Menaxhimi i Ndërmarrjeve Publike: Konflikt politik apo konflikt kompetencash në mes nivelit qendror dhe lokal?

16/06/2015
16 qershor 2015, Prishtinë.

Instituti GAP ka organizuar sot panel diskutimi me temë: "Menaxhimi i Ndërmarrjeve Lokale dhe Rajonale. Konflikt politik apo konflikt kompetencash në mes nivelit qendror dhe lokal?". Në këtë diskutim u prezantua studimi i  fundit i Institutit GAP "Shërbimet Publike Komunale dhe Ndërmarrjet Publike" dhe u realizua një debat me akterët përkatës.

Berat Thaqi nga Instituti GAP prezantoi të gjeturat e analizës ku ndër të tjera theksoi se në menaxhimin  e kompanive rajonale të ujësjellësit (KRU) mbetet problematike përgjegjësitë e komunave për shërbimin e ujit dhe pronësia qendrore e KRU-ve. Një pjesë e komunave ende janë të pakënaqura me nivelin e përfaqësimit të interesave të tyre në bordet e KRU-ve dhe në mënyrë që komunat të marrin nën kontroll investimet e tyre në ujësjellës, Instituti GAP rekomandon që komunave tu jepet në pronësi rrjeti i ujësjellësit. Së fundmi, probleme është edhe vonesa në marrjen e vendimeve nga niveli qendror për  krijimi i NP-ve lokale. Si pasojë e ndryshimit të udhëzimit administrativë për themelimin e NP-ve të reja lokale, janë katër komuna të cilat qe një kohë janë duke pritur nga komisioni ndërministror vendimin për themelimin e tyre. Së fundmi, problem mbetet edhe pakënaqësitë e komunave me nivelin e llogaridhënies së NP-ve lokale dhe mungesa e kapaciteteve profesionale të komunave për mbikëqyrjen e bordeve të NP-ve lokale. 

Dardani Sejdiu- zv. Kryetar i Komunës së Prishtinës theksoi se duhet të qartësohen përgjegjësit mes nivelit qendror dhe lokal sa i përket KRU-ve. Sipas z. Sejdiu, Komunës së Prishtinës duhet t"i jepet kompetenca në vendimmarrjen e KRU Prishtina në përputhje me numrin i konsumatorëve që kjo kompani ju shërben në Prishtinë. Poashtu shpreh shqetësimin për zvarritjen e krijimit "Prishtina Parking" si ndërmarrje lokale, përkundër që nga komuna e Prishtinës janë plotësuar të gjitha kushtet teknike në përputhje me rregulloren për themelimin e NP-ve lokale. Sipas z. Sejdiu, vonesa në themelin e NP "Prishtina Parking" ka ardhur si pasojë e mos takimit të komisionit ndërministror për marrjen e një vendimi tash e gjashtë muaj. 

Ramadan Sejdiu-Udhëheqësi i Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike (MZHE) foli për ndryshimin e Ligjit për Ndërmarrje Publike. Ky plotësim ndryshim është në fazën fillestare dhe se po punohet gradualisht në mënyrë që të merren parasysh të gjitha rekomandimet si nga përvojat e rajonit ashtu edhe nga shoqëria civile dhe nga vetë ndërmarrjet publike. z. Sejdiu gjithashtu bëri të çartë se përveç K. së Prishtinës, janë edhe një numër komunash tjera të cilat janë duke pritur që vendimin e komisionit ndërministror për themelimin e NP-ve të reja lokale. 

Sa i përket koordinimit të KRU Prishtina me komunat tjera, Z. Selatin Retkoceri nga KRU Prishtina theksoi se vonesat në kryerjen e punëve në K. e Prishtinës, nuk kanë ardhur si pasojë e mungesës së bashkëpunimit të menaxhmentit të KRU Prishtina me Komunën e Prishtinës, por si pasojë e papërgjegjësisë së punëkryerësve të kontraktuar nga konsulentët ndërkombëtarë. 

Analizën e GAP të prezantuar sot mund ta lexoni duke klikuar KËTU.

Kurse, dy raportet e publikuara në janar pë bazën ligjore dhe menaxhimin e NP-ve i gjeni KËTU.