Kush ndikohet nga rritja e pagës minimale në vitin 2026?

28/01/2026

Instituti GAP ka publikuar analizën e shkurtër “Kush ndikohet nga rritja e pagës minimale në vitin 2026?”, e cila trajton ndikimin ekonomik të vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen graduale të pagës minimale gjatë vitit 2026.

Analiza vlerëson se kostoja shtesë për bizneset nga kjo rritje e pagës minimale në dy faza në vitin 2026 do të jetë mbi 85 milionë euro, që përfaqëson rreth 2% të faturës totale të pagave në ekonomi.  Nga kjo rritje pritet të përfitojnë drejtpërdrejt mbi 130 mijë punëtorë me orar të plotë, që përbëjnë rreth 36% të të gjithë të punësuarve me orar të plotë në Kosovë. Përveç tyre, të prekur nga kjo masë do të jenë edhe punëtorët me orar të pjesshëm.

Sektorët më të ndikuar nga kjo rritje përfshijnë industrinë e ushqimit dhe pijeve, tregtinë me pakicë, etj., ku përqendrimi i punëtorëve me paga më të ulëta është më i lartë.

Mosha mesatare e punëtorëve që përfitojnë nga rritja e pagës minimale është 37 vjeç, që tregon se përfituesit kryesorë janë punëtorët e moshës së mesme, të cilët, pavarësisht përvojës në tregun e punës, ende marrin paga në nivelin minimal. Nga aspekti gjinor, burrat përbëjnë shumicën e përfituesve, me 59% në fazën e parë dhe 56% në fazën e dytë të rritjes, ndërsa gratë përfaqësojnë përkatësisht 41% dhe 44% të përfituesve.

Analiza ekonometrike e realizuar nga GAP nuk gjen evidencë të fortë statistikore për një ndikim të ndjeshëm negativ të rritjes së pagës minimale në punësim. Megjithatë, në përputhje me literaturën ndërkombëtare, theksohen rreziqe potenciale për të rinjtë dhe punëtorët me më pak shkathtësi, pasi një pagë minimale më e lartë mund të rrisë barrierat për hyrje në tregun e punës.

Instituti GAP rekomandon që vendimet për rritjen e mëtejshme të pagës minimale të shoqërohen me analiza të thelluara të ndikimit ekonomik që bazohen në anketa të përditësuara në nivel individual. Kjo për të vlerësuar më saktë efektin në punësim, por edhe për të matur nëse dallohen ndryshime në cilësinë e kushteve të punës, rritjen e numrit të kontratave me orar të pjesshëm, ndikimin më të saktë të rritjes së pagës minimale në çmime, etj. Po ashtu, të zhvillohen konsultime të gjera me palët e interesit, veçanërisht me bizneset në sektorët që punësojnë më shumë punëtorë me pagë minimale.

Raportin e plotë mund ta gjeni KËTU.