15 vjet përpjekje për aprovimin e Ligjit për Qeverinë

07/03/2022

Sot, Instituti GAP ka publikuar raportin “15 vjet përpjekje për aprovimin e Ligjit për Qeverinë.” Që nga viti 2008, Projektligji për qeverinë është miratuar tri herë në qeveri dhe dy herë është shqyrtuar nga Kuvendi i Kosovës, por asnjëherë nuk është shndërruar në ligj. Përpjekjet e qeverive të ndryshme për aprovimin e një ligji të veçantë për qeverinë kanë të bëjnë me formulimin në nenin 92.2 të Kushtetutës së Kosovës që thotë se “Qeveria e Kosovës ushtron pushtetin ekzekutiv në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin”, si dhe me presionin e vazhdueshëm të shoqërisë civile për të kufizuar numrin e ministrive.

Në këtë raport, Instituti GAP ka paraqitur edhe një historik të shkurtër të përpjekjeve për aprovimin e Ligjit për qeverinë, përmbajtjen e projektligjeve të deritanishme, si dhe dilemat ligjore në përcaktimin e numrit të posteve ministrore me ligj.

Projektligji për qeverinë, i cili u aprovua në fund të vitit 2021 dhe u dërgua në Kuvend, në masë të madhe është përsëritës i Rregullores për përgjegjësitë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive, si dhe i Kushtetutës së Kosovës. Risia e vetme që është përfshirë në draftin aktual të Projektligjit është inkorporimi i obligimeve që dalin nga Ligji për Barazi Gjinore, dhe përfaqësimi i barabartë i grave dhe burrave në postet ministrore. Në qeverinë aktuale, gratë udhëheqin me 33% të ministrive si dhe mbajnë 23% të posteve të zëvendësministreve.

Në këtë raport Instituti GAP ka dhënë disa rekomandime sa i përket shqyrtimit të Projektligjit në Kuvend. Mes tjerash, GAP rekomandon që të shtohen edhe pika të tjera të cilat obligojnë qeverinë që para se të themelojë një ministri të re, të hartojë një memorandum shpjegues për arsyet dhe përfitimet që mund t’i sjell shoqërisë themelimi i një ministrie të re; të bëjë një vlerësim të ndikimit financiar, duke përfshirë në mënyrë të detajuar numrin e zëvendësministrave, këshilltarëve politik dhe stafit tjetër të kabinetit sikurse numri i shërbyesve civil, kostot e pagave dhe shpenzimet tjera; të shpjegojë hapësirën e punës ku do të operojë dhe relacionin me ministritë tjera. Përveç kësaj, para vendimit përfundimtar, qeveria të mbajë dëgjime publike me shoqërinë civile, si dhe të paraqes argumentet zyrtarisht para komisionit parlamentar funksional që do të mbikëqyr punën e ministrisë së re.

Raportin e plotë mund ta gjeni duke klikuar këtu.

Raporti në gjuhen serbe është i disponueshem në formë të printuar.

 

Projekti "Inovacioni për mediat e qëndrueshme dhe angazhimin qytetar" i financuar nga BE, implementohet nga: Kosovo 2.0 dhe Instituti GAP.

Ky publikim është botuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Institutit GAP dhe Kosovo 2.0 dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

#institutigap #k2.0 #eu