Kush mund t’i japë përgjigje nipit tim?

10/01/2014 Shkruan Bekim Salihu
Ky artikull është shkruar dhe botuar gjatë muajit janar 2014, ekskluzivisht për gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria” në New York

Të ulur para televizionit interesimi im ishte krejtësisht i fokusuar në lajmet e ditës të së hënës. Lajmet nisin me protestat e gjakovarëve dhe pamundësinë e Aleksander Vulinit për të vizituar manastirin ortodoks serb në këtë qytet. Qëndroja në dhomë së bashku me nipin 12 vjeçar. Kisha një bindje se atij me shumë po i interesonte krisma e zjarrit në shporet se sa ajo që shikoja në televizion.

Ai ndonëse dukej i pa interesuar për lajmet, nga pyetjet që m’i parashtroi krijova bindjen që i ka dëgjuar ato më vëmendje. “E pse dajë ata e kanë lanë me hy në Kosovë e nuk po e lanë me hy në Gjakovë?” Nga kjo pyetje sa isha i befasuar aq edhe i ngushtuar, jo pse me pyeti, por nuk dija se si t’i përgjigjesha. Zgjodha që t’i jap një përgjigje të ngjashme me atë se si e interpretonin televizionet tona protestën e se hënës të gjakovarëve.

“Po nuk e kanë lënë të shkojë në Gjakovë, ngase atje Serbia ka bërë krime”.
U lehtësova për pak, ngase i thashë vetes, me ketë përgjigja do ta shuaj kureshtjen e nipit. Por jo, ai me ktheu “por mësuesi na ka thënë se Serbia në krejt Kosovën ka bërë gjëra të ngjashme?” Në këtë pyetje nuk munda më të bazohesha në versionet televizive për t’i dhenë përgjigje nipit.

Vendosa që t’i jap një përgjigje të ngjashme me atë të retorikes politike të liderëve kosovarë. “Po shiko tani po mundohemi që t’i rregullojmë raportet me Serbinë, a e ke mësuar nga historia që Franca dhe Gjermania kanë luftuar shumë mes veti, por tani janë miq të mirë”. Por, duket që nipi kishte mësuar mirë mësimin nga faqet e historisë së klasës së pestë. “Po, por, Franca hala merr pare prej Gjermanie për shkak të shtëpive që ua kanë kall e ne a marrim pare prej Serbia”. Këtu u bëra i drejtpërdrejt, “jo nuk marrim para nga Serbia”. “E a po e sheh se Kosova dhe Serbia nuk janë njëjtë si Franca dhe Gjermania” m’u kundërpërgjigj nipi.

E pranoj që pyetjet e nipit me ngjallën befasi, por me vunë edhe në huti. E pranoj që më mungoi sinqeriteti në bisedë me nipin, për faktin se zgjodha të mos bëjë bisedë me nuanca të urrejtjes dhe frikës. Në fund, vendosa ta çorientoj bisedën me nipin, e pyeta se çka mendon ai që do të bëhet kur të rritet, një pyetje kjo e zakonshme dhe e përgjithshme në mjediset kosovare. “Do ta studioj fizikën, me pëlqen”. Këtu e përmbylla bisedën me nipin. Nëse ai do te arrijë të studiojë fiziken, atëherë do të mësojë diçka të vlefshme edhe nga politika, raportin e forcave dhe ndër-lidhshmërinë mes aksionit dhe reaksionit.

Nipi do të vazhdojë të rritet, shume dilema e pyetje do t’i gjejë e zgjidh vete, por po kaq dilema e pyetje do të mund t’i krijohen e t’i bëhen të pashpjegueshme. Nipi doli për pak, por pyetjet e tij me futen në mendime. Aleksander Vulinit iu ndalua të hyjë të hënën në Gjakovë, por i njëjti tash e dy vite shëtitet cep më cep të Kosovës, deri vonë me uniformen e paramilitarit e me çizme ushtarake. Liderët kosovarë në çdo takim, për çdo ditë e në çdo deklaratë thërrasin e bërtasin për vlera evropiane, të integrimit , pajtimit e normalizimit. Vulini, ndërkaq e bënë të kundërtën. Thërret serbët që ta dëgjojnë Beogradin, e quan Kosovën “djep të tyre” dhe betohet se do të krijojë ‘republika serpska në Kosovë’.

Përderisa Kosova po angazhohet për politika evropiane, Daçiçi në Serbi kërkon rikuperim të figurës së Rankoviqit, figurë kjo e cila ka torturuar, likuiduar dhe internuar mjera kosovarë. Politika e jashtme e Kosovës nuk ka reaguar në lidhje me deklaratat e zyrtarit më të lartë të Serbisë. Në vend të kësaj, politika e jashtme e Kosovës ka reaguar ndaj pretendimeve të Koresë se Veriut për ta sulmuar Jugun si dhe e ka përshëndetur marrëveshjen e arritur për shkatërrimin e armeve kimike të Sirisë, pak ditë pasi që zyrtarisht Kosova kishte kërkuar intervenim ndërkombëtar ndaj Sirisë.
Teksa i mendoja këto, nipi hyri në dhomë ku qëndroja dhe me tha se ka ndryshuar bindje “nuk do ta studioj fizikën, por astronominë, kam dëshirë të di se qysh funksionojnë planetet e tjera”.
Loading Facebook comments ...

OpinioneArkiva

Jo më “Qeveri kineze”

07.07.2014 Shkruan Agron Demi

Dhjetë këshilla të Ukshin Hotit për shqiptarët

10.02.2014 Shkruan Bekim Salihu

Nga autoriArkiva

Dhjetë këshilla të Ukshin Hotit për shqiptarët

10.02.2014 Shkruan Bekim Salihu

Çka nuk do të mund të bëjë Shpendi

10.12.2013 Shkruan Bekim Salihu

Prishtina, qyteti që “zhduket” në mesditë

10.10.2013 Shkruan Bekim Salihu