Instituti GAP publikon analizën “Rishikimi Strategjik i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës”

13/09/2013

Kjo analizë është shkruar nga Profesor John DeRosa në cilësinë e bashkëpunëtorit jo-rezident në fushën e politikave publike.

Analizen e plotë mund ta lexoni këtu:
Shkarko dokumentin:

Instituti GAP publikoi analizën “Rishikimi Strategjik i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës” shkruar nga Profesor John DeRosa në cilësinë e bashkëpunëtorit jo-rezident në fushën e politikave publike.

Synimi kryesor i këtij rishikimi është nxitja e diskutimeve mbi vendimet që ndërlidhen me interesat vitale të Kosovës, mënyrën se si ato mund të mbrohen më së miri dhe resurset që janë të nevojshme në këtë drejtim. Ky dokument ofron një analizë të pavarur mbi atë se si do të duhej të duken forcat e armatosura të Kosovës, respektivisht një pasqyrim objektiv mbi interesat shtetërore vitale, kërcënimet rajonale dhe zgjedhjet strategjike për mundësitë dhe kapacitetet e forcave të armatosura të Kosovës në të ardhmen.

Në këtë analizë, interesi shtetëror vital përkufizohet si një gjendje (situatë) e qëndrueshme, rrezikimi i së cilës cenon ekzistimin e Kosovës dhe mirëqenien e qytetarëve të saj. Strategjia e mbrojtjes duhet të dizajnohet në atë mënyrë që forcat e armatosura të Kosovës të jenë të mjaftueshme dhe të kenë kapacitetet adekuate për të siguruar dhe mbrojtur këto interesa. Gjatë zhvillimit të kësaj analize janë identifikuar këto interesa shtetërore:

  • Pavarësia dhe integriteti territorial
  • Kushtet që mundësojnë stabilitet ekonomik
  • Konsolidimi i shtetit demokratik
  • Siguria dhe stabiliteti i rajonit

Çështjet tjera të cilat janë parashtruar gjatë procesit të rishikimit përfshijnë edhe atë se cilat janë kërcënimet kryesore ndaj interesave shtetërore? Në përgjithësi kërcënimet kryesore janë të natyrës politike-ekonomike, kriminale-terroriste dhe mjedisore. Nga aspekti politik, kërcënimi më i madh i sigurisë për Kosovën, mbetet pretendimi territorial i Serbisë ndaj Kosovës, i etabluar në kushtetutën e vendit. Gjendja e vështirë ekonomike vazhdon të jetë një faktor tjetër që kërcënon sigurinë në Kosovë. Gjithashtu krimi i organizuar ndërkombëtar, ekstremizmi i dhunshëm dhe kërcënimet e natyrës mjedisore mund të kenë pasoja të konsiderueshme në interesat shtetërore të Kosovës.

Një analizë e plotë e kushteve të mjedisit strategjik, interesave shtetërore, kërcënimeve dhe mundësive, krijon hapësirë për të rishikuar tërë arkitekturën e sektorit të mbrojtjes dhe sigurisë në Kosovë. Këto mundësi vijnë në formë të rekomandimeve për rishikimin e rolit dhe misionit, strukturës së sektorit të sigurisë dhe reformave në fushën e mbrojtjes. Për çdo qeveri, nuk ka asnjë gjë më prioritare se mbrojtja e sovranitetit të shtetit, qytetarëve dhe interesave kombëtare të sigurisë. Andaj kjo analizë konkludon se roli kryesor i forcave të armatosura është të ruaj pavarësinë dhe integritetin territorial të shtetit, përmes zbulimit, zbrapsjes, parandalimit, dhe nëse është e nevojshme luftimit të kërcënimeve dhe agresionit ndaj shtetit.