Mitet e vjetra për “Kosovën e Re”

12/02/2013 Shkruan Agron Demi

Kostoja për kurimin e sëmundjeve të shkaktuara nga veprimtaria e termocentraleve në Kosovë shkon deri në 100 milion euro në vit. Kjo kosto edhe më tutje do të paguhej nga qytetarët, edhe pas ndërtimit të “Kosovës së Re”. Jetëgjatësia e termocentralit të ri do të ishte 40 vite, çka ndikimi i dëmshëm në shëndetin e popullatës për këto 40 vite do të arrinte minimum 4 miliard euro.

Publikuar në "Koha Ditore", 10.02.2013

Javën që lamë pas, Konsorciumi i Organizatave të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), lansoi kampanjën për ajër të pastër. Që nga fillimi, si pjesë e organizimit të kësaj kampanje, e kemi ditur se ne po prekim një fushë rreth së cilës janë krijuar shumë mite. E kemi ditur që marrja me këtë çështje nuk është temë populliste. Mirëpo, si organizata të shoqërisë civile nuk jemi grumbulluar për të avokuar për politika populliste, por për politika të drejta zhvillimore. Kampanja për ajër të pastër është vazhdim i fushatës mbi dy vjeçare të KOSID për projekte të qëndrueshme energjetike. Në reagimet e shumta të cilat u bënë kundër kësaj kampanje, e cila nuk kërkon asgjë më shumë e asgjë më pak se sa ajër të pastër dhe shëndet më të mirë për qytetarët, e përbashkëta e të gjithave ishte se Kosova ka mbi 14 miliard rezerva qymyri, të cilat duhet shfrytëzuar me çdo kusht.

Aktualisht, 98% e energjisë në Kosovë prodhohet nga qymyri, përmes dy termocentraleve të cilat së bashku kanë kapacitet operacional prej 1171MW, kurse importohen 784,849 MWh energji elektrike, apo rreth 15% e te gjithë asaj qe prodhojmë. TC “Kosova A” në vitin 2010 prodhoi 1,684 GWh energji. Por, paradoksi është se e tërë energjia e prodhuar nga Kosova A “shkoi për lesh”, ngase rreth 1,879 GWh energji humbet vetëm në sistemin e distribucionit. Nëse arrihet eliminimi i humbjeve teknike dhe komerciale (së paku në nivel të pranueshëm me kriteret e BE), mbyllja e “Kosovës A” nuk do të shkaktonte asnjë pasojë në furnizimin me energji elektrike. Kërkesat për energji elektrike në Kosovë sillen nga 850MW, në kushte normale atmosferike, deri në 1200MW gjatë sezonit të dimrit. Ky deficit i energjisë do të mund të mbulohej nëse merren këta hapa: investimet në rritjen e efiçiencës së energjisë dhe hapja rrugë për investitorët për të investuar në energji të ripërtërishme.

Mbi 60% e energjisë në Kosovë shfrytëzohet për ngrohjen e hapësirave të banimit. Investimet në rritjen e efiçiencës së energjisë do të ulin dukshëm kërkesën për energji. Në anën tjetër, 14 investitor potencial janë duke pritur lejen e punës nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë për të investuar në burime të ripërterishme të energjisë elektrike, ku kapaciteti total i prodhimit vetëm nga këta 14 investitor është 175MW, pa llogaritur këtu edhe kapacitetet e prodhimit të energjisë elektrike nga Hidrocentrali i Zhurit dhe hidrocentralet tjera më të vogla, të identifikuara nga vetë Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Atëherë, përse Qeveria e Kosovës, në vend se të ndërmarr këta hapa për zgjidhjen e problemit të energjisë, ka ngulur këmbë që të ndërtoj termocentral të ri? Për shkak se: është më lehtë ndërtimi i një termocentrali të vetëm i cili do të tejkaloj nevojat për furnizim me energji, se sa të ndërmerret hapat tjerë të cilët kërkojnë eliminimin e humbjeve, investime në efiçiencë, hapja rrugë e investimeve në energji të ripërtërishme. Por, rruga më e lehtë dhe më e shkurtër, nuk është rruga më e mirë për zgjidhjen e problemeve të energjisë.


 “Kosova e Re” vs. Furnizimi i qëndrueshëm me ujë

Është fakt se një nga pengesat më të mëdha të të bërit biznes në Kosovë është furnizimi jo i qëndrueshëm me energji. Por, njësoj shqetësim paraqet edhe mungesa e ujit. Sipas Strategjisë për Zhvillimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme 2012-‘16, dy janë shqetësimet kryesore të bizneseve kosovare: mos furnizimi i qëndrueshëm me ujë dhe me energji elektrike. Termocentrali i ri do të kërkoj sasi të mëdha të ujit, i cili është parapa të merret përmes sistemit të Ibër-Lepencit. Përveç që do të vështirësohej furnizimi me ujë për popullatën (të cilët nuk llogariten në asnjë ekuacion të investimeve), edhe bizneset do të përballeshin me probleme të mëdha në mungesë të furnizimit me ujë.

 

“Kosova e Re” vs. Investimeve në energji të ripërtërishme

Ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike prej 600MW, do të tejkalonte nevojat e energjisë në Kosovë dhe do të bënte Kosovën vendin e vetëm ne rajon i cili tërë burimin e energjisë e ka me bazë qymyri. Në anën tjetër, Kosova synim strategjik ka anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Një ndër kërkesat e BE për vendet anëtarë dhe vendet kandidate është gjenerimi i së paku 20% të energjisë elektrike nga burimet e ripërtërishme. Atëherë, cili investitor privat do të hynte në tregun e Kosovës për të investuar në energji të ripërtërishme, kur e di se tregu i Kosovës është i tej mbuluar  me energji?

Një e pavërtetë e madhe e cila thuhet është ajo se termocentrali i ri do të rris punësimin. Sipas një studimi të USAID, me shitjen e distribucionit dhe ndërtimin e “Kosovës së Re”, 2/3 e punëtorëve aktual do të mbeten të papunë. Momentalisht KEK-u ka të punësuar 7419 punëtorë, 870 prej të cilëve në “Kosovën A”, 595 në “Kosovën B” dhe 3150 në divizionin e prodhimit të qymyrit. Mbyllja e Kosovës A automatikisht lë pa punë 870 punëtorë, të cilët nuk do të mund të barteshin në termocentralin “Kosova e Re” ngase një termocentral i tillë do të operonte me vetëm 200-250 veta. Kurse në divizionin e prodhimit të qymyrit do të largoheshin mbi gjysma e punonjësve, për shkak se teknologjia e avancuar për nxjerrjen e qymyrit do të bënte të panevojshme angazhimin e forcës punëtore. Në anën tjetër, investimet në energjinë e ripërtërishme do të punësonin më shumë qytetarë se sa një termocentral i ri. Sipas studimeve të Universitetit të Berkeleyt në Kaliforni, për 2.5 milion dollarë të investuar në burimet e energjisë nga qymyri, krijohet një vend pune; kurse për të njëjtën shumë investimesh në energjinë e ripërtërishme krijohen dyfish më shumë vende pune.

“Kosova e Re” vs. shëndetit dhe ambientit

Një e pavërtetë tjetër që thuhet është se “Kosova e Re” do të përmirësoj cilësinë e ajrit, ngase do të mbyll “Kosovën A” dhe do të jetë e ndërtuar me teknologjinë më të re. Kapacitete të reja energjetike nënkuptojnë hapjen e mihjeve të reja të cilat do të furnizojnë me qymyr termocentralin e ri dhe kjo rrit dëmet në ambient. Në anën tjetër, asnjë teknologji e gjertanishme nuk arrin të shmang dëmet që shkakton djegia e qymyrit. Paneli i Ekspertëve të Bankës Botërore (2012) i jep dritë jeshile ndërtimit të termocentralit të ri, me një kusht që të instaloj teknologjinë më të mirë të mundshme dhe të jetë i gatshëm për përdorimin e teknologjisë për Kapjen dhe Ruajtjen e Karbonit (CCS). Sipas një studimi nga Universiteti i Harvardit, termocentralet të cilat kanë të instaluar teknologjinë CCS rrisin çmimin e energjisë dhe kërkojnë 40% më shumë gjenerim të energjisë, vetëm për të futur ne funksion këtë teknologji.

Në anën tjetër, asnjë investitor i huaj, nuk do të pranoj të ndërtoj termocentral me teknologjinë më të mirë të mundshme dhe njëkohësisht të prodhoj 600MW energji elektrike. Për këtë arsye, Qeveria e Kosovës është duke konsideruar instalimin e kapaciteteve prej 1000 MW, duke dëshmuar edhe një herë se sa i paqëndrueshëm dhe i planifikuar keq është ky projekt.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore (2012), kostoja për kurimin e sëmundjeve të shkaktuara nga veprimtaria e termocentraleve në Kosovë shkon deri në 100 milion euro në vit. Kjo kosto edhe më tutje do të paguhej nga qytetarët, edhe pas ndërtimit të “Kosovës së Re”. Jetëgjatësia e termocentralit të ri do të ishte 40 vite, çka ndikimi i dëmshëm në shëndetin e popullatës për këto 40 vite do të arrinte minimum 4 miliard euro.


“Kosova e Re” vs. integrimet evropiane 

Komisioni Evropian (KE) ka mbështetur ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, me kusht që ato të plotësojnë kriteret e përbashkëta evropiane. Por, projekti i “Kosova e Re” nuk i plotëson këto kritere, sidomos kriteret e ambientit dhe konkurrencës. KE nuk mund të mbështes një projekt të ngurtë 40 vjeçar, kur rregullativa e përbashkët evropiane avancon për çdo vit. Së fundmi, Organizata Botërore e Shëndetësisë më 31 janar 2013, publikoi një raport me anë të së cilit konkludohej edhe një herë se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj substancave të liruara nga djegia e qymyrit shkaktojnë dëme të shumta në shëndet (sidomos tek fëmijët). Pas publikimit të këtij raport,  KE filloi përgatitjet për avancimin e direktivave të BE që kanë të bëjnë me kualitetin e ajrit. Në rast të investimeve në një termocentral të ri, investitori privat do të kërkoj garancë të shkruar nga Qeveria e Kosovës, se kushtet në të cilat ata operojnë nuk do të ndryshohen për së paku një periudhë 20 vjeçare, ngase investitori kërkon siguri se legjislacioni ia ardhshëm nuk do ti shkaktoj kufizime në investimet e tij. Ka raste kur pikërisht për shkak të ndryshimit të legjislacionit, investitorët privat kanë paditur shtetet duke kërkuar dëmshpërblim me miliarda euro. Në vitin 2009, për të respektuar obligimet e legjislacionit të përbashkët evropian për kualitetin e ujit, Gjermania ndryshoi legjislacionin e saj duke ngritur standardet për kualitetin e ujit. Kompania gjermane Vattenfall (pronare e  termocentralit me qymyr në Hamburg Moorburg Plant), konsideroi se legjislacioni i ri për kualitetin e ujit rrezikon funksionimin e termocentralit të saj dhe paditi shtetin gjerman në Gjykatën e Arbitrazhit, duke kërkuar dëmshpërblim prej 1.4 miliard eurosh. Çfarë do të ndodhte nëse investitori privat në “Kosovën e Re”, do të padis shtetin e Kosovës, në rast se Kosova obligohet nga BE që të përmirësoj standardet e ujit, ajrit dhe mjedisit? Bashkimi Evropian nuk merr përsipër të paguaj dëmshpërblimin ndaj kompanisë private. “Kosova e Re” shumë lehtë mund të bëj që Kosova mos të ketë të ardhme të re evropiane.

Qymyri nuk e ka të njëjtën vlerë si gjysmë shekulli më parë. Përparimet teknologjike dhe rregullat gjithnjë e më të ashpra sa i përket cilësisë së ajrit, ujit dhe ambientit, kanë bërë që qymyri të humb terren në krahasim me burimet tjera të energjisë. Nuk ka aspak logjikë të thuhet se i kemi 14 miliard ton rezerva linjit, të cilat duhet shfrytëzuar në maksimum. Nëse është kështu, atëherë pse të mos e ndërtojmë një termocentral prej 5000-6000 MW dhe të djegim tërë këtë “pasuri”. Çdo kalkulim për pasurinë 14 miliard tonëshe nëntokësore, pa llogaritur 21.500 banorë të cilët jetojnë mbi të dhe preken direkt nga pluhuri dhe procesi i zhvendosjes, si dhe gjysmë milioni banorë që jetojnë shumë afër termocentraleve, është i destinuar të dështoj.

Loading Facebook comments ...

OpinioneArkiva

Jo më “Qeveri kineze”

07.07.2014 Shkruan Agron Demi

Dhjetë këshilla të Ukshin Hotit për shqiptarët

10.02.2014 Shkruan Bekim Salihu

Nga autoriArkiva

Jo më “Qeveri kineze”

07.07.2014 Shkruan Agron Demi

Krijuesit e Kaosit

30.12.2013 Shkruan Agron Demi

Nuk do duhej të ishte befasi

05.12.2013 Shkruan Agron Demi

Investimi në tela

28.11.2013 Shkruan Agron Demi

Kur shteti të ka borxh

20.11.2013 Shkruan Agron Demi

Katër Fatkeqësitë e Buxhetit të Kosovës

12.11.2013 Shkruan Agron Demi

Paralizimi i shtetit në kohë zgjedhjesh

07.11.2013 Shkruan Agron Demi

Shampanja për “Kosovën e Re”!

30.10.2013 Shkruan Agron Demi

Çfarë të hetohet?

24.10.2013 Shkruan Agron Demi

Premtimi i Parajsës në Komuna

05.09.2013 Shkruan Agron Demi

Shteti Joefiçient

28.08.2013 Shkruan Agron Demi

Ndikimi Ekonomik i DokuFest

21.08.2013 Shkruan Agron Demi

Obsiesionimi pas rrugëve

14.08.2013 Shkruan Agron Demi

Pasqyra e Shtetit

07.08.2013 Shkruan Agron Demi

Kostoja e Premtimeve te Paarsyeshme

02.08.2013 Shkruan Agron Demi

Hambari i Kryeministrit

24.07.2013 Shkruan Agron Demi

Me të mbytë me PowerPoint

18.07.2013 Shkruan Agron Demi

Zhvillimi si Liri

10.07.2013 Shkruan Agron Demi

Mashtrimi me Diploma

04.07.2013 Shkruan Agron Demi

Rrugët dhe Pagat nuk mjaftojnë

27.06.2013 Shkruan Agron Demi

Publikoni të dhënat!

20.06.2013 Shkruan Agron Demi

Alkimistët

12.06.2013 Shkruan Agron Demi

Çmimi i dështimit

16.05.2013 Shkruan Agron Demi

Haraç-Ekonomia

08.05.2013 Shkruan Agron Demi

Papunësia?!

02.05.2013 Shkruan Agron Demi

Dështimi i një tentim mashtrimi financiar

25.04.2013 Shkruan Agron Demi

Kronologjia e një procesi të dështuar

18.04.2013 Shkruan Agron Demi

Privatizimi ekstrem

11.04.2013 Shkruan Agron Demi

Si i shpenzoj shteti paratë tona më 2012?

04.04.2013 Shkruan Agron Demi

Shit për të shtruar

21.03.2013 Shkruan Agron Demi

Strategjia e Zhvillimit të Paqëndrueshëm

13.03.2013 Shkruan Agron Demi

Projekti i papunësisë

06.03.2013 Shkruan Agron Demi

Mësimet nga Shqipëria dhe Bullgaria

28.02.2013 Shkruan Agron Demi

Mos pyet!

17.06.2012 Shkruan Agron Demi

Rrjeti i Dështimit

30.09.2011 Shkruan Agron Demi

Fillimi dhe fundi i një mandati të mbaruar

07.02.2011 Shkruan Agron Demi

Ti qasesh të paqasshmes

31.08.2010 Shkruan Agron Demi