Konfiskimi dhe sekuestrimi i pasurisë së jashtëligjshme

22/09/2022

Sot, Instituti GAP publikoi raportin “Konfiskimi dhe sekuestrimi i pasurisë së jashtëligjshme: praktikat ndërkombëtare dhe vendore”.


Konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të jashtëligshme përmes aktiviteteve kriminale ka qenë dhe mbetet sfidë e madhe për institucionet e Kosovës. Përmes këtij raporti, Instituti GAP ka analizuar bazën ligjore dhe rolin e institucioneve përgjegjëse në Kosovë që merren me konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurisë së jashtëligjshme, nismat e reja ligjore të Qeverisë së Kosovës, praktikat ndërkombëtare dhe format më të mira të destinimit të mjeteve të gjeneruara nga shitja e aseteve të jashtëligjshme.

Me qëllim që të përmirësohet efektiviteti i institucioneve në luftën kundër dukurisë së përfitimeve të jashtëligjshme, Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për themelimin e Byrosë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikushme. Ky Projektligj ka për qëllim lehtësimin e gjurmimit, ngrirjen, sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve të jashtëligjshme. Megjithatë, Komisioni i Venecias, në qershor 2022, ka konstatuar të meta serioze në këtë Projektligj, i cili në rast se miratohet do të përbënte rrezik për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të drejta këto të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe konventat ndërkombëtare.

Nisur nga gjetjet e këtij punimi, Instituti GAP rekomandon që Qeveria e Kosovës të tërheq nga procedurat parlamentare Projektligjin e votuar tashmë në parim për krijimin e Byrosë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe çështjen e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë ta avancojë duke ndërhyrë në legjislacionin aktual dhe duke rritur efikasitetin dhe koordinimin institucional. Respektimi i parimit të ‘prezumimit të pafajësisë’ duhet të jetë prioritet për Qeverinë, në mënyrë që pala të mos shpallet e fajshme deri sa të provohet fajësia në bazë të ligjit.

Institucionet ligj-zbatuese të Kosovës, në fokus duhet të kenë modelet nga praktikat ndërkombëtare të konfiskimit, që si synim kanë pronën e jo individin, duke i mundësuar kështu autoriteteve kompetente konfiskimin e pronës apo fondeve pa ndonjë vendim penal dhe duke ruajtur vlerën e tyre.


Në anën tjetër është shumë e rëndësishme që fondi i konfiskimit të funksionalizohet sa më parë, përmes të cilit do të definohet qartë se ku shkojnë mjetet e konfiskuara dhe sa është vlera e tyre, si dhe duhet shtyrë përpara krijimi i një fondi të koncentruar për të gjitha institucionet që merren me çështjen e konfiskimit dhe sekuestrimit të pasurisë, meqë deri më tani në rast të ndonjë aksioni në terren secili institucion paguan ndaras.               

Raportin e plotë mund ta gjeni duke klikuar KËTU.