Sot, Instituti GAP publikoi analizën “Investimet përmes Partneritetit Publiko-Privat (PPP) në Kosovë dhe rruga përpara”.
Partneritetet Publiko-Private (PPP) janë marrëveshje kontraktuale në mes të sektorit publik dhe privat për të ofruar një shërbim publik. Në Kosovë, aktualisht janë vetëm pesë projekte aktive si PPP (tri në fazë të operimit), vlera e planifikuar investive e të cilave është gjithsej 133 milionë euro. Kjo shumë, nëse analizohet si përqindje e Bruto Produktit Vendor (BPV), është rreth 1.37%, e që është shumë më e ulët krahasuar me vendet e rajonit. Nga projektet aktive, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” është projekti më i madh, me vlerë prej mbi 100 milionë euro investime të planfikuara, dhe mbi 143 milionë euro të hyra për shtetin e Kosovës deri në vitin 2023 nga tarifa koncesionare e këtij projekti.
Aktualisht, në Departamentin për PPP në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve janë 23 kërkesa aktive për të filluar partneritete publiko-private në proces të shqyrtimit, ku numri më i madh i tyre është nga komunat. Nga aspekti ligjor, PPP-të në Kosovë janë të rregulluara me Ligjin për partneritetet publiko-private të miratuar në vitin 2011. Megjithatë, një projektligj i ri për PPP-të është finalizuar në vitin 2019, mirëpo ka mbetur pa u dërguar në Kuvend. Ky projektligj ka për qëllim të lehtësojë procedurat burokratike për PPP-të si dhe të harmonizojë legjislacionin me atë të BE-së.
Ndonëse numri i projekteteve me PPP është i vogël në Kosovë, ka një potencial në sektorë të caktuar për zhvillimin e partneriteteve të tilla. Në sektorin e minierave, investimet do të ndihmonin në kërkimin, zhvillimin dhe shfrytëzimin e burimeve minerare, ndërsa në sektorin e energjisë së ripërtëritshme, do të kontribuonin në diversifikimin e burimeve të energjisë, kështu duke e përmirësuar sigurinë e furnizimit dhe reduktuar varësinë nga burimet tradicionale të prodhimit si qymyri. Lidhur me këto, Instituti GAP ndër të tjera, rekomandon që të bëhet shqyrtimi dhe aprovimi i projektligjit të ri për PPP-të në Kuvend, identifikimi i aseteve strategjike të vendit që kanë potencial për investime përmes PPP, orientimi i PPP-ve drejt burimeve të ripërtëritshme për prodhimin e energjisë, etj. Por, njëkohësisht me këto, do të duhej të bëhej edhe forcimi i mekanizmave mbikëqyrës të PPP dhe rritja e transparencës, në mënyrë që të arrihet ndikimi i synuar.
Analizën e plotë mund ta gjeni duke klikuar këtu.