Implikimet praktike të marrëveshjeve për veriun

07/02/2013 Shkruan Agron Demi

Krijimi i “fondit zhvillimor për veriun” dhe dedikimi i të hyrave doganore për zhvillimin e pjesës veriore, është pikërisht ajo çfarë është kërkuar me planin “6 pikësh” të Ban Ki-Moon në nëntor të 2008

Publikuar në gazetën "Zëri", 20.01.2013

Pas takimit të fundit në Bruksel më 17 janar 2013 në mes të kryeministrit të Kosovës dhe atij Serbisë, Zyra e Përfaqësueses së Lartë të BE për Politikë të Jashtme dhe Siguri Catherine Ashton, për takimin mbi pesë orësh lëshoi një gjysmë faqesh komunikatë, ku ndër të tjera thuhet se "dy kryeministrat arritën marrëveshje të përkohshme lidhur me doganat, taksat dhe TVSH"! Ajo çfarë nuk kuptohet është se për çfarë është marrë vesh?

Siç dihet, sipas Rezolutës së Kuvendit të Kosovës për negociatat Kosovë-Serbi, çdo marrëveshje duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës. Deri më tani, marrëveshjet e arritura në Bruksel, me qëllim të ikjes së termit "marrëveshje" janë quajtur konkluza. Mirëpo, çështja e doganave, taksave dhe TVSH, sido që të emërtohet, prek ligjet dhe kushtetutshmërinë e Kosovës, dhe si e tillë domosdo duhet ratifikuar në Kuvend.

Sipas Pakos së Ahtisaarit dhe ligjet e miratuara bazuar në këtë dokument, komunat e Kosovës duhet të kenë autonomi financiare, por pikat doganore dhe grumbullimi i të hyrave doganore, janë kompetencë e nivelit qendror dhe asesi nuk nënkupton se komuna të caktuara do të përfitojnë direkt pikat doganore të cilat ndodhen në territorin e tyre. Por, në këto negociata, nuk është duke u biseduar se si të gjej zbatim Pako e Ahtisaarit edhe në pjesën veriore të Kosovës, por si të implementohet një nga gjashtë pikat e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB Ban Ki-Moon, plan i bërë publik që nga nëntori i 2008. Sipas Planit Gjashtë Pikësh të Ban Ki-Moon, Kosova vazhdon të jetë një zonë e vetme doganore, por të hyrat e grumbulluara në pikat 1 dhe 31 do të shfrytëzohen për zhvillimin e komunitetit në atë zonë. Apo, siç ka deklaruar Kryeministri Hashim Thaçi, do të krijohet një "fond i veçantë zhvillimor për veriun."

Sipas të dhënave të Agjencionit të Statistikave të Kosovës për vitin 2011, të hyrat doganore në pikat 1 dhe 31, të cilat vazhdojnë të regjistrohen në terminalin e Mitrovicës, kapin vlerën e 191 milion eurove mallra apo 7.6% e të hyrave totale doganore. Sipas Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën të po të njejtit vit, thuhet se rreth 25% e mallrave që hyjnë në Kosovë nuk lajmërohen në terminal. Duke marrë parasysh se në vitin 2011 Kosova ka aplikuar masat e reciprocitetit në tregti me Serbinë dhe Bosnjën dhe të hyrat në portat 1 dhe 31 kanë qenë më të ulëta, rezulton se të hyrat doganore nga këto pika për vitin 2012 janë shumë më të mëdha. Andaj mund të thuhet se me gjithë informalitetin e lartë dhe shmangiet nga doganimi i mallrave, buxheti i Kosovës vjel rreth 50 milion euro të hyra buxhetore nga pikat doganore 1 dhe 31. Ajo çfarë nuk merret vesh edhe më tutje është se sa përqind e kësaj shume do të shfrytëzohet për krijimin e "fondit zhvillimor për veriun"? Nëse 50% e kësaj shume do të ndahet për veriun (disa zëra qeveritar janë shprehur se kjo përqindje është në nivelin e 60%) atëherë "fondi zhvillimor për veriun" do të ketë minimum 25 milion euro.

"Fondi" prek një mori ligjesh të cilat duhet të ndryshohen, e të cilat domosdo duhet të shkojnë përmes Kuvendit të Kosovës. Andaj, nuk mjafton vetëm informimi i liderëve të partive se çfarë është biseduar në Bruksel, ashtu siç është veprur deri më tani, por krijimi i "Fondit" kërkon ratifikim të marrëveshjes në Kuvend dhe ndryshim të një mori ligjesh. Së pari, sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, Kosova ka një fond të konsoliduar dhe të gjitha paratë publike derdhen në atë fond. Krijimi i një fondi të veçantë është kompetencë e Kuvendit të Kosovës. Sipas Kodit Doganor dhe të Akcizave të Kosovës, legjislacioni doganor i Republikës së Kosovës zbatohet në mënyrë unike në tërë Kosovën. Destinomi i të hyrave doganore nga dy pikat në veri, ndryshe nga të hyrat në tetë pikat tjera doganore, nënkupton se legjislacioni nuk do të zbatohet në mënyrë unike në tërë Kosovën. Gjithashtu, në bazë të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë si dhe Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, komunat e Kosovës marrin grant nga Qeveria, duke u bazuar në numrin e popullsisë, territorin dhe numrin e popullsisë pakicë. Kjo formulë është unike për tërë komunat e Kosovës, andaj veçimi i tri komunave veriore (dhe Mitrovicës së Veriut në të ardhmen), bie ndesh me ligjet në fuqi.

Por, edhe sikur të respektoheshin të gjitha procedurat ligjore dhe të bëhej ndryshimi i ligjeve në fuqi nga ana e Kuvendit të Kosovës, a ka nevojë veriu për fond të veçantë zhvillimor? Veriu i Kosovës nuk është më pak i zhvilluar ekonomikisht dhe nga pikëpamja infrastrukturore se sa pjesa tjetër e Kosovës. Komunat veriore, përkundër mos bashkëpunimit dhe mos raportimit tek institucionet e Republikës së Kosovës, në vazhdimësi kanë pranuar fonde nga Qeveria e Kosovës. Në tri vitet e fundit, komunat veriore kanë marrë fonde publike në total prej 19 milion eurosh. Këto mjete janë shfrytëzuar për investime kapitale, paga të mësimdhënësve, mjekëve dhe shërbyesve civil. Në anën tjetër, të hyrat vetanake të këtyre komunave dhe derdhja e këtyre të hyrave në buxhetin e Kosovës kanë qenë pothuajse zero. Në vitin 2011, Komuna e Zveqanit ka raportuar të hyra vetanake në shumën e 450 eurove dhe asnjë cent gjatë 2012. Buxheti për këto tri komuna veriore nuk i është nënshtruar asnjëherë auditimit nga Zyra e Auditorit Gjeneral. Qytetarët e kësaj hapësire në vazhdimësi kanë përfituar nga buxheti i Kosovës, buxheti i Serbisë, mos pagesat për shërbimet publike, shmangia e tatimeve, marrja me kontrabandë, etj., andaj, gjendja sociale e banorëve serb në këtë pjesë të Kosovës është dukshëm më e mirë se ajo e qytetarëve tjerë. Në këtë mënyrë, nuk qëndron arsyetimi se pjesa veriore është ekonomikisht më e pa zhvilluar. Dhe, përkundër të gjitha këtyre masave, nuk ka asnjë garanci, se komunat veriore dhe Qeveria e Serbisë do të ndryshojnë qëndrim sa i përket kësaj pjese të territorit.

Në këtë mënyrë, marrëveshjet e arritura në Bruksel për doganat, fondin zhvillimor dhe TVSH, do të kenë implikime të mëdha në politikat publike dhe asesi nuk mund të kalohen në heshtje.
Loading Facebook comments ...

OpinioneArkiva

Jo më “Qeveri kineze”

07.07.2014 Shkruan Agron Demi

Dhjetë këshilla të Ukshin Hotit për shqiptarët

10.02.2014 Shkruan Bekim Salihu

Nga autoriArkiva

Jo më “Qeveri kineze”

07.07.2014 Shkruan Agron Demi

Krijuesit e Kaosit

30.12.2013 Shkruan Agron Demi

Nuk do duhej të ishte befasi

05.12.2013 Shkruan Agron Demi

Investimi në tela

28.11.2013 Shkruan Agron Demi

Kur shteti të ka borxh

20.11.2013 Shkruan Agron Demi

Katër Fatkeqësitë e Buxhetit të Kosovës

12.11.2013 Shkruan Agron Demi

Paralizimi i shtetit në kohë zgjedhjesh

07.11.2013 Shkruan Agron Demi

Shampanja për “Kosovën e Re”!

30.10.2013 Shkruan Agron Demi

Çfarë të hetohet?

24.10.2013 Shkruan Agron Demi

Premtimi i Parajsës në Komuna

05.09.2013 Shkruan Agron Demi

Shteti Joefiçient

28.08.2013 Shkruan Agron Demi

Ndikimi Ekonomik i DokuFest

21.08.2013 Shkruan Agron Demi

Obsiesionimi pas rrugëve

14.08.2013 Shkruan Agron Demi

Pasqyra e Shtetit

07.08.2013 Shkruan Agron Demi

Kostoja e Premtimeve te Paarsyeshme

02.08.2013 Shkruan Agron Demi

Hambari i Kryeministrit

24.07.2013 Shkruan Agron Demi

Me të mbytë me PowerPoint

18.07.2013 Shkruan Agron Demi

Zhvillimi si Liri

10.07.2013 Shkruan Agron Demi

Mashtrimi me Diploma

04.07.2013 Shkruan Agron Demi

Rrugët dhe Pagat nuk mjaftojnë

27.06.2013 Shkruan Agron Demi

Publikoni të dhënat!

20.06.2013 Shkruan Agron Demi

Alkimistët

12.06.2013 Shkruan Agron Demi

Çmimi i dështimit

16.05.2013 Shkruan Agron Demi

Haraç-Ekonomia

08.05.2013 Shkruan Agron Demi

Papunësia?!

02.05.2013 Shkruan Agron Demi

Dështimi i një tentim mashtrimi financiar

25.04.2013 Shkruan Agron Demi

Kronologjia e një procesi të dështuar

18.04.2013 Shkruan Agron Demi

Privatizimi ekstrem

11.04.2013 Shkruan Agron Demi

Si i shpenzoj shteti paratë tona më 2012?

04.04.2013 Shkruan Agron Demi

Shit për të shtruar

21.03.2013 Shkruan Agron Demi

Strategjia e Zhvillimit të Paqëndrueshëm

13.03.2013 Shkruan Agron Demi

Projekti i papunësisë

06.03.2013 Shkruan Agron Demi

Mësimet nga Shqipëria dhe Bullgaria

28.02.2013 Shkruan Agron Demi

Mitet e vjetra për “Kosovën e Re”

12.02.2013 Shkruan Agron Demi

Mos pyet!

17.06.2012 Shkruan Agron Demi

Rrjeti i Dështimit

30.09.2011 Shkruan Agron Demi

Fillimi dhe fundi i një mandati të mbaruar

07.02.2011 Shkruan Agron Demi

Ti qasesh të paqasshmes

31.08.2010 Shkruan Agron Demi