Përse shumë biznese private ende nuk e zbatojnë Ligjin e Punës?!

20/07/2011 Shkruan Jeton Mehmeti

E drejta për të punësuar nuk nënkupton edhe të drejtën për të abuzuar. Andaj, punëtori meriton më shumë se sa kompensimin material që merr, ai/ajo meriton edhe respektin sepse këtu vjen në shprehje respektimi i dinjitetit të një individi.

Po bëhen më shumë se gjashtë muaj që kur ligji i punës ka hyrë në fuqi dhe shumë punëdhënës jo që nuk po e zbatojnë atë por ende nuk e kanë lexuar se çfarë dispozitash përmban ai. Shumë biznese private, kryesisht të vogla dhe të mesme, vazhdojnë të operojnë sipas ‘ligjeve’ që ka vënë pronari. Punëtori në anën tjetër, i kënaqur (por jo edhe i lumtur) që ka siguruar një vend pune, as që përpiqet të kërkojë të drejtat e tija-saja siç i parasheh ligji, shpesh me frikën se mos duke kërkuar të drejtat e punës do ta humb edhe vetë vendin e punës. Edhe ky, sikurse punëdhënësi, ende nuk e ka lexuar ligjin e punës.

Javë më parë Instituti GAP publikoi një analizë rreth zbatimit të ligjit të punës në gjashtë mujorin e parë. Gjatë hulumtimeve tone dëgjova për shkelje të ndryshme të të drejtave të punëtorëve në sektorin privat. Dëgjova se si punëtori i ndërtimtarisë punonte dhjetë orë në ditë, shtatë ditë në javë, pa masa mbrojtëse të punës dhe pa kontratë pune. Dëgjova se si orari i kamerierit fillonte nga ora tetë e mëngjesit dhe përfundonte në daljen e mysafirit të fundit diku para mesnatës. Një farmaciste nuk ankohej sepse punonte me ‘orar të rregullt’, pra tetë orë në ditë kurse të dielën e kishte pushim. Një djalosh më tregonte se kishte mbi katër vite që punonte në një qumështore dhe krejt çfarë pronari i kishte dhënë pushim vjetor deri më sot ishin dhjetë ditë kur ishte martuar. Edhe ky nuk ankohej sepse ashtu ishin marrë vesh në fillim.

Nuk u befasova përse po ndodhnin shkelje të tilla të të drejtave të punëtorit, por u befasova se si për shumë punëdhënës këto nuk paraqisnin kurrfarë shkeljesh. Dhe pikërisht këtu nis problemi; shkelja e ligjit na është bërë normalitet, kurse respektimi i tij sensacion. Dikush thoshte se në një shtet ku e drejta e njeriut për të pasur një vend pune nuk garantohet, të drejtat e atij që punon mund të konsiderohen luks. Por a është e drejtë dhe e moralshme që punëdhënësi të privojë punëtorin nga të drejtat e tij legjitime? Aq më tepër kur në shumë biznese private punësohen njerëz të afërt, me ç’rast bëhen dy shkelje, edhe si punëtorë edhe si mik i familjes. Në përgjithësi pagat në sektorin privat janë shumë të ulëta. Këtu mund t’i kuptoj punëdhënësit deri diku. Por, nuk mund të kuptoj përse punëtori nuk ka kontratë pune, përse detyrohet të punojë më shumë se dyzet orë në javë, përse të mos ketë katër javë pushim vjetorë, apo pushim mjekësor deri në dyzet ditë? Çfarë do të humbiste një biznes sikur punëtorit të punonte pesë ditë në javë dhe dy të tjerat t’i kalojë me familjen? Le të punësojë njerëz shtesë me orar të shkurtër nëse ai lloj biznesi kërkon operim shtatë ditë në jave. Shumë pronar hotelesh e restorantesh, barnatoresh e firmash ndërtimore krenohen me numrin e punëtorëve që kanë, por sa janë punëtorët krenar me punëdhënësit e tyre? E drejta për të punësuar nuk nënkupton edhe të drejtën për të abuzuar. Andaj, punëtori meriton më shumë se sa kompensimin material që merr, ai/ajo meriton edhe respektin sepse këtu vjen në shprehje respektimi i dinjitetit të një individi. Edhe më tutje bizneset më shumë respektojnë manualin e përdorimit të makinave të punës, se sa të drejtat ligjore të punëtorëve.

Akademikët shpjegojnë se një ndër arsyet përse një qeveri duhet të ndërhyjë në tregun e punës duke nxjerrë ligje për ta rregulluar atë është se tregjet e punës nuk janë të përsosura dhe si pasojë punëdhënësit përmes fuqisë së tregut që e kanë i keqpërdorin punëtorët duke shpënë në padrejtësi dhe joefiqiencë. Sot, kur e kemi ligjin e punës duhet ta respektojmë atë. Zbatimi i ligjit kërkon angazhimin e punëdhënësit, punëmarrësit dhe inspektoratit të punës. Punëdhënësi duhet të njihen me dispozitat që parasheh ligji i punës, me obligimet që ka ndaj punëmarrësit dhe me dispozitat ndëshkuese që parasheh ligji në rast të shkeljes së të drejtave të punëmarrësit. Punëdhënësit duhet ta kenë parasysh se për mungesë të kontratës mund të ndëshkohet deri në 1000 euro, puna më e gjatë se orari i plotë i punës ndëshkohet deri në 5000 euro sikurse edhe mos dhënia e pushimit vjetor, kurse mos dhënia e pushimit të lehonisë me pagesë ndëshkohet deri në 10,000 euro. Punëmarrësit në anën tjetër gjithashtu duhet ta lexojnë ligjin e punës të cilin mund ta gjejnë lehtë në ueb faqen e Kuvendit të Kosovës dhe në Gazetën Zyrtare. Institucionet publike qendrore dhe komunale duhet t’i shpërndajnë çdo pronari të ri të biznesit një kopje të Ligjit të Punës. Punëtorët duhet të lexojnë për të drejtat e tyre, se si duhet të duket kontrata e punës, sa mund të zgjasë puna provuese, sa duhet të jetë orari i punës, çfarë page shtesë i takon atij që punon në ndërrimin e natës, në ditë të festave e në fundjavë, sa zgjatë pushimi vjetorë apo pushimi me rastin e martesës, vdekjes së një familjari, lindjes së fëmijës, si ndahet pushimi i lehonisë për femrat, etj. Punëtori gjithashtu duhet ta dijë se në rast se punëdhënësi ia mohon këto të drejta, ligji i garanton mbrojtje pasi të ketë paraqitur ankesë në gjykatë apo pranë inspektoratit të punës. E inspektorët e punës duhet të jenë sa më prezent në terren, të dëgjojë ankesat e punëtorëve dhe të jenë të pa kompromis ndaj atyre që shkelin ligjin e punës dhe të drejtat e punëtorëve. Është e vërtetë se inspektorët nuk gëzojnë kushte optimale për punë, por prapë se prapë mbetet obligim i tyre ligjor që ta monitorojnë zbatimin e ligjit të punës, derisa punëdhënësit të vetëdijesohen se të respektosh të drejtat e punëtorit do të thotë të përmbushësh një obligim ligjor dhe moral.

Loading Facebook comments ...

OpinioneArkiva

Jo më “Qeveri kineze”

07.07.2014 Shkruan Agron Demi

Dhjetë këshilla të Ukshin Hotit për shqiptarët

10.02.2014 Shkruan Bekim Salihu

Nga autoriArkiva

Investimi i Gabuar në Master

05.09.2013 Shkruan Jeton Mehmeti

Problemet me Monitorim

27.09.2010 Shkruan Jeton Mehmeti