.

Anyla Beqa, hulumtuese e pavarur mbi çështjet lidhur me stereotipet gjinore, tregoi se si gjatë shkollimit bazik, vajzat vlerësojnë veten si më pak të afta në fusha si matematikë se sa djemtë, edhe pse në realitet tregojnë sukses më të lartë në po ato fusha. Ajo e quan këtë kërcënim nga stereotipet të themeluara qysh më herët në kulturë. 

Në diskutim kontribuuan edhe ekpsertë tjerë të kësaj fushe të cilët theksuan se nxënësit duhet të informohen mirë para së të përzgjedhin fushën e studimit duke u bazuar në atë se çfarë ofron edhe tregu i punës në Kosovë. 

Raportin e plotë mund ta gjeni duke klikuar këtu.