GAP organizoi panel diskutimi për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore

09/09/2015

Instituti GAP organizoi panel diskutimi me temën për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore: Sa do t’i ndikojë normat e interesit?

Me 17 qershor 2015 Qeveria e Kosovës ka miratuar koncept-dokumentin për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK). Dy muaj më vonë, Qeveria aprovoi edhe Projektligjin për FKGK-në. Instituti GAP ka publikuar një analizë me titull “Fondi Kosovar për Garanci Kreditore: Modelet e Menaxhimit dhe Efektiviteti”. Kjo analizë ka vlerësuar potencialin e këtij fondi për të ndikuar pozitivisht në ekonominë kosovare, specifikisht në rritjen e kreditimit dhe uljen e normave të interesit për bizneset e vogla dhe të mesme.

Berat Thaqi, hulumtues në Institutin GAP, gjatë prezantimit të analizës theksoi se për të funksionuar FKGK-ja duhet që gjithashtu të përmirësohet zbatimi i kontratave dhe të punohet në uljen e informalitetit. Sa i përket efektit në rritjen e kreditimit ndaj bizneseve, duke u bazuar në madhësinë e FKGK-së dhe përvojën me Autoritetin Zhvillimor të Kredive, ky fond nuk pritet të ketë ndikim thelbësor, mirëpo është një hap pozitiv drejt përmirësimit të qasjes së bizneseve në financa.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, prezantoi mënyrën e funksionimit të Fondit siç parashihet në Projektligjin për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore dhe Koncept-Dokumentin e shpalosur nga MTI-ja. Ministrja ceki se ky fond do të funksionojë pothuajse në mënyrë analoge me Fondin Kosovar për Sigurim të Depozitave, pasi që do të jetë autonom dhe i pavarur nga Qeveria si dhe do të jetë nën mbikëqyrje të Bankës Qendrore të Kosovës. Sa i përket financimit të fondit, fillimisht donatorët ndërkombëtarë si USAID, SECO, KfW, kanë dhuruar 18 milion euro, ndërsa MTI-ja vetë ka dhuruar 1 milion euro. Znj.Bajrami sqaroi se nuk ka pasur interesim prej bankave t’i bashkëngjiten këtij fondi si aksionarë për arsye të konfliktit të interesit.

Kryesuesi i Bordit Menaxhues të Raiffeisen Bank në Kosovë, Robert Wright, në prezantimin e tij u fokusua në perspektivën e bankave komerciale sa i përket mekanizmave garantues. Bankat mirëpresin fonde të tilla duke qenë së për momentin kanë likuiditet të tepërt, që do të mund ta shfrytëzonin për të dhënë kredi me garanci të FKGK-së. Gjithashtu, z.Wright ceki se në periudhën afatshkurtër, ndikimi i FKGK-së në ekonominë kosovare mund të jetë i vogël, mirëpo në periudhën afatgjate ky ndikim do të rritet dukshëm.  

Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane theksoi se edhe bizneset e mirëpresin FKGK-në, duke pasur parasysh se qasja në financa është një prej vështirësive të tyre.

 

Analizën e plotë mund ta gjeni KËTU.