Investimi i Gabuar në Master

05/09/2013 Shkruan Jeton Mehmeti
Publikuar në gazetën "Zëri", 5 shtator 2013.

Në vitit 2011 kur Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) bëri regjistrimin e popullsisë nxori në pah se gjithsejtë 7.117 persona të moshës mes 21-29 vjeç ishin në vijim të studimeve master. Numri i atyre që veç posedonin një diplomë të master-it në atëkohë ishte 8.795 persona. Sigurisht ky numër është rritur dukshëm tani dy vite pas censusit, ndërsa euforia për të regjistruar studimet master me të përfunduar ato bachelor sa vjen e shtohet, duke krijuar kështu një fenomen në Kosovë të masteromanisë. Por sa është i duhur ky investim? 

Janë kryesisht dy mënyra se si të rinjtë kosovar gabojnë kur investojnë kohën dhe paratë e tyre për studime master. E para është kur studentët e dobët vendosin të regjistrojnë studimet master dhe e dyta është kur studentët e mirë vazhdojnë studimet po në të njëjtin departament ku kanë mbaruar ato bachelor. Gjithmonë është edhe një kategori që nuk vazhdojë studimet fare, ose nga pamundësia financiare ose në shenjë proteste ndaj cilësisë së dobët të arsimit të lartë në Kosovë. 

Në kategorinë e parë janë ata nxënës të cilët deri para disa vitesh përfundimi i shkollës së mesme ka qenë maksimumi që është pritur prej tyre. Sot, të shtyrë nga familja dhe të motivuar nga kalimi i testit të maturës, i cili lë shumë për të dëshiruar, edhe nxënësit e dobët ia mësyjnë fakultetit. Në pamundësi për të gjetur një vend pune, studentët e dobët i vazhdojnë studimet master, më shumë për të pasur një “status” të përkohshëm të angazhimit se sa për të avancuar njohuritë e tyre. Vetëkënaqësia që i jep titulli master studentit të dobët e bën atë më selektiv në kërkimin e punës, përderisa në 29 vjetet që i ka mbushur nuk ka regjistruar asnjë ditë përvojë pune. Dhe të rinj pa përvojë punë nuk janë të pakët në Kosovë. Aktualisht janë 28.669 të rinj të moshës mes 25-29 vjeç që janë të papunë dhe nuk kanë punuar kurrë më parë.

Diploma e masterit sot nuk të garanton një vend pune. Madje në Kosovë ofrohen më shumë vende pune për njerëz të pa kualifikuar se sa për ata me diplomë. Sipas Ministrisë së Punës nga 9.343 vende të lira pune që u ofruan në vitin 2012, 44% e tyre kërkonin kandidat të pakualifikuar, 41% me shkollim të mesëm dhe vetëm 16.5% e vendeve kërkonin shkollim universitar. Gjendja është e atillë sot sa që disa që kanë mbaruar masterin shpesh detyrohen të mos e tregojnë këtë titull akademik, përndryshe ndodh që të largohen nga gara për një vend pune me arsyetimin se janë të “mbi kualifikuar”. Ndoshta pikërisht mbikualifikimi është shkaku që sot 624 “mastera” janë të papunë sipas ASK-së. Andaj, sa më i larë shkollimi aq më i larë është edhe frustrimi në rast të mos gjetjes së një vendi pune. Ky lloj investimi në studime master për individin që asnjëherë nuk ka shfaqur seriozitet në shkollim jo vetëm se është investim i kotë, por edhe në disfavor të tij. 

Në kategorinë e dytë janë studentët e mirë të cilët vazhdojnë studimet po në të njëjtin departament ku kanë mbaruar ato bachelor. Edhe ky është një investim jo i duhur për shumë arsye. E para programi master, në shumicën e fakulteteve tona, përveç emërtimit nuk dallon shumë nga ai bachelor. E dyta, stafi akademik është pothuajse i njëjti, sepse tek universitetet tona nuk praktikohet që profesorët senior të angazhohen vetëm tek programet postdiplomike. Kjo është pasojë e numrit të vogël të njerëzve me doktoraturë në vendin tonë. Në Kosovë janë vetëm 1,336 njerëz me titull doktorature, dhe jo të gjithë janë të përfshirë në akademi, 247 prej tyre janë mbi 65 vjeç, e disa të tjerë janë të përshirë në veprimtari tjera. Ky numër është mjaft i vogël për të mbuluar qindra programe akademike që ofrohen nga tre universitetet publike dhe 20 kolegje private të akredituara në Kosovë. Studentët sot duhet të mendojnë për ndryshimi e kursit të studimeve master nga ato bachelor, sidomos brenda shkencat shoqërore, sepse për të qenë konkurrent sot kërkohen njohuri nga dy e më shumë fusha. Përparësia tjetër është se kjo lëvizje do t’i mundësonte krijimin e një rrethi të ri të shoqërisë dhe të stafit akademik dhe do të rriste opsionet për punësim. 

Për të qenë edhe më konkurrentë, studentët e mirë duhet të tentojnë që t’i vazhdojnë studimet master në ndonjë shtet tjetër, universitetet e të cilit rangohen dukshëm më lartë se sa ato të akredituara në Kosovë dhe rajon. Sot ka lehtësime të shumta financiare për të përballuar koston e këtyre studimeve. Ekzistojnë bursa shtetërore, bursa nga fondacione filantropiste, dhe bursa nga vetë universitetet të dedikuara për studentët më të mirë pavarësisht origjinës. E vetmja gjë që kërkohet është interesimi dhe vullneti i studentit. Sfida e të studiuarit në një gjuhë të huaj, qoftë ajo angleze, gjermane apo turke, duhet t’i motivojë të rinjtë kosovar në vend se t’i zmbraps ata. Kësisoj vlera e diplomës së masterit do të rritej edhe më shumë. 

Përfundimisht, studentët e mirë duhet të eksplorojnë fusha dhe mundësi të reja për të qenë sa më të përgatitur për kërkesat e reja të tregut të punës, ndërsa ata të rinj që asnjëherë nuk e kanë dashur librin dhe shkencën, nuk duhet të investojnë kohën dhe mundin në studime master. Ky titull me ose pa dashje shton euforinë dhe ambiciet, dhe kur ambiciet nuk përputhen me shkathtësitë e individit dëshpërimi është edhe më i madh. Dhe e vetmja gjë më e rrezikshme se sa dëshpërimi personal për mos gjetje të një vendi të punës, është pikërisht punësimi i këtij individi në një institucion të arsimit.

Loading Facebook comments ...

OpinioneArkiva

Jo më “Qeveri kineze”

07.07.2014 Shkruan Agron Demi

Dhjetë këshilla të Ukshin Hotit për shqiptarët

10.02.2014 Shkruan Bekim Salihu

Nga autoriArkiva

Problemet me Monitorim

27.09.2010 Shkruan Jeton Mehmeti