Universiteti i Prishtinës dhe adaptimi brenda të keqes

30/01/2014 Shkruan Bekim Salihu
Ky artikull është shkruar dhe botuar gjatë muajit janar 2014, ekskluzivisht për gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria” në New York

Falsifikimi i notave, i diplomave, regjistrimi me para, përfundimi i studimeve duke dhënë para, marrja e titujve duke u bazuar në botime pseudo-shkencore, janë vetëm disa nga gjerat e shpërfaqura se fundmi në Universitetin e Prishtinës. Realisht, por fatkeqësisht, nuk me tingëllojë rastësi fakti se pikërisht personat falsifikues të diplomave dhe notave rezultuan të kenë qenë pretendues për pozita politike në zgjedhjet e fundit, madje se paku njeri nga ta tani me ka fituar ulësen në Kuvendin komunal të Prishtinës.

Ukshin Hoti në shkrimet e tij të përmbledhura në librin “Filozofia Politike Shqiptare” thotë se në disa raste shqiptarët kanë humbur duke u përpjekur të adaptohen brenda të keqes, në vend që të konsolidohen ta kundërshtojnë atë. Përpjekja për t’u adaptuar brenda të keqes që e ka kapluar Universitetin e Prishtinës vazhdon, përpjekja për ta ndryshuar, përmirësuar imazhin dhe cilësinë me shume është individuale se sa institucionale.

Menjëherë pas arrestimit të dymbëdhjetë personave në Universitet, njeri nga personat që bënë pjesë në hallkën e menaxhmentit të Universitetit, shfrytëzoi hapësirën televizive, në një emision me premisa humoristike që të tregojë ‘seriozitetin’ e punës. Ai fillimisht ia bëri të ditur audiencës se për të folur për sukseset e UP duhet orë, javë e muaj.

Për aq sa foli tregoi se kanë qenë studentët e këtij Universiteti që janë ngritur kundër Serbisë, që jo vetëm kanë qenë nismëtarë, por edhe vendimtarë në proceset historike të Kosovës. Audienca duartrokiste, moderatori u zgërdhiej, të gjithë dukeshin të kënaqur. Pra pesëmbëdhjetë vite pas lufte, Universitetit ende justifikikohet me demonstratat e ‘81, ‘89, ‘97. Këto padyshim kanë qenë të rëndësishme, por në pikëpamje patriotike.

Tani duhet vlerësuar e referuar në pikëpamje akademike. Për të (mysafirin), e rëndësishme ishte që të diplomuarit në nivele të ndryshme në UP-së janë në Qeveri, në Kuvend, në diplomaci e në akademi. I njëjti për disa vite paska dhënë mësim në degën e gazetarisë po në këtë Universitet. I pyetur se si e vlerëson gazetarinë e tanishme kosovare, ai përgjigjet. “Pjesa dërrmuese e gazetarëve janë ish studentë në degën ku kam ligjëruar. Por çfarë t’u them, sot po e shoh një gazetari sipërfaqësore, jo profesionale e çorientuar”.

Nëse je duke pare kështu gazetarin, atëherë shikoje kështu edhe universitetin edhe qeverinë, Kuvendin e sferat e tjera. Sepse gjeneza e sipërfaqësores dhe joprofesionales po përhapët nga aty. Nuk mundesh të arsyetosh dhe forcosh tezen se vetë je profesional si mësimdhënës, ndërsa nxënësit kanë dalë sipërfaqësor e jo profesionalë.
Kur isha student i këtij Universiteti, me kujtohet një rast kur dy kolegë iu nënshtruan provimi me shkrim në lëndën e gjuhës angleze, njeri e dinte shumë mirë gjuhën, madje punonte në një qendër të përkthimeve, ndërsa tjetri nuk dinte as të komunikonte e lerë të shkruante apo të përkthente nga kjo gjuhë.

Rezultati pas provimit ishte kështu: ai që nuk dinte anglisht kishte arritur notën 10, ndërsa njohësi i gjuhës notën 6. Kjo është vetëm një nga rastet e shumta që tregon për sistemin, gjendjen dhe kualitetin e arsimit kosovar. Universiteti ynë mund të japë notën 10, por kjo nuk do të bëjë ty të flasësh anglishten. Me të dy protagonistet e notave edhe sot takohemi kohe pas kohe për kafe, i pari vazhdon të punojë e ta materializojë gjuhën angleze, ndërsa i dyti vazhdon të investojë para në kurse private për të mësuar se paku nivelin fillestar të komunikimit.

Përpjekja individuale e disa profesorëve në Universitet për kualitet, mbarëvajtje dhe vlerësim real, duhet shndërruar në platformë të sistemit e të institucionit. Adaptimit brenda të keqes nuk do ta zhbëjë të keqen, por t’i japë jetë e forcë asaj. Shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti në një shkrim të tij thoshte njeriu i paarsimuar sheh qartë dhe njeh vetëm vetveten dhe gjërat rreth tij. Gjysmë i arsimuari nuk sheh vetëm atë që shikon, por edhe hijet që i duken se ecin pranë tij. Ndërsa i arsimuari i mirëfilltë nuk e lodh shikimin me gjërat që ka pranë vetes, por do të shikojë largësitë, jeton me bindjen se gjithmonë do mbetet vetëm një nxënës që duhet të mësojë, “mjaft doktoruam, le të mësojmë pak”.
Loading Facebook comments ...

OpinioneArkiva

Jo më “Qeveri kineze”

07.07.2014 Shkruan Agron Demi

Dhjetë këshilla të Ukshin Hotit për shqiptarët

10.02.2014 Shkruan Bekim Salihu

Nga autoriArkiva

Dhjetë këshilla të Ukshin Hotit për shqiptarët

10.02.2014 Shkruan Bekim Salihu

Kush mund t’i japë përgjigje nipit tim?

10.01.2014 Shkruan Bekim Salihu

Çka nuk do të mund të bëjë Shpendi

10.12.2013 Shkruan Bekim Salihu

Prishtina, qyteti që “zhduket” në mesditë

10.10.2013 Shkruan Bekim Salihu