Mbi nostalgjinë e Gjakovës

08/10/2013 Shkruan
Publikuar në gazetën "Zëri", 7 tetor 2013.

Ka kohë që në Gjakovë është shpërndarë një “sëmundje” shumë e rrezikshme për jetën shoqërore dhe politike. Kjo sëmundje është ngjitëse, dhe tashmë ka marrë statusin e një epidemie. E quajnë sëmundja e nostalgjisë, edhe pse nuk përmban vetëm nostalgji. Kjo sëmundje është një përzierje me shumë elemente, duke filluar nga nostalgjia si komponentë kryesore, depresioni si ngjyrë pak më e fortë e nostalgjisë, dhe disa erëzave të forta si ndjenja e pafuqisë dhe ajo e viktimizimit.

Një nder vendet që më së shumti shpërndahet kjo sëmundje është rreth ish-fabrikave të famshme. Fabrikat - ky simbol kaq i fuqishëm i të kaluarës së lavdishme, të mbizotërimit ekonomik, të mirëqenies e punësimit – sot nuk janë më shumë se gërmadha, pjesët e të cilave po shiten në “otpad” si hekurishte. Megjithatë, këto objekte e kanë aftësinë t’i nxisin njerëzit të flasin me orë të tëra rreth asaj se ç‘ishte Gjakova njëherë. Flitet për gjithë ata punëtorë që vinin nga anekënd Kosovës; flitet për eksportet e këtyre fabrikave në të gjithë Jugosllavinë, në Evropë, bile edhe në Amerikë.

Mirëpo pak flitet që disa prej këtyre fabrikave në fakt punonin me humbje, por që mbaheshin në operim nga profiti i fabrikave tjera. Megjithatë ky fakt nuk ka rëndësi. Me rëndësi është të flitet për të kaluarën e lavdishme. Çka është më e keqja është fakti që fabrikat gjithashtu shihen si zgjidhja e gjithë problemeve të Gjakovës. Sikur të ishim në gjendje t’i shohim këto fabrika për atë çfarë janë - mbeturina nga e kaluara - me siguri që nuk do të shiheshin si zgjidhje për gjendjen e rëndë. Veç për rikujtim, ka 20 vjet qëkur për herë të fundit është investuar në këto fabrika. Ka pothuajse 20 vjet që nuk funksionojnë, apo funksionojnë “sa për idare”.

Harrojnë që këto fabrika edhe sikur të aktivizoheshin tani, nuk do të kishin aftësinë të ballafaqoheshin me konkurrencën, e cila përdor teknologji shumë më të avancuar, dhe do të ishte pothuajse e pamundur të rikthejnë tregun që dikur kishin. E të mos harrojmë edhe shkathtësitë e ndryshkura të punëtorëve të cilët jo vetëm se do ta kishin problem rikthimin në formën e tyre më të mirë por edhe do të kishin problem me manovrimin me teknologji të reja. Tregu nuk ka ndryshuar veç për produktet, por edhe për punëtorë; punëtorët e vjetër jo domosdo mund të përshtaten me kërkesat e reja.

Mirëpo nuk janë vetëm fabrikat zona endemike. Ka edhe vende tjera. Një ndër to është Çarshia e Vjetër. Arsyeja pse kjo zonë është zonë e rrezikshme nuk është për shkak të vlerave që ajo përmban. Jo! Është për shkak se ka njerëz ende që mendojnë që do të duhej të vazhdohet me zeje si ajo e shalëpunuesve apo e qylahpunuesve. Mendja e tyre iluzionare mendon se mund të jetë përfitues një “biznes” i cili i shet dy qylahë në javë, apo i shet dy shala për kuaj në muaj (sepse kuajt janë shumë në modë kohëve të fundit). Andaj edhe thonë që shteti duhet t’i ndihmojë shumë këto zeje që të mos shuhen.

Siç u cek edhe më lart, jo e gjithë sëmundja është e bazuar në nostalgji. Përbërësi tjetër, depresioni, është po ashtu shumë e rëndësishëm. Kjo komponentë vjen kur këta njerëz nostalgjikë, të strukur në një pikëpamje ekzotike të kaluarës, shikojnë drejt të ardhmes. E çfarë shohin këta njerëz? Zi, mjerim, një sistem në të cilin nuk ka vend për ta. E si mund të mos e shohin të ardhmen ashtu, kur këta njerëz refuzojnë të dalin nga struka e të kaluarës? Është e vërtetë që e ardhmja nuk është e aq e ndritur, andaj edhe nuk po pretendoj që e ardhmja është plot dritë e shumë premtuese, por nuk është as e errët e e pashpresë. Nuk është larg mendsh pra që këta njerëz të bien në depresion.

E gjithë kjo katandisje pa asnjë fajtor? Jo, ashtu nuk funksionon mendja njerëzore. Dikush duhet të jetë fajtor! E këtë të fundit, njerëzit e sëmurë me nostalgji, e kanë identifikuar. “Tylyfar katunari e fo?e (po shpresoj që kjo ?, e shpreh atë n-në tipike gjakovare) që po na udhëheq. Deri dje me aponga, e tash udhëheqës. Pa ardhë gjakovarët n’krye s’ka gjo”. Përderisa ky “argument” mund të mos jetë plotësisht i pasaktë, pasi që ka shumë udhëheqës sot të cilët realisht nuk meritojnë të kenë pozitë më të mirë se pastrues nevojtoresh publike, nuk mund të jetë e gjithë zgjidhja aty. Nëse për asgjë, gjakovarët që udhëhoqën dhe vazhdojnë të udhëheqin, janë pjesë e dëmtuesve më të mëdhenj të Gjakovës.

As me nivelin qendror Gjakova nuk i ka punët mirë. Prapë “tylyfar katunari e ka kapë shtetin përpara”. Gjakova, në syrin e tyre, është lënë mbrapa qëllimisht. Edhe këtu ka të vërteta, por në anën tjetër Gjakova nuk është që nuk ka pasur hiç përfaqësim në nivelin qendror. Prej periudhës së pasluftës kishte plotë deputet, disa ministra, zëvendës ministra, drejtorë, dhe pozita tjera të rëndësishme. Bile tashmë e kemi edhe presidenten nga Gjakova.

E megjithatë, as keqqeverisja nga vetë gjakovarët nuk është përgjigja. Përgjigjja është pikërisht tek këta nostalgjikë, të cilët nuk kanë asgjë më shumë t’i ofrojnë së pari vetvetes e pastaj qytetit sesa memorie të bukura të së kaluarës. Me këto memorie janë mbushur edhe mendjet e të rinjve, të cilët në vend se të jenë plot energji, të shikojnë nga e ardhmja me vullnet e me shpresë, janë kthyer në të kaluarën e “mrekullueshme” krah për krah etërve të tyre. Kjo sidomos është shumë ironike pasi që këta as që e kanë përjetuar atë kohë. E megjithatë, po t’ua kritikosh pakëz Gjakovën, edhe pse me qëllim të mirë, këta të rinj do të sulen në qafë menjëherë e të tregojnë se si njëherë na ishte një Gjakovë e madhe e e zhvilluar.

Me një popullsi që lavdëron të kaluarën e nënçmon të tashmen dhe të ardhmen, nuk ka se si të mos jenë nostalgjikë. Me një rini që sheh të ardhmen prapa, në të kaluarën, me ide të zhvillimit ekonomik që shikon drejt fabrikave që kanë 20 vite që nuk punojnë, me vizion për rivitalizimin e zejeve të qylahpunuesve apo shalëpunuesve, s’ka si mos të bien në depresion. Me tendenca për eksternalizimin e fajit tek të tjerët të cilët e kanë fuqinë, nuk ka si të mos ndjehen të pafuqishëm dhe plotësisht nën mëshirën e të tjerëve. Në këtë mënyrë Gjakova është strukur në një kënd, dhe pa dëshirë për të lëvizur përpara. Kohërat kanë ndryshuar, por ndryshimi nuk po e prek shumë mentalitetin gjakovar.

Meqë jemi në fushatë parazgjedhore, dëshiroj të përfundoj këtë shkrim me një lutje për të gjithë kandidatët për kryetar të komunës. Tek ata që kanë ndikim të madh në zhvillimin e një vizioni të së ardhmes. Do t’i lutja të gjithë kandidatet që të mos e shfrytëzojnë këtë sëmundje për vota; të mos premtojnë gjëra aspak reale që pretendojnë t’ia kthejnë Gjakovës namin e vjetër; të mos të kërkojnë votën me premtime që apelojnë tek memoriet e së kaluarës. Në të kundërtën, të krijojnë plane për një të ardhme të Gjakovës, vizione ekonomike të kohës, dhe mbi të gjitha ta ndihmojnë Gjakovën të dalë jo vetëm nga kjo gjendje e rëndë ekonomike por edhe nga kjo gjendje e rëndë psikike.

Loading Facebook comments ...

OpinioneArkiva

Jo më “Qeveri kineze”

07.07.2014 Shkruan Agron Demi

Dhjetë këshilla të Ukshin Hotit për shqiptarët

10.02.2014 Shkruan Bekim Salihu

Nga autoriArkiva

Sfilata për jetë a vdekje

21.05.2013 Shkruan

Letër diasporës

08.04.2013 Shkruan