Çka nuk do të mund të bëjë Shpendi

10/12/2013 Shkruan Bekim Salihu
Ky artikull është botuar gjatë muajit dhjetor 2013, ekskluzivisht për gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria” në New York

Shpendi na ka treguar në mënyrë të qartë se çka planifikon të bëjë, por, jo krejt e qartë mbetet ajo çka nuk do të mund të bëjë ai. Është e pakontestueshme se fitorja e tij në Prishtinë ka ngjallur besim, shpresë dhe pritje. Madje pritjet janë të mëdha.

Por çka nuk do të mund të bëjë Shpendi. Pas katër viteve, Prishtina mund të mos jetë me e shëmtuar, por assesi nuk do të jetë më e bukur. Ndërtimet në Prishtinë në 14 viteve të fundit, do të mbeten këtu dhe kështu, mund të ketë ndonjë aksion periferik i cili mund ta rrisë rezultatin e Shpendit, por jo imazhin e Prishtinës. Shpendi, nuk do të mund t’i shfuqizoj dhjetëra, e mbase qindra kontrata, që janë lidhur në gjashtë muajt e fundit nga komuna e Prishtinës e udhëhequr nga Isa Mustafa që kanë të bëjnë me projekte në investime kapitale deri të kontratat për mallra dhe shërbime. Këto kontrata janë lidhur dhe për shfuqizimin e tyre tani me është kompetente vetëm Organi Shqyrtues i Prokurimit, i cili edhe ashtu është jo funksional në gjashtë muajt e fundit.

Shpendi nuk do të mund ta zhbëje Planin Zhvillimor Komunal dhe Planin Zhvillimor Urban i cili është miratuar pak ditë para nisjes se fushatës për zgjedhjet e 3 nëntorit nga ana e udhëheqjes se kaluar komunale. Këto dy plane janë udhërrëfyes strategjik për secilën komunë dhe pas daljes se tyre në gazetën zyrtare konsiderohen të finalizuara se paku për tri vitet e ardhshme.

Shpendi nuk do të mund të nis reformën e proklamuar për ristrukturimin e Drejtorive komunale, ngase për këtë duhet të ndryshoj statutin e komunës për ndryshimin të cilit kërkohen 34 vota në Kuvend nga gjithsej 51 këshilltar sa ka Kuvendi i Prishtinës. Për të marr Shpendi 34 vota në Kuvend i duhet edhe vota e LDK-se ose e së paku njërit nga këshilltaret e kësaj partie, me kusht që gjithë këshilltaret e partive tjera votojnë për ndryshimin e statutit, ngase gjithë këshilltaret e tjerë, pa ata të LDK-ja, janë 33. LDK-ja ndonëse nuk është deklaruar publikisht, indikacionet tregojnë se me shumë do të përpiqet ta sabotoj e bllokoj qeverisjen e Shpendit se sa ta bëjë të kundërtën, ngase ndihet e shokuar nga humbja në kryeqytet.

Shpendi do të mund të disiplinoj mbarëvajtjen e mësimit në shkollat e Prishtinës, por jo edhe ta rrisë cilësinë e saj. Programet mësimore janë kompetencë e Ministrisë së Arsimit. Por edhe nëse kjo kompetencë ndonjëherë kalon në nivelin lokal, cilësia e arsimit në shkolla fillore dhe ato të mesme është ngushtë e lidhur me cilësinë e mësim nxënies në Universitetin e Prishtinës, cilësi kjo që lenë shumë për të dëshiruar. 100% e mësimdhënësve në shkollat e Kosovës kanë marr tituj nga Universiteti i Prishtinës.

Shpendi do të mund ta reformoj dhe modernizoj “Trafikun Urban”, por nuk do të arrijë t’i mënjanojë gjithë operatorët ilegal të cilët qarkullojnë në mënyrë të sofistikuar në të gjitha linjat urbane dhe nder urbane të Prishtinës. Asnjëherë nuk do të arrijë, askush, t’i përcjell të gjitha veturat për të parë se cili nga vozitësit po i ngrit gishtat për të marr udhëtar rrugëve dhe stacioneve të Prishtinës.

Shpendi nuk do të mund t’i shtyjë gjykatat e vendit që të jenë me efikase në adresimin e lendeve të mundshme që mund të parashtroj komuna e Prishtinës. Botërisht mbetet e kuptueshme që gjykatat e Kosovës i zvarrisin lendet me vite, vendimi i tyre pas një apo me shumë viteve bëhet në shumicën e rasteve jo relevant për shumicën e çështjeve.

Shpendi nuk do të mund t’i përshpejtoj procedurat e shpronësimit të tokave private në rastet kur ajo tokë kërkohet për interes publik. Kjo kompetencë është brenda Ministrisë së Financave e cila kryesohet nga një departament që merret me shqyrtimin e gjitha lendeve të shpronësimit në nivel vendi, Prishtina këtu nuk paraqet përjashtim, por pjesë e një tërësie.

Shpendi, nuk do ta mund ta ndryshoj gjendjen ekologjike të Prishtinës, ngase ndotësit e mëdhenj të saj, si KEK-u dhe veturat, janë politika që nuk bijën në nivelin e qeverisjes lokale. Se sa do të jetë vjetërsia e veturave që mund të qarkullojnë rrugëve të Kosovës kjo vendoset nga niveli qendror, se cila është gjendja teknike e tyre dhe se a përdorin karburant cilësor a jo, kjo nuk përcaktohet nga politikat komunale.

Por, Shpendi nuk do të vlerësohet për atë që nuk mund ta bëjë, por do të vlerësohet në bazë të asaj që ka premtuar ta bëjë. Premtimet e dhëna nga ai do të jenë njësia matëse për qeverisjen e Prishtinës në katër vitet e ardhshme. Ai mes tjerash ka premtuar se gjitha zonat e Prishtinës do të kenë çerdhe publike, që Prishtina do te këtë ujë 24 orë pa ndërprerje, që banorët e lagjeve do të kenë parkingje për veturat e tyre, që nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën do të kenë shujtën falas të ushqimit, që Prishtina do të ketë një treg të dedikuar vetëm prodhimeve vendorë, që në Prishtinë me nuk do të ndërtohet pa leje, për pensionistët dhe rastet sociale udhëtimi me autobus do të jetë falas, familjet që janë në asistencë sociale do të lirohen për pagesën e ujit deri në 18 mijë litra gjatë muajit, çdo shkollë do të ketë ambulancën ose dhomën e ndihmës së pare, në secilën çerdhe do të ketë psikolog dhe mjek, si dhe premtimi që do të shkoj e kthehem nga puna duke e shfrytëzuar transportin publik.
Loading Facebook comments ...

OpinioneArkiva

Jo më “Qeveri kineze”

07.07.2014 Shkruan Agron Demi

Dhjetë këshilla të Ukshin Hotit për shqiptarët

10.02.2014 Shkruan Bekim Salihu

Nga autoriArkiva

Dhjetë këshilla të Ukshin Hotit për shqiptarët

10.02.2014 Shkruan Bekim Salihu

Kush mund t’i japë përgjigje nipit tim?

10.01.2014 Shkruan Bekim Salihu

Prishtina, qyteti që “zhduket” në mesditë

10.10.2013 Shkruan Bekim Salihu