Prishtina, qyteti që “zhduket” në mesditë

10/10/2013 Shkruan Bekim Salihu
Ky artikull është shkruar dhe botuar gjatë muajit tetor 2013, ekskluzivisht për gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria” në New York

Pika me e lartë në Prishtinë gjendet në fshatin Butovc. Nga aty qyteti mund ta shohësh si në shuplakë të dorës, por jo gjatë gjithë ditës. Në mesditë, papritmas, qyteti nis dhe “zhduket”. Ekspertët thonë se kjo vjen nga ndotja e lartë e mjedisit e shkaktuar nga numrit i madh i automjeteve që përshkojnë rrugët e Kryeqytetit, por edhe nga termocentralet në Obiliq.

Banorët e Butovcit nuk i dinë arsyet, ata i dinë pasojat: thonë se “zhdukja” e Prishtinës nga pamja para tyre është fenomen i viteve të fundit. “Më herët ka ndodhur që nga kjo pikë qyteti të mos shihet vetëm gjatë ditëve me shiun më të dendur, ndërsa tani pothuajse për çdo ditë, diku pas orës 13:00 fillon duke u zvogëluar dukshmëria dhe për pak orë shikimi i qytetit nga kjo pikë bëhet krejt i pamundur” është shprehur për gazetën “Illyria”, banori i fshatit Butovc, Remzi Troshupa.

Sipas tij, Prishtina në mesditë mbulohet nga zymtësia. “Duket sikur qyteti të mbulohet nga retë e bardha apo nga tymi. Para me shumë se një dekade nuk ka ndodhur kjo, nga Butovci ke mundur të shihesh Prishtinën në të gjitha periudhat e ditës, përderisa tani kjo mund të bëhet vetëm deri në mesditë” ka pohuar Troshupa. Fshati Butovc sipas matjeve të bëra nga Institutit Hidrometeorologjik i Kosovës, ka një lartësi prej 1.380 metër mbi nivelin e detit.

“Pika me e lartë në Prishtinë gjenden në vargmalet e njohura të Gollakut, përkatësisht në fshatin Butovc. Atje maja prek lartësinë afro 1.400 metër, mbi nivelin e detit” ka thënë për “Illyrin” Syl Tahirsyla, Drejtori i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.
Sipas tij, në të gjithë Kosovën shkalla e ndotjes së ajrit llogaritet të jetë dy deri në trefish me e lartë se normat e kërkuara ekologjike, por Prishtina paraqet specifik në këtë mes, ngase shkalla e ndotjes është dukshëm më e lartë. “Në nivelin e ndotjes ka ndikuar shumëfishimi i automjeteve dhe gjendja jo e mirë teknike e tyre, prerja masive e pyjeve, dëmtimi i shtretërve të lumenjve si dhe prania e termocentraleve që energjinë e prodhojnë nga qymyri” ka pohuar Tahirsyla.


Mbi 60% e prishtinaseve të pakënaqur me gjendjen ekologjike në qytetin e tyre

Në një hulumtim të opinionit publik i realizuar nga USAID/DEMI në fund të vitit 2012, tregon se 61% e prishtinaseve janë shprehur të pakënaqur me gjendjen ekologjike në qytetin e tyre. Sipas këtij hulumtimi, shkalla e angazhimit qytetar në Prishtinë për të mbrojtur ambientin është me e ulëta në nivel të vendit.

Kësisoj, 77% e qytetarëve të anketuar nga ana e USAID/DEMI janë shprehur se nuk kanë marr pjesë asnjëherë në ndonjë aktivitet që ka pasur për qellim qoftë pastrimin, qoftë sensibilizimin e opinionit për domosdoshmërinë e mbrojtjes së ambientit. Këto shifra janë konfirmuar edhe nga hulumtimi i zhvilluar nga UNDP i përmbledhur në raportin “Mozaiku i Kosovës”. Ndryshe niveli i ndotjes së mjedisit në Prishtinë nuk shihet vetëm nga largësia e saj, si Butovci, por edhe në brendi të vetë qytetit. Banorët përgjatë rrugës “Agim Ramadani”, rrugë kjo që graviton në qendër të qytetit, thonë të kenë të pamundur t’i hapin dritaret nga sasia e madhe e pluhurit që krijohet në dhomat e tyre. “Vazhdimisht i mbajmë të mbyllura dritaret, por edhe për kundër kësaj, për çdo ditë krijohet një shtresë pluhuri mbi orenditë dhe kjo tregon se sa i ndotur është ambienti ku jetojmë” ka pohuar Vjollca Ibishi, banore e kësaj zone.

Ajo tregon se në vitin 2011 kanë ardhur disa pjesëtar gjerman që kanë qenë pjesë e misionit në Kosovë për të banuar në ndërtesën e tyre, por që janë tërhequr pas pak javësh, arsyeja e zhurmës se madhe dhe pluhurit. “Ata e kanë konsideruar këtë si shumë të dëmshëm për shëndetin e tyre dhe janë larguar” ka potencuar Vjollca.
Për gjendjen jo të mirë të cilësisë së ajrit në Prishtinë, flasin edhe udhëheqësit e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, institucion ky i nivelit qendror që për fokus ka adresimin e prioriteteve ekologjike dhe zbatimin e kritereve në mbrojtjen e ambientit.

“Gjendja ekologjike në përgjithësi nuk është e mirë, Prishtina, Mitrovica, Drenasi, Obiliqi dhe Hani i Elezit janë qytetet me shkallën më të lartë të ndotjes. Përmirësime ka, por jo ne nivelin që synojmë, gjendja ka qenë edhe me e keqe, presim dhe po punojmë që në vitet e ardhshme cilësia e ajrit të vije duke u rritur dhe në ketë do të ndikojnë politikat dhe masat rigoroze që do t’i ndërmarrim, por presim edhe rritje të vetëdijes së qytetarëve për ta ruajtur ambientin dhe për t’u kujdesur për të” ka thënë Dardan Gashi, Ministër i Ministrisë se Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor.


Raporti i Bankës Botërore shpërfaq ndotjen në Prishtinë si më të madhen në Evropë

Një raport për gjendjen mjedisore i Bankës Botërore i publikuar në fillim te qershorit te vitit 2012 i bazuar në matjet e bëra nga ekspertet përkatës, tregojnë se Prishtina është qyteti me i ndotur i Evropës nga prania e grimcave të vogla në ajër, të rrezikshme për sistemin e frymëmarrjes tek njerëzit.

“Niveli i lirimit të grimcave në ajër është mesatarisht 39.5 (pluhur) në Prishtinë, deri në tri herë më shumë se sa në shumicën e qyteteve evropiane. Berlin këto grimca hasen në 7.1, ndërsa në Londër 14.8” thuhet në raportin e Bankës Botërore. Sipas këtij raporti, kostoja e ndotjes së ajrit në viset urbane, me ndikimin më të rëndë shëndetësor që shkaktohen nga grimcat të cilat mbajnë përgjegjësinë për mortalitetin nga sëmundjet kardiopulmonare dhe nga kanceri në mushkëri dhe për bronkitin kronik dhe sëmundjet respiratore. Ndotja e ajrit llogaritet se shkakton apo ndikon në 835 vdekje të parakohshme në Kosovë, 310 raste të reja të bronkitit kronik, 600 shtrirje në spital dhe 11.600 vizita në emergjencë në çdo vit.


Ndotja e ajrit, tregues që integrimi në BE është rrugë e largët

Njëri ndër kriteret bazë për integrimin në Bashkimin Evropian është cilësia e ajrit dhe aplikimi i politikave të përshtatshme në mbrojtjen e ambientit. Sipas njohëseve të integrimeve evropiane, Kosova në këtë pikë çalon.

“Praktikat e deritanishme në Kosovë tregojnë se nuk kemi respekt dhe kujdes ndaj ambientit, papastërtia shihet në çdo skaj të qytetit dhe kjo është pasqyra me reale se sa kemi kujdes ndaj ambientit” ka thënë për gazetën “Illyria” Ahmet Zylfaj, mësimdhënës i lendes së integrimeve evropiane. Sipas tij, BE fillimisht kërkon që baza ligjore që i adreson çështjet ekologjike duhet të jetë e njëjtë me atë që aplikojnë shtetet brenda këtij bashkimi.

“Akoma Kosova nuk ka nisur të përshtat legjislacionin e saj me atë të BE-së. Kur të nis kjo fazë do të kërkoj me vite kohë, dhe tek pastaj BE-ja fillon që të vlerësoj gjendjen reale në terren, pra njëherë e shikon dhe e përmirëson gjendjen teorike dhe pastaj e vlerëson gjendjen praktike” ka theksuar Zylfaj. Ky i fundit ka përmendur disa nga sfidat që aktualisht e ndajnë Kosovën nga praktikat e BE-së.

“Ne BE kanë kujdes dhe konsideratë ndaj maleve dhe ujërave, këtu tek ne tregohet një mos kujdes i madh në raport me këto dy çështje. Ndotja nuk vije vetëm nga termocentralet, por edhe nga dëmtimi i natyrës” ka pohuar Zylfaj, teksa ka konsideruar se institucionet duhet të ndërmarrin fushata me të shpeshta me qellim të vetëdijesimit të qytetarëve me rendësin e mbrojtjes së ambientit. Rruga e Kosovës për në BE nuk duhet të jetë e afërt, edhe banorëve të Butovcit nuk u duket e afërt koha kur do ta shohin nga fshati i tyre edhe pas mesditës qytetin e tyre, Prishtinën.
Loading Facebook comments ...

OpinioneArkiva

Jo më “Qeveri kineze”

07.07.2014 Shkruan Agron Demi

Dhjetë këshilla të Ukshin Hotit për shqiptarët

10.02.2014 Shkruan Bekim Salihu

Nga autoriArkiva

Dhjetë këshilla të Ukshin Hotit për shqiptarët

10.02.2014 Shkruan Bekim Salihu

Kush mund t’i japë përgjigje nipit tim?

10.01.2014 Shkruan Bekim Salihu

Çka nuk do të mund të bëjë Shpendi

10.12.2013 Shkruan Bekim Salihu