Mbi te vdekurit dhe legjitimitetin e institucioneve

31/10/2013 Shkruan

Problemi më i madh me listat zgjedhore nuk janë të vdekurit por mosvotimi i diasporës. Jo pse të vdekurit nuk janë problem, por që në krahasim me diasporën janë problem i neglizhueshem. Gjithashtu, institucionet tona janë shumë më legjitime seç kemi menduar. Duke e marrë parasysh problemin me mosvotimin e diasporës, pjesëmarrja në zgjedhje është shumë më e madhe se që ‘thonë statistikat zyrtare.

Publikuar në gazetën "Koha Ditore", 31 tetor 2013.

Siç po len të kuptojë vetë titulli, ky shkrim ka të bëjë me listën e votuesve, të vdekurit në të, dhe legjitimitetin e institucioneve tona që dalin nga zgjedhjet. Me siguri që me të lexuar deri këtu, ju vetëm keni krijuar një opinion se çfarë pikash do të prekë ky shkrim: gjithë ata të vdekur të cilët po votojnë në zgjedhje dhe si këto parregullsi, bashkë me pjesëmarrjen e ulët të qytetareve në zgjedhje, po i bëjnë institucionet tona jo edhe shumë legjitime. Apo si si rrjedhojë e votimit të vetëm disa militanteve, dhe mos votimit të njerëzve që do të kishin votuar ndryshe, po vendoset për fituesit e zgjedhjeve. 

Kundërintuitivisht, ky shkrim argumenton diçka tjetër: që institucionet tona janë shumë më legjitime sesa që mendohet publikisht dhe që të vdekurit në listën e votuesve nuk janë problemi jonë më i madh. Ky shkrim pikë së pari synon të luftojë mitin e votuesve të vdekur dhe së dyti idenë që institucionet tona janë duke e humbur legjitimitetin e tyre si rrjedhojë e daljes së vogël të qytetareve në zgjedhje, ide kjo e cila edhe pse në fazën e zhvillimit të saj, është drejtë rrugës së ngritjes në një mit, ashtu si miti i të vdekurve.

Ndoshta gjëja më e mirë që i ka ndodhur Kosovës prej periudhës së pasluftës në aspektin e statistikave dhe të dhënave është regjistrimi i popullsisë i vitit 2011. Të dhënat e dala nga regjistrimi i popullsisë na kanë ndihmuar në sqarimin e shumë gjërave, duke filluar nga vet numri i popullsisë për të cilin mbretëronte një mendim se ishim më shumë se 2 milion banorë, besa kishte edhe të tillë që thoshin që jemi edhe mbi 2.5 milion, por që rezultuam të ishim vetëm 1.8 milion. Do ta shohim që regjistrimi i popullsisë do të na ndihmojë të sqarojmë edhe disa probleme kyçe të mendimit publik mbi listën e votuesve dhe numrin e votuesve.

Pikë së pari, në vitin 2011 kur u mbajt regjistrimi i popullsisë, popullsi me të drejtë vote, do të thotë mbi 18 vjeç, ishin 1,089,700 persona. Për sqarim, as në këtë numër, po as në numrat tjerë qe do të përdoren në këtë tekst, nuk futen të dhënat për komunat veriore për shkak të problemeve me të dhëna të besueshme për ato komuna. Në anën tjetër, lista e votuesve në fund të vitit 2010, pra në prag të zgjedhje parlamentare, në Kosovë numëronte hiç më pak se 1,597,868 persona. Do të thotë dallimi në mes të listës së votuesve dhe popullsisë mbi 18 vjeç është jo më pak se 508,168,  apo afro 30% më shumë. Si është e mundur të jetë i gjithë ky dallim në mes të këtyre numrave që në parim do të duhej të ishin shumë të përafërt? Përgjigjja është numri i diasporës dhe numri i të vdekurve të cilët ende gjinden në listë të votuesve. Miti i cili mbretëron në opinionin publik është që të vdekurit përbëjnë shumicën e kësaj diference. E vërteta nuk mund të jetë më ndryshe.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, prej vitit 2002 deri në 2011 në Kosovë kane vdekur 93,411 persona, mirëpo për të pasur më lehtë kalkulimin dhe për të mbuluar zbrazëtirën e mungesës së të dhënave për vitet 1999-2002, le të supozojmë që kanë vdekur rreth 120,000. Le të supozojmë për një moment që asnjë person i cili ka vdekur nuk është larguar nga lista e votuesve. Edhe nën një supozim kaq zemërgjerë, prapë na mbetet një diferencë prej 388,168 që e ndanë listën e votuesve prej popullsisë me të drejtë vote. Kjo diferencë është numri i diasporës të cilët kanë të drejtë vote, pasi qe edhe ata janë nënshtetas të Kosovës përkundër faktit që nuk jetojnë në Kosovë. Anëtaret e diasporës për të votuar ose duhet të vijnë në Kosovë të hedhin votën ose duhet të regjistrohen në Komisionin Qendror Zgjedhor të votojnë me postë. Mund të themi lirshëm që të rrallë janë ata që vijnë special prej vendit ku jetojnë në Kosovë vetëm për të votuar. Aq i vogël është ai numër sa nuk bën ndonjë diferencë në statistika. Ndërsa për fat të keq, numri i atyre që votojnë përmes postës nuk është më i madh se 1,640 (numër ky numrit të votave me postë në zgjedhjet parlamentare të fundit). Prej kësaj mund të shohim që diaspora është pothuajse aq e vdekur sa të vdekurit sa i përket votimit, mirëpo në numër janë shumë më shumë sesa të vdekurit.

Me fjalë tjera, problemi kryesor i joni nuk janë të vdekurit, por diaspora e cila voton në numër gati të papërfillshëm. Le të sqarohemi, jo që të vdekurit nuk janë problem. Për vet faktin që ata gjinden në listë të votuesve, tregon që kemi probleme me listën zgjedhore. Mirëpo në krahasim me numrin e diasporës të cilët votojnë shumë pak, të vdekurit janë problem i vogël. Njëjte si të vdekurit që paraqesin potencial për parregullsi në votime, edhe mosvotimi i diasporës paraqet potencial të njëjtë. Kjo nuk do të thotë që duhet të ju heqim të drejtën e votës diasporës, por vetëm se këtë problem duhet rregulluar në atë mënyre që të mos paraqet potencial për parregullsi në zgjedhje. Për shkak të hapësirës së limituar, propozimet për zgjidhjen apo rregullimin e këtij problemi do të shpalohen në ndonjë shkrim tjetër.

Pjesa e dytë e këtij teksti ka të bëj me legjitimitetin e institucioneve. Argumenti qëndron në statistikat të cilat tregojnë pjesëmarrje të ulet të qytetareve në zgjedhje. Por këto statistika nuk janë kredibile, pikërisht për problemin e elaboruar më lartë. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010, prej të gjithë votuesve vetëm rreth 45% përqind kishin votuar. Mirëpo, nëse do të largoheshin të vdekurit dhe diaspora nga lista e votuesve, përqindja e personave që jetojnë në Kosovë dhe votojnë do të ishte rreth 69% (do të thotë numri votave pjesëtuar për numrin e popullsisë me të drejtë vote në Kosovë). Dallimi është shumë i madh, dhe implikimet janë edhe më të mëdha.

Ndonjëri me shumë të drejtë mund të thotë që pikërisht për shkak se votat e të vdekurve dhe diasporës keqpërdoren, do të thotë për shkak se janë hedhur vota prej njerëzve që nuk kanë votuar, realisht përqindja e të dalurve në zgjedhje është shumë me e vogël sesa 69%. Edhe sikur të supozojmë, shumë zemër gjerësisht, që rreth 9% e votave janë shtuar si rrjedhojë e vjedhjes së votave, prapë një pjesëmarrje në votime prej 60% është dukshëm më e madhe dhe më e pranueshme se që mendohet. Sa për referencë, në Serbi votojnë diku rreth 60% e votuesve, në Shqipëri 53%, Maqedoni 61%, Gjermani 70%, Francë 65%, Britani të Madhe 65%, SHBA  60%, e kështu me radhë.

Si përfundim, problemi më i madh me listat zgjedhore nuk janë të vdekurit por mosvotimi i diasporës. Jo pse të vdekurit nuk janë problem, por që në krahasim me diasporën janë problem i neglizhueshem. Ky fakt duhet të kuptohet drejtë që debati të orientohet në atë se çfarë duhet të bëhet me diasporën që të stimulohen të votojnë. Gjithashtu, institucionet tona janë shumë më legjitime seç kemi menduar. Duke e marrë parasysh problemin me mosvotimin e diasporës, pjesëmarrja në zgjedhje është shumë më e madhe se që ‘thonë statistikat zyrtare. Rrjedhimisht nëse nuk na pëlqejnë rezultatet e zgjedhjeve, ‘fajin’ duhet kërkuar tek votimet e qytetareve e jo tek një pakicë militantësh të cilët votojnë gjithmonë dhe përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve. Qytetaret e ‘mirë’ të cilët nuk po votojnë dhe po i lejojnë militantët të vendosin për fituesit e zgjedhjeve, ekzistojnë në numër shumë të vogël; aq te vogël saqë nuk ia vlen të shpenzojmë shumë kohë dhe mund. Ky argument thjeshtë nuk pinë ujë. 

Loading Facebook comments ...

OpinioneArkiva

Jo më “Qeveri kineze”

07.07.2014 Shkruan Agron Demi

Dhjetë këshilla të Ukshin Hotit për shqiptarët

10.02.2014 Shkruan Bekim Salihu

Nga autoriArkiva

Mbi nostalgjinë e Gjakovës

08.10.2013 Shkruan

Sfilata për jetë a vdekje

21.05.2013 Shkruan

Letër diasporës

08.04.2013 Shkruan