Sfilata për jetë a vdekje

21/05/2013 Shkruan

Por, duhet kuptuar që këto sfilata nuk do të ndalen pa ndryshuar mentaliteti i gjynahut dhe pa u institucionalizuar ky fenomen. Përkundrazi, sheshet tona në vend se të mbushen me muzikë, gjallëri, art e jetë, do të mbushen me njerëz të sëmurë, njerëz në nevojë, njerëz gjynah. Ndërsa institucionet tona gjithashtu do të mbesin ashtu siç janë sot – të brishta dhe të paafta që të ofrojnë shërbime shëndetësore adekuate. Megjithatë ka shpresë! Fakti që shumë qytetarë dhurojnë para tregon që ka solidaritet.

Publikuar në gazetën `Koha Ditore`, 18 maj 2013.

Rroni është foshnje gjashtë muajshe i cili vuan nga një sëmundje në mëlçi. Kjo sëmundje nëse nuk shërohet në një periudhe të shkurtë kohore, për fat të keq do t’i a marrë jetën Rronit të vogël simpatik. Duke e pasur këtë mendim në mendje, buzëqeshja e tij shumë simpatike të rrëqeth të gjithë trupin dhe një impuls i ftohtë të përshkon kurrizin.

Dea është një vajzë shtatë vjeç e cila vuan nga një sëmundje në zemër. Njëjte si Rroni, Dea rrezikon jetën nëse nuk arrijnë të ndalë dhe të shëroje sëmundjen. Për dallim nga Rroni, Dea është më e vjetër dhe si e tillë i mungon imazhi foshnjor. Gjithashtu, ajo nuk e ka buzëqeshjen edhe aq atraktive, sidomos krahasuar me atë të Rronit.

Hasani është njeri në fillim të tridhjetave, i cili veç sa ka filluar familjen. Gruaja e tij nuk ka punë, ndërsa Hasani është i vetmi i cili punon. Për fat të keq edhe ky është sëmure nga një sëmundje e rëndë, e cila do t’i marrë jetën në rast se Hasani nuk ndërmerr hapa për parandalimin dhe shërimin e saj.

Janë dy gjëra që i bashkojnë këta të tre: sëmundjet e tyre janë vdekjeprurëse në rast se nuk shërohen dhe atyre i mungojnë fondet për shërim në klinikat private jashtë apo brenda vendit. Si rezultat këta persona detyrohen të sfliojnë. Po, të sfilojnë! Të sfilojnë dhembshurinë e tyre si metodë për të grumbulluar paratë e mjaftueshme për shërim/operim.

Si funksionon kjo sfilatë aspak e zakonshme? Së pari, duhen disa fotografi të të sëmurit, mundësisht fotografi të cilat tregojnë qysh në sy një dhembshuri me qëllim që tek qytetari të krijoje efektin “Oh, sa gjynah”. Së dyti, dhe këtu është mjeshtëria e sfilatës, duhet të mobilizohen njerëzit të cilët do të ndihmojnë për sfilatë, duke filluar nga familjaret, kojshitë, e nëse ke fat edhe deri tek pronarët e kafiterive dhe yjet e estradës. Dhe së fundmi, në bashkëpunim më të mobilizuarit, fillon organizimi i kampanjave për të kërkuar fonde, si dalja në shesh të qytetit të pajisur me mikrofona, amplifikatorë, fotografi, dhe kuti për para. Gjithashtu, me ndihmën e yjeve të estradës dhe pronareve të kafiterive, organizohen party në mënyrë që të mblidhen edhe fonde shtesë. Kjo metodë rezulton të jetë shumë efektive pasi që kombinon edhe kënaqësinë dhe shpirtin altruist në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend.

Kjo fushatë ka edhe rezultatet e veta. Rezultati i parë është mbledhja e parave për personin e sëmurë. Rezultati i dyte është përmirësimi i imazhit publik të disa personave/kompanive të cilat dhurojnë para apo mundësojnë mënyrë më të lehtë për dhurimin e parave (rikujto IPKO-n, Valën, Klubin Duplex, RTK, Sigal Prishtinën, yjet e estradës të cilët organizonin party, etj). Këtu tek përmirësimi i imazhit publik futet padyshim edhe investimi për fushatën e ardhshme elektorale. Rezultati i tretë është kënaqësia që këta donatorë me shpirt të ‘vërtetë’ altruisti marrin. Këta njerëz ndihen të kënaqur që nuk janë vetë në situatë të ngjashme, ndjejnë që janë duke vepruar në mënyre të drejtë, dhe përmbushin vetveten me këtë donacion të vogël por i cili tregon që personi në fjalë i ka punët aq mirë sa të ndihmojë të tjerët. Rezultati i katërt është rahatia që kjo fushatë i krijon institucioneve vendore. Duke e parë që vetë njerëzit e gjejnë mënyrën se si të shërohen, institucionet nuk shohin të arsyeshme të rregullojnë këto probleme pasi që dikush tjetër po merret me atë punë dhe si rezultat vazhdojnë me avazin e vjetër të moskokëqarjes dhe korrupsionit.

Të kthehemi tek tre personazhet e përshkruara më lart. Cili nga këta tre persona do të mblidhte me së shumti para për shërim? Padyshim ai person i cili ka më së shumti tipare të dhembshurisë! Në këtë rast, Rroni, një foshnje simpatike e cila ne sytë e njerëzve shihet si e pafajshme dhe e pafat, është personi më i përshtatshëm. Dea, pak më pak gjynah, arrin të mbledh një pjesë të shumës së kërkuar për shërim, por jo të gjithën. Në anën tjetër, Hasani, burrë të cilit nuk i ka hije të kërkojë para, nuk përmbush asnjë kusht që të cilësohet si gjynah. Si rezultat, Hasani as që futet në këtë ‘sfilatë’ përkundër nevojave të njëjta me të Rronit dhe Deas.  

Për fund duhet sqaruar mirë, për shkak të temës shumë të ndjeshme, që ky artikull nuk është për t’i kritikuar këta persona të cilët këtë metodë e kanë si zgjidhje të fundit. Andaj edhe titulli i artikullit është “Sfilatë për jetë a vdekje”. Përkundrazi, ky artikull për qellim shpjegimin e rrugës së vështirë që kjo kategori e njerëzve, që sot janë dikush tjetër e nesër mund të jemi ti dhe unë, për të vazhduar të jetuari. Shpjegimin e rrugës e cila nuk është aspak e lehtë në një shoqëri ku sundon gjynahu por jo principi.

Por, duhet kuptuar që këto sfilata nuk do të ndalen pa ndryshuar mentaliteti i gjynahut dhe pa u institucionalizuar ky fenomen. Përkundrazi, sheshet tona në vend se të mbushen me muzikë, gjallëri, art e jetë, do të mbushen me njerëz të sëmurë, njerëz në nevojë, njerëz gjynah. Varrezat do të mbushen me njerëz si Hasani. Ndërsa institucionet tona gjithashtu do të mbesin ashtu siç janë sot – të brishta dhe të paafta që të ofrojnë shërbime shëndetësore adekuate. Megjithatë ka shpresë! Fakti që shumë qytetarë dhurojnë para tregon që ka solidaritet. Mirëpo ky solidaritet do të duhej të konkretizohej në institucione më të mira dhe efektive. Ironia qëndron pasi që Ministri Agani duket se e ka gjetë zgjidhjen e problemit të sektorit të shëndetësisë: “Sistemi shëndetësor është krejtësisht i korruptuar” kishte deklaruar ai, ndërsa vazhdoi pa ndryshuar udhëheqjen e ministrisë së shëndetësisë ku korrupsioni lulëzon si myku në një qysh të lagësht pa diell.

Loading Facebook comments ...

OpinioneArkiva

Jo më “Qeveri kineze”

07.07.2014 Shkruan Agron Demi

Dhjetë këshilla të Ukshin Hotit për shqiptarët

10.02.2014 Shkruan Bekim Salihu

Nga autoriArkiva

Mbi nostalgjinë e Gjakovës

08.10.2013 Shkruan

Letër diasporës

08.04.2013 Shkruan