GAP dhe BIRN kanë publikuar sot raportet për Regjionin e Prizrenit

27/09/2013

Instituti GAP dhe BIRN kanë vazhduar me publikimin e raporteve hulumtuese mbi problemet më të mëdha infrastrukturore dhe të qeverisjes me të cilat përballen komunat e Kosovës në prag të zgjedhjeve lokale të 2013.

Sot, në Prizren janë publikuar edhe gjashtë raporte për problemet kryesore dhe trendët afatmesme buxhetore të komunave: Prizren, Dragash, Mamushë, Suharekë, Malishevë dhe Rahovec.

Jeton Mehmeti, drejtor i hulumtimeve në GAP, ka prezentuar të gjeturat kryesore të raporteve, duke u përqëndruar në problemet të cilat GAP ka identifikuar gjatë hulumtimeve në terren. Në bazë të hulumtimeve, shqetësimet kryesore të banorëve të Komunës së Prizrenit janë: reduktimet e shpeshta të ujit të pijes, ndërtimet në zonën e vjetër të qytetit, derdhja e kanalizimeve në Lumbardh, mbeturinat tek nën-kalaja, mungesa e parkingjeve, dhe mungesa e tualeteve publike .

Z. Mehmeti gjithashtu ka prezantuar disa nga problemet për komunat tjera të regjionit të Prizrenit. Disa prej problemeve kryesore në këto komuna janë: pjesëmarrja e ulet e femrave në arsim dhe fuqi punëtore në Komunën e Dragashit, pickimi i rriqrave në Komunat e Malishevës dhe Rahovecit, objektet e vjetruara shkollore në disa lokacione të Komunës së Suharekës, dhe mungesa e çerdhes për fëmijë në Komunën e Mamushës.

Berat Thaqi, hulumtues në GAP, ka prezentuar trendët buxhetore për këto gjashtë komuna, të nxjerra nga Kornizat Afatmesme Buxhetore 2014-2016. Përfshirja e KAB në raportet e GAP ka për qëllim informimin e qytetarëve për kapacitete buxhetore të komunës dhe ndërlidhjen e buxhetit me aftësitë e komunës për të zgjidhur problemet me të cilat përballen qytetarët.

Petrit Kryeziu, hulumtues i BIRN për regjionin e Prizrenit, ka shpalosur planet e BIRN për debatet parazgjedhore me kandidatët për kryetar komunash, të cilët do të përballen me pyetje konkrete se si do ti zgjidhin problemet e identifikuara nga BIRN dhe GAP. Po ashtu, z.Kryeziu ka ftuar qytetarët që të gjitha shqetësimet e tyre t’i adresojnë përmes platformës www.kallxo.com dhe këto shqetësime do t’i parashtrohen edhe kandidatëve për kryetar komunash gjatë debateve paraelektorale.

Këto raporte do t’i dorëzohen të gjithë kandidatëve për kryetar komunash, me qëllim që kandidatët të përfshijnë në programin e tyre zgjedhor edhe alternativat për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Në ditët ne vijim, GAP dhe BIRN do vazhdojnë publikimin e raporteve komunale edhe për komunat e regjionit të Ferizajt, Pejës dhe Prishtinës.

 

Raportet e plota mund t"i lexoni këtu:

Komuna e Prizrenit

 

Komuna e Dragashit

Komuna e Mamushës

Komuna e Suharekës

Komuna e Rahovecit

Komuna e Malishevës